E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisin fluturime të pjesëshme

Hiri vullkanik ka bllokuar një pjesë të hapësirës ajrore evropiane
Disa kompani ajrore në Evropën Veriore kanë rifilluar fluturimet pasi autoritetet zbutën kufizimet mbi trafikun ajror.

Pezullimi i fluturimeve u mor për shkak të resë së hirit që u krijua nga një vullkan në Islandë.

Megjithatë, grafiku i fluturimeve është ende larg atij që kryhet në kushte normale.

Aeroportet e Parisit dhe Madridit tashmë janë rihapur, por tabelat janë të mbushura me fluturime të anulluara.

Korrespondenti i BBC-së në aeroportin e Frankfurtit njoftoi se nga 100 fluturimet që ishin parashikuar të niseshin brenda disa orësh, vetëm pesë fluturime nuk ishin anulluar.

Aeroportet e Londrës vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Në buletinin e saj të fundit informativ, Agjencia e Shërbimit Kombëtar të Trafikut Ajror, që administron hapësirën ajrore të Britanisë, njoftoi se kishte prova për një re tjetër hiri në Islandë, që po lëvizte drejt jugut dhe lindjes.

Në njoftim thuhej se një pjesë e hapësirës ajrore britanike do të rihapej për trafikun ajror, ndonëse jo për aeroportet kryesore të Londrës.

Rrezik nga një vullkan 'më i madh'

Shkencëtarët që po studiojnë vullkanin në Islandë, thonë se shpërthimi vullkanik ka hyrë në një fazë të re, duke prodhuar më shumë llavë sesa pluhur dhe hi.

Ata thonë se ky vullkan është shumë aktiv dhe mund të shkaktojë shpërthimin e një vullkani tjetër pranë tij.

Këtë paralajmërim e përcolli edhe Presidenti i Islandës, Olafur Grimsson, duke iu referuar vullkanit Katla që rrezikon të shpërthejë.

" Ajo që kemi parë deri tani, në fakt, është një provë e vogël e asaj që mund të ndodhë. Unë nuk shtroj pyetjen se a do të shpërthejë Katla, por kur do të shpërthejë. Prandaj mendoj se është koha që qeveritë evropiane dhe autoritetet e transportit ajror kudo në botë të fillojnë të bëjnë plane për t'i paraprirë shpërthimit të mundshëm të vullkanit Katla," tha presidenti i Islandës, Olafur Grimsson.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›