“Rinia, motori dhe energjia e ndryshimit, në 23 qershor shembim murin e bllokimit”
Flet në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, Gert Bogdani, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike
Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) dhe Deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin Shqiptar, Gerti Bogdani në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, flet për shkuarën dhe të ardhmen e të rinjve në PD, për angazhimin dinamik të të rinjve në fushatën e pritshme elektorale, për arritjet e qeverisë Berisha dhe përkushtimi i kryeministrit për të rinjtë që e bën këtë forcë politikë të ketë mbështetjen e të rinjve shqiptarë... Sipas tij, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, “Partia Demokratike do të paraqitet para elektoratit shqiptar me një bilanc më se pozitiv, me përmbushje të premtimeve të bëra dhe një program elektoral të realizuar, ndërsa shton se, një gjë është e qartë dhe e sigurt, që të rinjtë shqiptarë do të jenë prioritet i programit elektoral dhe qeverisë së Partisë Demokratike”.
Dita e Rinisë ishte momenti më i mirë për të përçuar vlerën e rinisë në proceset e ndryshimeve demokratike. Si u përjetua kjo ditë nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike?
8 dhjetori është dita kur të rinjtë shqiptarë, studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, të mbështetur edhe nga qytetarët e Tiranës, shkatërruan dhe rrezuan murin e diktaturës në Shqipëri. Dita kur të rinjtë Shqiptarë treguan që janë motori dhe energjia e vërtetë e ndryshimit. Sot, 22 vite më pas, dita e Rinisë, festohet si një ditë që i përket jo vetëm të rinjve të Partisë Demokratike, por të gjithë të rinjve shqiptarë. Sepse sot Shqipëria është një vend i lirë, sepse të rinjtë Shqiptarë sot janë të lirë. Partia Demokratike dhe Forumi Rinor i saj, është forca politike që lindi nga të rinjtë dhe që vazhdon të mbështetet nga të rinjtë. Është vizioni dhe përkushtimi i Kryeministrit Berisha për të rinjtë që e bën këtë forcë politikë të ketë mbështetjen e të rinjve shqiptarë. Dhe besoj, do ta ketë në maksimum edhe në fushatën e ardhshme elektorale drejt një fitoreje të sigurt. Drejt shembjes së murit të bllokimit.
Pas 5 muajsh janë zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe thuajse ka nisur fushata elektorale. Me çfarë bilanci do të shkojë Partia Demokratike në këto zgjedhje?
Partia Demokratike do të paraqitet para elektoratit shqiptar me një bilanc më se pozitiv, me përmbushje të premtimeve të bëra dhe një program elektoral të realizuar. Arritjet e saj gjatë këtij mandati janë të panumërta, por në frymën e asaj që sapo thashë më sipër, do të veçoja si nder më të rëndësishmet, liberalizimin e vizave, shembjen e murit të “Shengenit” për Shqiptarët. Arritje dhe liri që e gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë e mbi të gjitha të rinjtë shqiptarë. Por çka besoj se është më e rëndësishmja, është fakti që PD dhe Kryeministri Berisha gjatë këtyre viteve qeverisje kanë ndryshuar mënyrën e të bërit politikë dhe fushata elektorale në Shqipëri. Ndryshe nga sa bëhej politikë më parë në Shqipëri, me premtime elektorale dhe premtime boshe. Sot, ne shkojmë ballë hapur drejt zgjedhësve shqiptare, sepse premtimet e bëra i kemi kthyer në realitet, fjalën e dhënë e kemi kthyer në fjalë të mbajtur.
Si do të përfaqësohen të rinjtë në programin politik të PD për mandatin e tretë?
Për sa i përket programit elektoral dhe pjesës për të rinjtë, kjo është diçka që do të shpaloset në javët në vijim, në kuadrin e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Por një gjë është e qartë dhe e sigurt, që të rinjtë shqiptarë do të jenë prioritet i programit elektoral dhe qeverisë së Partisë Demokratike.