Rimishërimi

Koncepti budist i një prej teorive më të përhapura budiste të jetës pas vdekjes
Nga vëzhgimi i vëmendshëm i natyrës bëhet më se e qartë se çdo gjë në univers zhvillohet në baza ciklike. Stinët ndjekin njëra-tjetrën dhe dita zëvendësohet me natën sipas një ritmike të caktuar. Ne as që mund të na shkojë në mend p.sh., që muzgu të mos ia lerë vendin agimit apo që dimri të vazhdojë dhe në verë. Fazat e Hënës, periudha e mbjelljes a korrjeve, vetë rrotullimi i planetëve anembanë universit shënon qartësisht faktin se gjithçka evoluon në formë përsëritëse.
FORMAT CIKLIKE
Shembuj të tillë mund të gjendjen në jetën përditshme, ku brenda 24 orëve, ka gjithmonë një alternim mes punës dhe çlodhjes. Mjekësia na tregon se edhe trupi ka ciklet e veta – që nga rrahjet e zemrës, zhvillimi dhe ripërtëritja e qelizave, dhe madje funksionimi i trurit. Psikologjia vëren se si fazat e depresionit zëvendësohen nga euforia dhe aktivitetet mendore nga nevoja për qetësim. Fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht, çdo periudhë aktiviteti balancohet me një fazë rigjenerimi dhe çlodhjeje.
Nga ana tjetër, historianët dhe sociologët bëjnë të njëjtën gjë kur ilustrojnë ngjarjet e periudhat kohore. Luftërat e ndryshme, fazat e depresionit, ndryshimet ekologjike, luhatjet e bursës, rikthimi i epidemive, krimet e përsëritura, të gjitha këto gjëra mund të përllogariten dhe dokumentohen sipas metodave përkatëse.
CIKLET E EVOLUCIONIT
Në skemën e përgjithshme të evolucionit, ligji i përsëritjes a i rikthimit, zë një vend të rëndësishëm. Parë me kujdes, jeta jonë zhvillohet përmes një serie ritmike përsëritjesh. Rritmi i jetës na bën të identifikohemi me të thuajse pa kuptuar. Vetë shpirti i pavdekshëm që ndodhet brenda secilit, e manifeston veten në nivele të ndryshme, duke akumuluar eksperiencat e jetës së përditshme përmes dëshirave, emocioneve e veprimeve nga më të ndryshmet. Të gjitha këto faza janë me rëndësi për evolucionin tonë si qenie, por nga ana tjetër, edhe periudhat e qetësimit dhe rigjenerimit janë po aq të nevojshme. Ky cikël aktiviteti dhe qetësimi quhet reinkarnacion apo jetëkthim.
METODË TRANSPORTIMI
Ne mund ta shikojmë jetëkthimin si një mënyrë transportimi nga një nivel evoluimi në tjetrin. Nga ky këndvështrim, është më tepër një metodë sesa një përfundim final. Nëse do të udhëtonim p.sh. nga Tirana në Janinë, ne mund ta bëjmë këtë me mjete nga më të ndryshmet. Dikush parapëlqen të fluturojë, një tjetër të ngasë makinën a të marrë autobusin... Kur koha dhe gjendja fizike nuk është problem, e njëjta rrugë mund të bëhet edhe me këmbë a biçikletë, po t’ju vijë për shtat! Largësia ama, ngelet gjithmonë e njëjtë, vetëm koha dhe mjeti i transportit ndryshon, në vartësi të vullnetit dhe dëshirës së secilit.
Kështu, edhe në udhëtimin e jetës, në këtë aventurë evolucioni të mahnitshme, distanca që na duhet të përshkojmë, është e njëjtë, veç metodat e arritjes në destinacion ndryshojnë. Zgjidhja jonë mund të bazohet në faktorë nga më të ndryshmit, sepse edhe dëshirat, mendimet dhe veprimet tona (me një fjalë të vetmet karma), ndryshojnë sipas rastit. Sidoqoftë, është me rëndësi të kuptohet se për të përparuar me siguri, përpjekjet e secilit janë vendimtare. Çdo gjë në univers funksionon në bazë të ligjësive të caktuara, që s’mund të anashkalohen. Kështu edhe gjatë shtegtimit tonë, ka rregulla që duhen mbajtur parasysh.
Kur udhëtojmë me aeroplan p.sh. neve na duhet ta reduktojmë numrin e sendeve që marrim me vete. E njëjta gjë ndodh edhe në planin shpirtëror. Nëse valixhet do të quheshin ‘karma’, s’do shumë mend që ato do të duhej të zvogëloheshin në maksimum, përpara se madje të na krijohej mundësia për të udhëtuar me një shpejtësi të tillë (Çfarë quajmë valixhe apo karma në këtë mes, nuk është gjë tjetër veçse pasojat negative të akumuluara nga mendimet, dëshirat dhe veprimet e gabuara). Një gjë e tillë mund të mos duket e lehtë, por edhe e pamundur s’është!
JETKËTHIMI SI RAST QË DUHET SHFRYTËZUAR
Jetëkthimi pra, mund të shikohet si një mundësi e shkëlqyer për të ecur më tutje, në bazë të vetë individualitetit tonë. Ndaj mund të konsiderohet jo aq sa një numër jetësh të njëpasnjëshme, se sa një seri mundësish për realizimin e dëshirave dhe qëllimeve që i kemi vënë vetes. Nga kjo anë, jetëkthimi ngjason me një teknikë që shpirti përdor për të përvetësuar gjithë spektrin e ekzistencës. Kur e kuptojmë këtë, ne mësojmë të mos e identifikojmë veten me mënyrën e udhëtimit, e as me rrugën vetë, por vetëm me atë nivel vetëdijshmërie, që thjesht sa pasurohet nga eksperiencat e jetës.
Prej një këndvështrimi të tillë, gjithë njerëzimi mund të përfytyrohet në marshim e sipër përgjatë një shkallareje gjigande, pjesët e poshtme të së cilës e ka zanafillën në muzgun e kohërave, ndërsa e sipërmja në dritën e Njohjes Absolute. Pavarësisht nga niveli i arritur, gjithmonë je me shokë.
SHPIRTI I PAVDEKSHËM
Fakti i parë që duhet pasur parasysh rreth jetëkthimit, është se shpirti apo vetëdija ka ekzistuar para lindjes, e për rrjedhojë, vazhdon edhe pas vdekjes. Fakti i dytë me rëndësi themelore është se shpirti është në rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm, që nga ‘zgjimi’ fillestar e deri në pjekurinë e përftuar në periudha kohore të pamatshme. Duke qenë të vetëdijshëm rreth jetëkthimit, ne jemi në gjendje ta kundrojmë jetën nga perspektiva e një udhëtimi progresiv drejt përsosmërisë së nivelit njerëzor, ku ndodhemi në momentin përkatës. Ne na bëhet e qartë se shpirti nuk vjen në këtë jetë pa pritur e pa kujtuar, por pas një rruge të gjatë provash dhe eksperiencash paraprake ku pati mundësi të përvetësonte karakteristikat me të cilat e identifikojmë veten sot. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për të ardhmen që shtrirjet para nesh, atë të ardhme që po merr formë pikërisht në këtë çast, nga veprimet e këtij momenti.
PROCESI I JETËKTHIMIT
Shpirti i pavdekshëm ia nis shtegtimit përmes formave të ndryshme të ekzistencës, duke u identifikuar me atë nivel mendor dhe emocional që korrespondon me shkallën e tij të evolucionit. Po nga kjo bazë, ai manifestohet edhe në planin fizik, ku zgjedh formën që i përshtatet dhe i mundëson përparimin e mëtejshëm. Në shkollën e jetës, ai kalon nga një klasë te tjetra, duke përsëritur gjithmonë të njëjtin cikël, nga lindja, rritja, pjekuria dhe vdekja, brendapërbrenda një faze të vetme.
Nga kjo është e qartë se ajo që quajmë vdekje të trupit fizik, s’është gjë tjetër veçse një ‘ndërrim kostumi’. Ashtu si rrobat që konsumohen nga përdorimi pas një farë kohe, ndodh edhe me trupin. Por eksperienca e përftuar nga faza e kësaj jete është baza nga e merr zanafillën jetëkthimi në vijim. Kështu, ciklet e ekzistencës ndjekin njëra-tjetrën dhe eksperiencat e fituara në planetin tonë ia lënë vendin gradualisht ekzistencës në botë e gjithësi të tjera.
OPTIMIZMI DHE JETËKTHIMI
Duke e pasur të qartë sa u tha më sipër, e vërteta rreth jetëkthimit duhet të shërbejë si burim frymëzimi për secilin nga ne. Në bazë të ligjit të pagabueshëm së shkakut dhe pasojës, plotësuar me njohurinë e shumëjetëve, mënyra për të ndërtuar të ardhmen sipas dëshirës, është në dorë të secilit. Asgjë nuk është e pamundur, për atë që vepron me drejtësi, kurajo dhe pa e lëshuar zemra. Dështimi i vërtetë do të quhej vetëm pesimizmi i pajustifikueshëm. Mundësitë për progres, paraqiten sërish, jetë pas jete, sepse jetëkthimi është vetë ritmi i ekzistencës.
Çdo sekondë që kalon, ia lë vendin një tjetre. Vetëdijshmëria rreth këtij ligji universal na lejon ta jetojmë jetën në maksimum dhe me optimizëm. Parë nga ky këndvështrim, asgjë nuk është e parëndësishme dhe e pakuptimtë, përkundrazi, çdo gjë ka vlerën e vet dhe një qëllim të caktuar. Prandaj, çdo moment dhe mundësi duhet shfrytëzuar sa më mirë, duke e jetuar të tashmen pa e humbur për asnjë çast vizionin e së ardhmes, në marshimin e pandalshëm drejt përjetësisë dhe Njohjes Absolute..