E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis samiti i klimës në Kopenhagen

Në samitin e klimës në Kopenhagen të Danimarkës kanë rinisur bisedimet pas një tërheqjeje të vendeve në zhvillim. Vendet në zhvillm e argumentuan tërheqjen duke thënë se shqetësimet e tyre ishin lënë mënjanë dhe një angazhim për ulje edhe më të mëdha në emetimet e gazrave nga vendet e pasura duhet të ishte në qendër të bisedimeve. Ata u shprehën se nuk do t'u bashkoheshin diskutimeve, derisa të zgjidhej çështja. Debati është për një çështje teknike, për një argument lidhur me rolin që do të kenë në marrëveshjet e së ardhmes protokollet e Kiotos. Kioto është e vetmja marrëveshje për ndryshimin e klimës dhe vendet e varfëra duan që ajo të jetë baza për traktatin e ardhshëm. Shefi i OKB-së për Klimën, Iv de Bur tha se po dëgjoheshin shqetësimet e tyre. "Ajo që dëgjoj është që vendet në zhvillim janë duke thënë se nuk po i kushtohet vëmendje e mjaftueshme protokollit të Kiotos dhe ato duan të sigurohen që këtu të ketë një ekuilibër. Ajo që duan të shohin janë objektiva të qarta për një periudhë të dytë angazhimi nga ana vendeve të industrializuara që janë palë në Protokollin e Kiotos", tha De Bur. De Bur theksoi se parimet e Protokollit të Kiotos mbështeten në masë të madhe nga vendet që marrin pjesë në Konferencën e Kopenhagenit. "Unë mendoj se ky nuk është vetëm shqetësim afrikan. Unë mendoj se shumica e vendeve këtu duan të shohin një vazhdimësi të Protokollit të Kiotos", shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›