E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisja e betejes se humbur Nga Plator Nesturi

Vendimi i fundit i grupit parlamentar socialist per mos votuar ligjet ne Kuvend, i ngjante se tepermi shprehjes se “mund te kish vajtur me mire, por mund te kish shkuar me per keq”. Vendimi mund te ish me i keq per faktin se grupi mund te vendoste qe te bojkotohej edhe nje here salla e ligjberesve, ashtu ndodhi per gjashte muaj rresht deri ne janar te ketij viti. Dhe ne fakt nuk munguan anetare te tij qe te kerkonin pikerisht braktisjen e krahut te majte te parlamentit, cka u refuzua nga pjesa tjeter. Por mund te kish vajtur edhe per me mire gjykimi i socialisteve ne salle, qe do te nenkuptonte pjesemarrjen aktive te opozites jo thjesht ne miratimin e ligjeve qe sherbejne per reformat e kushtezuara nga procesi i integrimit ne BE, por dhe hapja e debateve per problemet e zhvillimit ekonomik e shoqeror te vendit si dhe nxitja e interpelancave me anetare te qeverise si nje forme llogaridhenie ndaj punes se mazhorances. Nisur nga ky koncept, vendimi i marre ishte dicka ne mes, dicka as mish e as peshk, ku as bojkotohet Parlamenti por as perfillet ai per misionin qe ka, miratimin e ligjeve. Gjithsesi nje gje mbetet e qarte, qe grupi parlamentar socialist vendosi ta mbaje ende te gjalle ngercin politik njevjecar, me deshiren per ta rindezur mundesisht me ashper ne nje kohe te dyte.
Pavaresisht debateve qe pati midis deputeteve socialiste se cfare rruge duhej ndjekur pas deshtimit te arritjes se nje marreveshjeje me ndermjetesimin nderkombetar per ceshtjen e transparences se zgjedhjeve te 28 qershorit te shkuar, dukej se strategjia qe do ndiqej ishte percaktuar qe me pare nga kryetari Rama. Si per analogji, kreu socialist deklaroi nga Nju Jorku dy jave me pare, se PS nuk do te merrte pjese ne zgjedhjet vendore nese nuk arrihej hapja e kutive, qendrim i cili sidoqofte u korrigjua qe te nesermen nga selia roze. E njejta skeme e mbajtjes ndezur te tensionit politik perdoret ne rastin konkret edhe per grupin parlamentar, i cili vertet nuk bojkoton, por e le hapur deren e Kuvendit per te dale me vrap prej andej sapo kryetarja Topalli t’i bjere canges se numerimit te votave.
Natyrisht, nje vendim ku 46% e parlamentit refuzon te beje punen e tij funksionale, do te sjelle hyrjen ne nje faze te re te ciklit te krizes politike ne vend, dhe aspak menjanimin e saj. Por nese ky eshte vendimi i krereve socialiste, mbetet per tu pare se si mund te ndikoje hapja e kesaj beteje te re ne vete mbarevajtjen e PS, ne marredheniet me simpatizantet dhe elektoratin si dhe me vete rezultatin e zgjedhjeve te pritshme lokale. Pas nje viti tensioni politik ku selia roze ish perqendruar vec ne frontin e hapjes se kutive te votimit, duhet thene se si beteje rezultoi nje deshtim, madje personal i zotit Rama, perderisa as kutite nuk u hapen, as marreveshje nuk u arrit dhe as nderkombetaret nuk e perkrahen, pasi megjithe verejtjet ndaj qeverisjes se kryeministrit Berisha, miratuan nje Rezolute me nota pozitive ne te cilen i hapej rruge edhe liberalizimit te vizave per qytetaret. Pas deshtimit te kesaj strategjie ishte e udhes qe PS te bente nje pauze per te marre fryme e te mbledhe veten, te bente nje analize te deshtimit e te shkaktareve dhe me pas te ndertonte nje strategji te re te opozitarizmit te saj. Te gjitha keto etapa u dogjen dhe PS po i hyn nje beteje te re me te njejten logjike te coroditur si me pare dhe me te njejtet komandante.
“Shpaten e nxjerre pasi e fut ne mill, mos guxo ta nxjerresh per te dyten here”, thote nje shprehje popullore. Keshtu po ndodh edhe me nismen e inicuar nga Rama, kur pas nje fushate bojkoti dhe protestash prej te cilave u terhoq ne kembim te nje marreveshjeje te padhene, tenton serish te ndjeke te njejten rruge. Por me sa entuziazem mund te pritet kjo nisme nga vete strukturat e PS, te cilat dikur harxhuan aq shume energji te shkuara dem per hir te besimit tek ky kryetar? Si do reagojne dhe a do e ndjekin ne kete rruge simpatizantet dhe elektorati i majte qe mbushen rruget e protestave dhe pane qe ato sherbyen thjesht si nje shfaqje dhe garniture e menyse ne restorant “Crocodile”? E njejta gje nuk behet dy here radhazi, dhe ky koncept eshte me se tepermi i zbatueshem tek forcat politike, te cilat nuk e lejojne veten te shkojne pas inercise, por krijojne debat, ngrene grupe pune dhe ndertojne strategji ne funksion dhe interes te grupit e jo te nje individi. Shprehja e degjuar ne korridoret e selise roze se “tashme nuk kemi cfare te humbim dhe kjo eshte beteje per jete a vdekje”, eshte shprehje pikerisht e krizes qe ekziston ne lidership, ne mungesen e vizionit dhe mosorientimit per te gjetur rruge te tjera funksionale. Pasi per “jete a vdekje” mund te jete fati politik i nje lideri te caktuar apo edhe te grupit qe e rrethon, por jo edhe e vete Partise Socialiste. Fshehja e fatit personal pas atij te partise qe drejton, pervecse burracakeri, eshte edhe nje krim politik e tradhti ndaj interesave te fatit te gjithe bashkesise se socialisteve qe edhe nese kane humbur disa beteja me kete komandant te radhes, mund te fitojne po aq te tjera me te tjere drejtues me te pergjegjshem. Vecse ekziston rreziku se nese vazhdon gjate kjo aventure e palogjikshme, nuk eshte cudi qe ne betejen e ardhshme numri i bashkesise socialiste te jete pergjysmuar. Kete fat kane patur jo pak parti socialiste ne Evrope…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›