Romët, duan barazi
Riza Berisha sillet tërë ditën duke kërkuar ndonjë kanaçe apo hekurishte , të cilat i shet më vonë. Me këto ai fiton ndonjë cent sa për të blerë gjërat elementare. Kështu i kalon dita këtij djali 23 vjeçar i komunitetit rom. Papunësia dhe jeta e varfër që bën e bëjnë Rizain që mos të jetë edhe shumë i informuar se çka po ndodh në vend. Ai ka dëgjuar për do bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka ide për çka po bisedohet.
“Kam dëgjuar se kanë nis bisedat, ama nuk di shumë për to. Ne jemi të preokupuar më shumë për mbijetesën tonë”, thotë Riza Berisha, rom nga Plemetini.
Banorët e Plemetinit jetojnë në kushte të rënda ekonomike, pavarësisht se për ta janë ndërtuar dy objekte banimi kolektiv. Mirëpo, jeta e tyre është shumë e vështirë. Pothuajse të gjithë banorët janë të papunë, të rinj të pashkolluar, ndërsa tek pas lufte fëmijët e tyre kanë të drejtë shkollimi. Habib Gashi tha se jeta e tyre për çdo ditë po vjen duke u vështirësuar. Ai drejton gishtin drejt institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, po e injorojnë komunitetin rom.
“Institucionet po e privilegjojnë veç komunitetin serb. Për ta ka shumë të drejta, edhe pse të gjithë e dimë çka kanë bërë ata në vitin 1999”, thotë Habibi.
Ky banor nuk kërkon asgjë më shumë përveç të drejta të barabarta me pakicat tjera. Në të kundërtën, sipas Habibit, romët do ta lëshojnë Kosovën. Të gjithë banorët jetojnë nga ndihmat sociale dhe asnjë nga ta nuk punon. Për gjendjen e rëndë të romëve në Kosovë është shqetësuar edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.
Kjo organizatë propozon që në bisedimet që kanë filluar mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe gjendja e romëve në Kosovë, e sidomos ato familje rome që jetojnë në kampet në veri të Mitrovicës e që është konstatuar se janë të kontaminuara me plumb.
“Familjet rome janë zhvendosur gjatë dhe pas luftës, ndërsa mahalla (lagjja) e tyre në pjesën jugore të Mitrovicës është shkatërruar. Ata janë u vendosur në një zonë të kontaminuar skajshmërisht me plumb dhe u ishte thënë se aty do të qëndrojnë për vetëm disa muaj. Megjithatë, disa prej tyre kanë ngecur aty për më shumë se një dekadë”, thuhet në raportin e ri të Human Rights Watch. Siç ishte dokumentuar edhe në raportin e vitit të Human Rights Watch, njerëzit që jetojnë në ato kampe, në veçanti fëmijët, kanë përjetuar pasoja të rënda shëndetësore dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj plumbit. Ndërkaq, në vitin 2006, UNMIK-u e kishte përshkruar këtë situatë si “një prej krizave më të rënda shëndetësore që kemi në këtë pjesë të Evropës”. Megjithatë, sipas HRW, pas presionit të shtuar nga grupet për të drejtat e njeriut, të drejtat e romëve kanë shënuar progres drejt mbylljes së kampeve gjatë vitit 2010.
HRW propozon një zgjidhje për familjet e zhvendosura rome në kampin e kontaminuar në Osterode, nëse Serbia dhe Kosova mund të pajtohen për të.“Familjet e mbetura rome në Osterode mund të zhvendosen përgjithmonë në pjesën veriore të Mitrovicës apo në komunat e veriut të Kosovës. Financimi nuk është pengesë (përmes projekteve të BE-së dhe USAID-it) dhe familjet kanë thënë se do të zhvendoseshin në pjesën veriore të Mitrovicës. Krejt çka nevojitet është toka në të cilën do ndërtoheshin shtëpitë e tyre”, thekson HRW në raportin e tyre. Megjithatë, sipas HRW, deri më sot as BE as SHBA e as autoritetet në Prishtinë nuk kanë treguar gatishmëri për ta realizuar këtë projekt.
“Zyrtarët perëndimorë frikësohen se negociatat me de facto autoritetet lokale serbe në veri të Mitrovicës dhe në tri komunat tjera veriore mund të marrin legjitimitet mbi to, duke e minuar kështu integritetin territorial të Kosovës”. HRW vlerëson se negociatorët e Kosovës dhe ata të Serbisë e kanë një mundësi që gjatë bisedimeve ta tejkalojnë këtë problem. “Autoritetet kosovare mund të pajtohen të qëndrojnë prapa përpjekjeve të ndërkombëtarëve për të negociuar me autoritetet serbe në veriun e Kosovës për të siguruar tokën për këto familje të ngujuara”.
Edhe Qeveria e Serbisë mund t’i inkurajojë këto autoritete serbe të Kosovës për të reaguar favorshëm ndaj këtyre kërkesave. “Duhet ta sigurojë Kosovën se nuk do të bëjë kërkesë të tillë nga zyrtarët ndërkombëtarë me qëllim të avancimit politik apo për ta minuar autonominë e Kosovës”, thekson HRW. Human Rights Watch vlerëson se nëse këto negociata janë për zgjidhjen e problemeve, nuk ka asnjë arsye që edhe kjo çështje të mos preket. Tema për të zhvendosurit do të diskutohet në fazat e ardhshme të dialogut. Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha për Express të martën se në bisedimet që ajo i quan teknike është paraparë edhe kjo temë, por jo vetëm për një komunitet siç është ai rom.
“Çështja e të zhvendosurve është aktuale qysh nga lufta dhe nga kjo kanë përjetuar të gjithë qytetarët dhe ne në agjendë e kemi edhe këtë temë, dhe do të diskutohet në fazat e ardhshme të dialogut”, tha Tahiri. Pala e Kosovës, sipas saj, e ka në agjendë çështjen e të zhvendosurve dhe kur do të jetë në diskutim do t’i marrin të gjitha analizat prej institucioneve kompetente siç është Ministria për Kthim.
Pavarësisht propozimit të HRW për një marrëveshje në mes institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve lokale të komunave veriore për serbët e kampeve të kontaminuara me plumb, kryenegociatorja Tahiri tha se ky është dialog në mes dy shteteve të pavarura dhe do të diskutohen vetëm çështje teknike.“Kjo çështje është teknike dhe sigurisht se do të gjendet një zgjidhje edhe për ta”, tha Tahiri