E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinovimi i kombetares Kuzhe Skam kohe per eksperimente

Për të parë një kombëtare të rinovuar, duhet pritur ende, pasi trajneri i skuadrës kuqezi Josip Kuzhe do t’i besojë futbollistëve aktualë të paktën deri në fund të këtyre eliminatoreve. Duke folur në prag të miqësores kundër Malit të Zi, tekniku kroat shprehet se afrimi i lojtarëve të rinj në përfaqësuese është një proces i gjatë, ndërsa periudha kohore nga miqësorja e së mërkurës deri në përballjet zyrtare me Francën dhe Luksemburgun nuk i lejon të bëjë eksperimente.

“Rinovimi i skuadrës është një proces që kërkon kohë, ndërsa përvec Malit të Zi do të luajmë me Francën dhe Luksemburgut në eliminatore. Nuk mund të bëjmë eksperimente, por mendoj se rinovimi i kombëtares do të nisë në fund të këtyre eliminatoreve, sigurisht duke parë edhe rezultatet në ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, tani mendojmë për Malin e Zi, një sfidë e fortë, por shumë e rëndësishme për të përgatitur përballjet e ardhshme”-tha Kuzhe.  
 
Përtej rinovimit që duket larg, futbollistët kuqezinj janë të fokusuar te miqësorja me Malin e Zi. Altin Lala dhe Lorik Cana vlerësojnë rivalët, por në të njëjtën kohë janë optimist për një rezultat pozitiv.

 “Është një ndeshje ku të testojmë skuadrën. Natyrisht ne duam të fitojmë gjithmonë. Në futboll, çdo lojtar ka dëshirë që të fitojë lojën”-tha Altin Lala, kapiten i Kombëtares.

“Kjo skuadër për momentin është më lart se ne. Kemi arritur ta mundim. Nesër do të luajmë për fitore. Është gjithmonë kënaqësi të luajmë në Shkodër. Do të kemi mbështetës dhe duam të prezantojmë një lojë të mirë”-thotë Lorik Cana, mbrojtës i kombëtares.

Në prag të miqësores me Malin e Zi, trajneri Kuzhe ka zbradhur formacionin me dy sulmues nga minuta e parë. Dyshimi i vetëm i përket krahut të djathtë të mesfushës, ku Bakaj dhe Muzaka janë në balotazh për një vend si titular.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›