E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen kapakët e pusetave, rrezikohen kalimtarët

Nga Express më 10 prill 2011 në ora 19:28

Dukuria e vjedhjes së kapakëve të pusetave ka detyruar Komunën e Prishtinës që të bëjë një kërkesë tek organet përkatëse dhe bizneset private që mbledhin hekurishte, për të bashkëpunuar në luftimin e këtij fenomeni të shëmtuar.

Në rrugë të ndryshme të Prishtinës mund të hasen rrugë ku mungojnë kapakët e pusetave, të cilat vidhen nga njerëz të pandërgjegjshëm, të cilët i shesin në hekurishte.

Mungesa e kapakëve të pusetave jo vetëm që është dukuri e shëmtuar, por ajo bart edhe rreziqe për vetë jetën e pjesëmarrësve në trafik.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, ka thënë për Kosovapress se kanë kontaktuar disa herë udhëheqjen rajonale të policisë së Kosovës, për ndalimin e kësaj dukurie dhe u kanë adresuar shkresa bizneseve që merren me grumbullimin e metaleve që të mos blejnë kapakët e vjedhur të pusetave.

“Ne kemi vlerësuar se krejt këto çka ndodhin, vidhen dhe shiten si material hekuri nëpër depo të hekurishteve. Për këtë kemi kërkuar nga institucionet përkatëse që të bëjnë kontrollimet, njëkohësisht kemi njoftuar kompanitë grumbulluese të mbetjeve të hekurit të cilat duhet të kenë parasysh që të mos blejnë materiale të vjedhura. Po ashtu, kemi kërkuar që policia të intensifikojë vëmendjen prej pengimit të këtyre dukurive kundërvajtëse”, ka thënë Gashi.

Vjedhja e kapakëve të pusetave po shqetëson edhe qytetarët e Prishtinës të cilët fajin kryesor për këtë ua hedhin hekurishteve të cilat pranojnë të blejnë pusetat e vjedhura. Qytetari Riza Krasniqi thotë se organet përkatëse duhet të ndërpresin urgjentisht këtë fenomen shqetësues.

“Kjo dobësi vërehet edhe në qytete tjera, jo vetëm në Prishtinë. Mendoj që fajin më të madh për të gjitha këto e kanë këto firmat që merren me përpunimin e hekurishteve, që pranojnë të blejnë këto gjërat që i marrin prej pusetave. Këtu ka punë shërbimi i policisë që nuk i ndëshkojnë ato firma që bashkëpunojnë me hajnat”, ka thënë ai.

Kurse Riza Gashi shprehet i shqetësuar se mungesa e kapakëve të pusetave rrezikon jetën e pjesëmarrësve në trafik.

“Për këtë duhet me u përkujdes të gjithë po është problemi që aty ku shiten ata me pas ndonjë ndalesë. Edhe përpara kjo ka ndodhur, por më pak. Aty është e keqja. Dikush po lyp përfitim material dhe po bëhen këto gjëra shumë të dëmshme. Njerëzit që kalojnë rrugës, por edhe veturat duhet të anashkalojnë pusetat dhe dikush mund të pësojë”, ka thënë ai.

Por, në kryeqytet nuk është problem vetëm vjedhja e kapakëve të pusetave.
Gashi thotë se janë regjistruare dhe vjedhje të pasurisë publike siç janë ulëset e parqeve, kapakët e kontejnerëve dhe për këtë ai u sugjeron qytetarëve të shtojnë kujdesin e tyre duke lajmëruar organet përkatëse.

“Neve kemi pasur dukuri të këqija edhe në vjedhjen e ulëseve nëpër parqe, shportave të mbeturinave, pjesëve të shportave të mbeturinave dhe për këtë ne kërkojmë përkrahje edhe nga qytetarët që mund të vërejnë dukuri të tilla dhe ata do të bënin mirë sikur të njoftonin edhe policinë dhe shërbimet komunale, në mënyrë që të ndërhyhet me kohë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike është duke u biseduar që të gjendet një mundësi për sigurimin e të gjitha llojeve të pusetave që të vështirësohet vjedhja e tyre, ndërkohë qytetarët vazhdojnë të rrezikohen nga mungesa e kapakëve të pusetave që shiten në hekurishte. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›