Femra në gjurmët e kriminelëve të luftës

Fatou Bensouda i pret të gjithë e buzëqeshur. Të bën përshtypje teksa e shikon të veshur me një fustan të kuq dhe një varëse ngjyra-ngjyra, në një vend ku shqyrtohen me imtësi kodet dhe traktatet ndërkombëtare.
Gjithsesi kjo nuk do të thotë se ajo ka harruar zakonin e buzëqeshjes dhe shakave me të gjithë njerëzit me të cilët punon. Bensouda ka lindur në Gambia, ka studiuar në Nigeri, është specializuar në Maltë dhe që prej 16 qershorit është Kryeprokurorja e re e Tribunalit të Hagës, ku gjykohen gjenocidet dhe krimet e luftës.
Krijimi i gjykatës në vitin 2002 nxiti pritshmëri të mëdha: më në fund, edhe më të fuqishmit duhet të paguanin për krimet e tyre. Dhjetë vjet më vonë, bilanci është vetëm një i dënuar, Zoti i luftës në Kongo, Thomas Lubanga. Ka nga ata që thonë se nuk ia vlen, por Bensouda nuk është dakord. Kjo gjykatë është e domosdoshme në parandalimin e krimeve kundër njerëzimit, veçanërisht në Afrikë.
“Gjykata ka pushtet dhe ndikim në të gjithë globin. Vetëm në vitin 2010, në Nepal, 3 mijë fëmijë-ushtarë mundën të riktheheshin në shtëpi, edhe për shkak të frikës së një ndërhyrjeje të Gjykatës”, thotë Bensouda.
Hetuesit e Hagës, në të vërtetë, deri më tani, janë marrë vetëm me Afrikën, duke hetuar nga Kenia në Libi, nga Sudani në Ugandë.
“Shkojmë aty ku na kërkojnë. Pa paragjykime politike apo gjeografike”, tregon ajo. Megjithatë janë të shumtë ata të akuzuar që flasin për drejtësi të njëanshme, duke pretenduar se kjo gjykatë është “në shërbim të njerëzve të bardhë perëndimorë”.
Kryeprokurorja e re merr frymë thellë, rregullon fustanin dhe duket që nuk është aspak dakord me këtë mendim. Efektivisht nuk ka nevojë të përgjigjet me fjalë: është grua, me ngjyrë, afrikane dhe myslimane. Emërimi i saj la pa fjalë shumë prej kritikëve mbi rolin dhe funksionin e gjykatës. Për momentin
Fatou Bensouda nuk e di se cili mund të jetë personi i radhës që mund të përfundojë nën hetim. Deri më tani, si zëvendës-kryeprokurore ka kontribuar për fajësimin e Presidentit të Sudanit, Omar Al-Bashir, famëkeqin Joseph Kony (Ugandë), dhe kongolezin Lubanga, fajtor për përfshirjen në ushtri të qindra fëmijëve të moshës 8-10 vjeç.
“Është gjëja për të cilën ndihem më shumë krenare”, thotë duke mbyllur sytë. “Nuk ishte e lehtë të arrije të bindje këta fëmijë të tregonin dramat e tyre përpara njeriut që hiqej sikur ishte lideri i tyre”.
Për disa detyra të caktuara duhet profesionalizëm dhe përvojë. Por ka shumë gjasa se fakti i të qenët nënë mund ta ketë ndihmuar shumë.
“Ndoshta. Fëmijët-ushtarë janë tradhtuar në shumë mënyra, kështu që nuk është e lehtë të rifitosh besimin e tyre”. Por ishte pikërisht dëshmia e tyre që çoi në dënimin e parë të dhënë nga gjykata: “Na akuzuan se humbëm kohë me një krim kaq të vogël, po çfarë mund të jetë më keq se sa të mësosh të vrasësh dhe të përdhunosh një fëmijë 10 vjeç?”. Pas fëmijëve, Fatou Bensouda, diti të bëjë për vete edhe 121 shtetet mbështetëse të gjykatës, që e zgjodhën atë për të pasuar argjentinasin, Luis Moreno Ocampo. Mes liderëve afrikanë ka nga ata, që shpresojnë për një fillim të ri: “Do të vazhdoj të godas lidhjet mes pushtetit dhe pandëshkueshmërisë. Kush ankohet për politikanët e shumtë afrikanë të akuzuar për krime kundër njerëzimit, harron se afrikanë janë para së gjithash viktimat e tyre”.
Kjo grua është shenja e një bote që ecën me shpejtësi dhe që ndryshon. Shumëkush mund të mendojë se sa e vështirë është të vish nga Gambia, e të marrësh detyrën e Kryeprokurores së Hagës. Por në jetë, asgjë nuk është e paarritshme dhe për këtë duhet të punosh shumë, pavarësisht se nga vjen.
“Kam kaluar një fëmijëri të mrekullueshme në një familje poligame. Babi im i trajtonte të gjithë në mënyrë të barabartë, edhe pse kjo gjë nuk ishte e lehtë, për vetë ambientin ku jetonim”, tregon duke buzëqeshur. “Kështu nisi të kultivohej tek unë dëshira për të ecur sa më lart. Mamaja ime nuk fliste anglisht, po i njihte notat e profesorëve. Kërkonte gjithmonë që të merrja maksimumin”.
Shumë punë, kontroll dhe talent. Është subjekti i shumë historive afrikane të suksesshme të këtyre viteve të fundit: kush nuk është pjesë e elitës, për të ecur përpara duhet të bëjë një punë të jashtëzakonshme që në fillim dhe pa gabime. Kur e pyet se cila ishte “kthesa” që e bëri atë një “yll” të së drejtës ndërkombëtare, Fatou Bensouda thotë duke buzëqeshur: “Nuk di ç’të them, gjithmonë kam qenë më e mira, në lice, në universitet, sport”. Si volejbolliste, u bë kapitene e skuadrës kombëtare, si juriste Kryeprokurore e Gjykatës së Hagës. Pas studimit të shkencave juridike në Nigeri, Fatou Bensouda e filloi karrierën në vitin 1987, si prokurore në Gambia.
Më pas ajo u bë Kryeprokurore në vendin e saj. Në Malta, ajo mbrojti disertacionin për të drejtën ndërkombëtare detare, duke qenë ekspertja e parë ndërkombëtare në këtë fushë. Para se të angazhohej me punë në Gjykatën e Hagës, ajo ishte drejtore e Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Tanzani. Aty ajo ka ndihmuar në zbardhjen e mizorive dhe gjenocidit të kryer atje. Kur e pyet nëse është një model për t’u marrë shembull nga femrat afrikane, nis të qeshë dhe na fton të flasim me një asistente, nga Gaboni, që ndodhet në Hagë për një stazh pune: “Sigurisht që e adhuroj, jam këtu për të”. E çfarë të ka mësuar? “Që gjithçka është e mundur”.