Ringjallja e Burmës

Andrew Rickards është dashur të pret gjatë për këtë ditë. Anglezi 48 vjeçar ka të vendosur në kokë një helmetë të inxhinierëve, në momentin kur po qëndron në katin e gjashtë të një ndërtese në dalje të Jangonit, në Burmë. “Ethet e arit kanë filluar dhe së shpejti, nuk do të ketë më ndalje”, thotë Rickards.
Brenda vetëm disa viteve, firma e tij synon të ndërtojë një qytet të ri, një projekt me vlerë prej 75 milionë euro. Kur të kompletohet puna, mbi 25 mijë njerëz do të jetojnë aty.
Një nga investuesit në këtë projekt është Yoma Strategic Holdings Ltd., një kompani e listuar në bursën e Singaporit, e cila ka lidhur aleancë me disa partnerë nga Burma. Rickards është drejtor ekzekutiv i Yomas, kompani kjo e cila bleu para tetë viteve 55 hektarë tokë, në të cilën ka filluar tani realizimin e projektit. Por pasi që biznesmenët atëbotë nuk i besonin regjimit ushtarak në Burmë, kompania vendosi të investoje në një projekt të ngjashëm, në qytetin kinez Dalian. Puna në Yangon nuk filloi deri para gjashtë muajve. “Ishim skeptikë për një kohë të gjatë. Por tani besojmë në tranzicion”, thotë Rickards.
Dhe ai nuk është i vetmi që është optimist. Gjërat po lëvizin përpara në këtë shtet të Azisë Juglindore. Deri së fundi, Burma është njohur për shtypjen e përgjakshme të protestave të murgjve budistë dhe mbajtjen nën arrest të laureates të Çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi.
Zbutja e papritur e tendosjeve
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, vizitoi së fundi Burmën. Para arritjes së saj, presidenti amerikan, Barack Obama, zhvilloi një bisedë telefonike me Suu Kyi, për të pyetur atë se a e mbështetë edhe opozita vizitën e Clintonit. Politikania pro-demokracisë u përgjigj se e mbështetë vizitën, duke shtuar se planifikon që të kandidojë si kandidate e Lidhjes Kombëtare për Demokraci, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Burmë. Edhe përkundër faktit se do të votohet për vetëm 48 nga 664 ulëset në parlament, duket se akulli ka filluar të shkrihet mes saj dhe regjimit.
Është kjo një mrekulli e vogël. Deri para vetëm një viti, gjeneralët në Burmë-të cilët për dekada të tëra e kanë qeverisur vendin me grusht të hekurt-nuk kanë lejuar asnjë opozitë. Zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar vetëm sa forcuan pushtetin e gjeneralëve dhe vëzhguesit i cilësuan këto zgjedhje si një farsë.
Partia e Suu Kyis bojkotoi këto zgjedhje. Kur “Zonja”-siç e quajnë vendasit të bijën e heroit të pavarësisë së Burmës, Aung Susë-u lirua nga arresti shtëpiak, në nëntor të vitit 2010, këtë herë pasi që kishte kaluar shtatë vjet nën arrest, pothuajse askush nuk besonte se regjimi do të lejonte ndonjë ndryshim.
Por një vit më vonë, situata dallon dukshëm. Popullatës i është lejuar qasja në internet, si dhe në faqën e BBC-së në internet. Në rrugët e Yangunit, shitësit publikisht shesin posterë të Suu Kyisë dhe në tetor, regjimi filloi lirimin e 6300 të burgosurve, përfshirë këtu edhe të 200 të burgosurve politikë, në mesin e tyre edhe satiristin më të njohur në vend, Zarganarin.
Tani, duket se asnjë temë më nuk është tabu. Shkeljet e të drejtave të njeriut debatohen publikisht në parlament dhe ekzistojnë plane për të lejuar unionet tregtare. Është ndryshuar edhe ligji zgjedhor, për të lejuar pjesëmarrjen e partisë së Suu Kyisë në këto zgjedhje.
Tashmë edhe në Evropë dhe SHBA kanë filluar të dëgjohen thirrjet për të zbutur sanksionet kundër Burmës. Sidoqoftë, politikanët në Britani, ish-pushteti kolonial, i cili ka qeverisur Burmën deri në vitin 1948, po kundërshton këtë.
Ministri gjerman për Zhvillim, Dirk Niebel, do të vizitojë Burmën në shkurt, për të parë nga afër ndryshimet në këtë vend.
Tolerimi gjithnjë e më i madh i opozitës
A janë këto ndryshime ndikim i Pranverës Arabe në Azinë Juglindore, siç sugjeron Myo Yan Naung? Ky 37 vjeçar ishte në mesin e turmës, e cila së fundi rrethoi Suu Kyinë.
Kur ishte 21 vjeç, Naung kryesoi protestat e studentëve kundër regjimit ushtarak, për ç’gjë ai u dënua me shtatë vjet burg. Pas pjesëmarrjes në “Revolucionin e Safronit”, në vitin 2007, ai kaloi dy vjet tjera në një burg, i cili njihej për torturë. Para një viti, Suu Kyi e emëroi atë drejtor të Institutit Bayda, i cili operon me shkollat, të cilat partia e Suusë i ka hapur për gjeneratën e ardhshme të politikanëve.
“Njerëzit po e ndjejnë se e kemi arritur pikën e kthesës. Kjo para së gjithash është meritë e vendosmërisë së Suusë, e cila i ka mbetur besnike bindjeve të veta, në konfliktin e saj me regjimin”, thotë Naung.
Ai gjithashtu sugjeron se është e mundur se qeveria po synon të shkëputet nga kthetrat e Kinës. Naung e konsideron Kinën fqinje si një fuqi, e cila po kolonizon Burmën dhe thotë se qyteti Mandalay, me rreth 1 milionë banorë, praktikisht është enklavë kineze. Naung akuzon Kinën se po shfrytëzon pasuritë natyrore të Burmës dhe po kontrollon gjithë tregtinë në këtë sektor. “Nëse Burma vendos lidhje më të ngushta me Perëndimin dhe përpiqet që të shkëputet nga varësia prej Kinës, atëherë vendi do të jetë i detyruar që të demokratizohet”, thotë Naung.
Potenciali i jashtëzakonshëm
Natyrisht, Naung ka përjetuar shumë gjëra, sa t’iu bësojë vërbërisht pushtetarëve. “Deri me tani, gjeneralët kanë vepruar gjithmonë për të mbetur në pushtet”, thotë ai, duke nënvizuar se më shumë se 1700 të burgosur politik ende mbahen nëpër burgje në urmë.
Por megjithatë, vazhdon Naung, qeveria do ta ketë vështirë të mbyll dyert, të cilat ajo tashmë i ka hapur.
Në Savoy, një hotel i vogël i menaxhuar nga gjermanët në Yangon, holandezi Erik Schoevers po përfundon me stil ditën e tij të biznesit. . Ai ka porositur një biftek australian dhe verë nga Afrika e Jugut. Ky biznesmen ka tashmë disa vjet që është aktiv në Burmë. Ai drejton një firmë këshilluese me partnerët e tij burmezë dhe dita e tij ishte tejet e suksesshme.
“Pasi që kanë injoruar vendin për vite me radhë, ndërmarrjet shumëkombëshe tani po shfaqin interesim për Burmën”, thotë ai, duke shtuar se ky tranzicion ja kujton hapjen e Vietnamit komunist para 25 viteve.
“Potenciali në Burmë është i jashtëzakonshëm. Vendi ka 54 milionë banorë, është më i madh se Tajlanda, shumë atraktiv për turistët, me banorët tejet miqësor dhe me burimet e veta natyrore. Njerëzit thjeshtë duhet të nguten, ngase tani askush nuk dëshiron të jetë i fundit”, thotë Schoevers. (Der Spiegel)