KFOR-i ndihmon fëmijët
Pjesëtarët e misionit paqeruajtëse KFOR në Kosovë ka organizuar një aksion humanitar me qëllim të ndihmesës për fëmijët bonjakë që jetojnë në Qendrën për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës në Prishtinë.
Me këtë rast, në bazën e KFOR-it në “Film Siti” të dielën janë ekspozuar gjësende të ndryshme, punime dore dhe ushqime për shitje për pjesëtarët e KFOR-it, të cilët pa hezitim blinin, vetëm e vetëm për të ndihmuar Qendrën për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës.
Fëmijët e kësaj Qendre në shenjë falënderimi për përkujdesjen, për pjesëtarët e KFOR-it, kishin përgatitur një program të pasur artistik.
Përfaqësuesja e KFOR-it, Meri Bembrik, ka thënë se arsyeja që ka shtyrë KFOR-in të organizojnë një ngjarje të tillë, ka qenë nevoja e madhe për të ndihmuar Qendrën për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës.
“Arsyeja e kësaj ngjarjeje bamirësie është shitja e prodhimeve për të mirëmbajtur Qendrën e rehabilitimit të nënës dhe fëmijës, sepse kushtet e jetesës janë shumë të këqija. Ne duhet të mbledhim para për të paguar energjinë elektrike, për të siguruar ushqimin, në mënyrë që fëmijët të kenë jetë normale”, ka thënë Meri Bembrik, pjesëtare e KFOR-it irlandez.
Ndërkaq, Halime Maliqi, koordinatore e Qendrës për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës, ka theksuar se kjo qendër po mundohet që këtyre fëmijëve bonjakë t’u ofrojë kushte më të mira jetese.
“Me KFOR-n bashkëpunojmë që nga viti 2002, mirëpo më intensivisht ka filluar bashkëpunimi nga viti 2005. Qysh nga atëherë e gjithë qendra jonë varet nga KFOR-i. Do të thotë janë të inkuadruar KFOR-i amerikan, gjerman, irlandez, kanadez, italian e shumë të tjerë. Këta vazhdimisht organizojnë aktivitete për mbledhjen e të hollave që janë të domosdoshme për ne, për pagesën e rrymës, ushqimin, veshmbathjen, dhe të gjitha janë prej KFOR-it”, ka thënë Maliqi.
Ajo ka shtuar, se Qendra për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës ofron aktivitete të ndryshme pa pagesë, duke përfshirë kurse të gjuhëve të huaja, vallëzim, sport.
Qendra për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës drejtohet nga humanistja Flora Brovina dhe përbëhet nga një staf prej 6 vetash, kurse numri i fëmijëve që aktualisht janë duke u rehabilituar në këtë qendër sillet rreth 40./kosovapress/