“Rilindja” e Edi Ramës shndërrohet në abort ende pa u regjistruar takimi i parë zyrtar në SHBA
Intervista e Edi Ramës tek VOA ka shërbyer si tribunë për të mos u afruar lidhur me qëndrimet ndërkombëtare lidhur me agjendën e dhunës me 21 janar, ndërkohë që në Tiranë, Ben Blushi shpall një të majtë private, thuajse të kundërt me programin e PS-së
Edi Rama përgënjeshtroi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar për VOA-n se përgjatë demonstratës së 21 janarit PS nuk donte dhunë dhe as kishte planifikuar një gjë të tillë. Pohimi shfajësues i kreut të PS vjen si reagim ndaj pyetjes së gazetarit që theksonte se ambasadori Arvizu është shprehur se SHBA dhe PS nuk ndajnë të njëjtin qëndrim mbi 21 janarin dhe e pyeti atë nëse Partia Socialiste atë ditë kishte synim të provokonte forcat e rendit përmes një plani dhune. “Absolutisht jo”, u përgjigj Rama. Kësisoj lideri i opozitës shpërdoroi mundësinë më të mirë për t’u bërë i pranueshëm në sytë e ndërkombëtarëve që për 21 janarin dinë më shumë seç thonë.
Megjithatë ajo që bie në sy është dëshira e plotë e SHBA-ve për qartësimin e ngjarjes së demonstratës së dhunshme të 21 janarit dhe “mizës” në kësulë të Partia Socialiste, që kërkon të fokusojë gjithçka tek pasoja dhe jo tek shkaku e shkaktarët e asaj çfarë u organizua dhe ndodhi përballë kangjellave të kryeministrisë. Sinqerisht, “ka një ndryshim kritik midis pikëpamjes së opozitës, përshkrimit të ngjarjeve nga ana e tyre, dhe asaj të Shteteve të Bashkuara. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është që kjo demonstratë, në ndryshim nga duzinat e demonstratave të Partisë Socialiste në muajt apo vitet e fundit, kjo ishte planifikuar që të ishte e dhunshme; ishte planifikuar që të provokonte një reagim të fortë nga forcat qeveritare dhe fatkeqësisht, ia arriti. Kjo nuk është pranuar kurrë nga Partia Socialiste; ndoshta është për vetë-mbrojtje, nuk e di çfarë është. Ben Blushi është ndoshta i vetmi deputet socialist i cili iu afrua mjaft pranimit se u bënë disa gjëra që nuk duhej. Jam i zhgënjyer”, u shpreh ambasadori Arvizu në “Bugajski Hour” para pak ditësh.
Ndërsa Edi Rama është në Amerikë, Ben Blushi promovoi një manifest të ideve të tij të majta për t’u distancuar nga një PS jo e majtë. Platforma “Blushi” e botuar në media kundërshton gjithë politikën e bërë nga lideri aktual i PS, Edi Rama, qysh pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009. Blushi thotë se PS është pa identitet të qartë, nuk dallon nga partitë e tjera dhe “donim të kalonim kufirin e zgjedhjeve pa pasaportë”. Dalja publike e Ben Blushit me një platformë teoriko-politike është një mesazh për mikpritësit e Ramës përtej atlantikut, një farë shkelje syri që do të thotë “jam edhe unë”.
Sidoqoftë në dukje kemi një abortim të programit të “rilindjes”, pjellë e kryetarit të PS, Edi Rama, ngase zërat kundër kësaj politike pa trung që mbulohet vetëm nga gjethet e demagogjisë politike po fillojnë të dalin në sipërfaqe. Besimi se Rama mund të çojë në fitore elektorale opozitën po zbehet dita-ditës, kjo u pa edhe në largimin nga koalicioni opozitar edhe të PBDNJ të Vangjel Dules, çka do të thotë se anija po braktiset një minutë e më parë.