E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisin fluturime të pjesshme

Disa kompani ajrore në Europën Veriore kanë rifilluar fluturimet, pasi autoritetet zbutën kufizimet mbi trafikun ajror.

Pezullimi i fluturimeve u bë për shkak të resë së hirit, që u krijua pas shpërthimit të një vullkani në Islandë.

Megjithatë, trafiku i fluturimeve është ende larg atij që kryhet në kushte normale.
Aeroportet e Parisit dhe Madridit tashmë janë rihapur, por tabelat janë të mbushura me fluturime të anuluara.

Zyrtarët në aeroportin e Frankfurtit njoftuan se nga 100 fluturimet e paraparë në orët e para të ditës së sotme, vetëm pesë prej tyre janë anuluar.

Në anën tjetër, aeroportet e Londrës vazhdojnë të mbahen të mbyllura.

Në buletinin e saj të fundit informativ, Agjencia e Shërbimit Kombëtar të Trafikut Ajror, që administron hapësirën ajrore të Britanisë, njoftoi se kishte prova për një re tjetër hiri në Islandë, që po lëvizte drejt jugut dhe lindjes.

Në njoftim thuhej se një pjesë e hapësirës ajrore britanike do të rihapej për trafikun ajror, ndonëse jo për aeroportet kryesore të Londrës.

http://www.zamg.ac.at/pict/aktuell/ICELAND-FC-TotalColumn-Depo-upd5_loop.gif

Shkencëtarët që po studiojnë vullkanin në Islandë, thonë se shpërthimi vullkanik ka hyrë në një fazë të re, duke prodhuar më shumë llavë sesa pluhur dhe hi.

Ata thonë se ky vullkan është shumë aktiv dhe mund të shkaktojë shpërthimin e një vullkani tjetër pranë tij.

Këtë paralajmërim e përcolli edhe Presidenti i Islandës, Olafur Grimsson, duke iu referuar vullkanit Katla që rrezikon të shpërthejë.

"Ajo që kemi parë deri tani, në fakt, është një provë e vogël e asaj që mund të ndodhë. Unë nuk shtroj pyetjen se a do të shpërthejë Katla, por kur do të shpërthejë. Prandaj mendoj se është koha që qeveritë evropiane dhe autoritetet e transportit ajror kudo në botë të fillojnë të bëjnë plane për t'i paraprirë shpërthimit të mundshëm të vullkanit Katla", tha presidenti i Islandës, Olafur Grimsson.

Edhe përkundër lehtësimit për rinisjen e pjesërishme të fluturimeve në hapësirën ajrore të Europës, Polonia, e cila rihapi të hënën katër aeroporte, u detyruan t’i mbyll ato sërish gjatë ditës së djeshme, duke theksuar se reja e hirit mund të rrezikojë sërish aeroplanët.

Hungaria mbylli një pjesë të hapësirës së vet ajrore në perëndim, nën lartësinë prej 6 mijë metra, ndërsa Irlanda njoftoi se shpërthimi i sërishëm i vullkanit që ndodhi të hënën dhe kushtet aktuale atmosferike, detyruan autoritetet e këtij vendi që të mbajnë edhe më tutje të mbyllur hapësirën e vet ajrore.

Në takimin që zhvilluan të hënën, Ministrat e Transportit të shteteve anëtare të BE-së, arritën pajtimin që hapësira ajrore të mbetet e mbyllur vetëm atje ku kalohet një përqendrim i caktuar i hirit.

Për Gjermaninë, zyra për sigurinë e fluturimeve e zgjati në fakt ndalim-fluturimin e përgjithshëm deri në orën 20:00, por ajo lejoi fluturime deri në një lartësi prej 3.000 metrash.

Lufthansa mori një leje për nisjen e 50 avionëve të distancës së gjatë, të cilët do të kthejnë në Gjermani 15.000 udhëtarë nga Azia, Afrika dhe Amerika Veriore.

Edhe Air Berlin dhe TUI i rifilluan fluturimet për kthimin e udhëtarëve të tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›