Rinegociohet marrëveshja
Kryeministri Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli ende nuk kanë arritur marrëveshjen e re për ndarje të sërishme të pushtetit.
Ata janë duke zhvilluar negociata për të rishikuar marrëveshjen e nënshkruar më herët, pasi e para ka rënë poshtë për shkak se Pacolli nuk arriti të mbajë postin e Presidentit të Kosovës.
Burimeve të Express kanë thënë se, pas emërimit të Pacollit si Zëvendëskryeministër i Parë, është e mundshme që Mimoza Kusari – Lila të lirojë postin e Zëvendëskryeministres, ndërsa Hajredin Kuçi pritet të jetë përsëri njëri ndër zëvendësit e Thaçit.
Burime të Express kanë thënë një ditë më herët se AKR do të dëshironte t’i merrte Ministrinë e Infrastrukturës ose atë të Arsimit. Cilado nga këto ministri që t’i jepet kësaj partie, Ministër do të jetë Vegim Gashi. E, ministri i dytë plus i AKR’së duket se do të jetë edhe Ibrahim Makolli.
Ministrja e AKR’së në Qeveri, Mimoza Kusari, ka thënë se gjithçka do të qartësohet pas bisedimeve që do të zhvillojnë dy partnerët e koalicionit.
“Takime pritet të ketë sidomos në ditët në vijim. Natyrisht se do të rishikohet marrëveshja për shkak se tani marrëveshja ka pësuar ndryshime, ndërsa ndryshimet do të jenë për shtimin e numrit të ministrive për Koalicionin Kosova e Re”, ka thënë Kusari-Lila për Express.
Ajo ka përsëritur kërkesat e Koalicionit për Kosovë të Re.
“Në kërkojmë dy ministri shtesë përveç tri që i mbajmë, në total i bien 5 ministra dhe tetë zëvendësministra”, ka shtuar ajo.
Kusari-Lila nuk ka dashur të përmend emrat e ministrive që i dëshiron AKR’ja, duke thënë se kjo do të definohet pas përfundimit të bisedimeve me PDK’në.
Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Express se bisedimet me AKR’në janë duke vazhduar, derisa ka konfirmuar se “marrëveshja do të publikohet shpejt”.
Ai beson se do ta mbajë edhe më tutje postin e Zëvendëskryeministrit.
“Është Kryeministri duke i zhvilluar bisedat me përfaqësuesit e Koalicionit, në anën tjetër kemi mendu me ba një balancë tash pas pozitës konsensuale të Presidentit”, ka thënë Kuçi.
Por, cila është balanca e re e ndarjes së pushtetit ndërmjet PDK’së dhe AKR’së?
“Balanci do të jetë proporcional me fuqinë politikë që e ka AKR’ja”, ka thënë Nënkryetari i PDK’së.
Pa përmendur numrin e ministrive që do t’i jepen AKR’së, Kuçi ka thënë se emërimi i Pacollit në Qeveri ka shënuar balancë sa i përket ndarjes së pushtetit ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Vetë hyrja e Pacollit në Qeveri – tash është krijuar një balancë më i mirë, ndërsa për të tjerët do ta shohim, do të jenë pjesë e negociatave”, ka thënë Kuçi, të dielën, nëpërmjet telefonit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës po vazhdon të funksionojnë pa zëvendësministra. Këtë vonesë, Hajredin Kuçi e arsyeton me zhvillimet që kanë ndodhur në skenën politike.
“Nuk ka pasur mundësi të emërohen më herët zëvendësministrat për shkak të angazhimeve tjera, tash është situatë më e qartë dhe do të bëhet shumë shpejt”, ka thënë Kuçi.
Edhe zyrtarja tjetër e Qeverisë, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se me marrëveshjen e re do të ndodhin edhe emërimet e zëvendësministrave në kabinetin qeveritar.
“Edhe emërimet e Zëvendësministrave do të përfundojnë në pako me emërimet e reja”, ka thënë Kusari – Lila.