Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, Cooper në Prishtinë
Ndërmjetësuesi i BE në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, pas vizitës në Beograd, të enjten pritet të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takojë shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri. Cooper gjatë qëndrimit në Beograd, ka mirëpritur “gatishmërinë” e palës serbe që me bisedimet e nivelit të lartë, të zgjidhen problemet në Kosovë.
Ai është takuar të mërkurën në Beograd me Marko Djuric, këshilltar i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic. Në deklaratën që ka lëshuar Presidenca serbe pas këtij takimi, thuhet se bisedimet e deritashme janë element i rëndësishëm për arritjen e konsensuseve ndërmjet faktorëve politikë në Serbi.
“Ky është njëri nga synimet e presidentit të Republikës dhe parakusht thelbësor për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, është thënë në deklaratë.
Më herët gjatë ditës, shefi i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic, ka thënë se dialogu teknik me Prishtinën ka dhënë rezultate konkrete, porse tash në radhë sipas tij, janë çështjet politike, si veriu i Kosovës, mbrojtja e serbëve në jug të Lumit Ibër, statusi i manastireve dhe kishave serbe dhe pronat. Ai ka thënë se këto bisedime do të udhëhiqen me siguri nga presidenti apo kryeministri i ardhshëm i Serbisë.
Ndryshe, pas Beogradit, Cooper do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takojë shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojnë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë. Por, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë bisedimet, nëse Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel.