E Diel, 1 Nëntor 2026

Agresioni ndaj Berluskonit, Napoletano: T'i themi jo çdo forme të dhunës politike

"T'i themi jo çdo forme të dhunës politike, mjaft me këto tërbime të rrezikshme dhe polemika". Ka qenë ky apeli i lëshuar nga Presidenti i Italisë Xhorxho Napoletano, pas agresionit ndaj kryeministrit Silvio Berluskoni në Milano. "E bëj këtë apel me bindjen se nuk ekziston një tërbim i rrezikshëm në polemikat politike, të cilat duhet t'i ndalim", ka deklaruar Napoletano duke folur në lidhje me alarmin e dhënë në të shkuarën për tonet gjithnjë e më të dhunshme të politikës. "Nuk është hera e parë që e them dhe jam i detyruar ta përsëris", shtoi presidenti italian.
Kreu i shtetit fqinj ka lënë të kuptohet se dëshiron rikthimin në normalitet të përballjes mes forcave politike dhe institucioneve. "Nuk ka kuptim që njëra palë të akuzojë tjetrën për klimën që është krijuar", shprehet Napoletano. Mbi plagosjen e Berluskonit, Napoletano përdor fjalë të forta: "Është goditur dhe plagosur presidenti i Këshillit të Ministrave edhe pse do të verifikohet se bëhet fjalë për një gjest pamaturie dhe jo për një komplot".
Ndërkohë që një pjesë e analistëve mendojnë se ky sulm do ta ndihmojë Berluskonin. Ata shprehen se një faktor keqardhjeje do të ndikojë në rritjen e popullaritetit të Berluskonit dhe incidenti do të forcojë pozitën e tij. Ndërkaq, policia ka arrestuar autorin e incidentit, 42-vjeçarin Masimo Tartalia, për të cilin thuhet se vuan nga probleme mendore. Pas marrjes në pyetje gjatë mbrëmjes të së dielës, personi u dërgua në burgun San Vitore të Milanos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›