Rinumërimi i votave në Fier zbulon gabime, Zegjine Çaushi humbet mandatin për 10 vota

Ka përfunduar sot në orën 15:30 rinumërimi i votave për qarkun e Fierit, një proces që zbuloi gabime të shumta në shifra, veçanërisht te votat e kandidatëve.
Devijimet nga numërimi fillestar sollën ndryshime të rëndësishme në disa raste.
Gara e fortë në PS, Zegjine Çaushi humbet mandatin për 10 vota
Një nga rastet më domethënëse është ai i garës brenda Partisë Socialiste, ku Zegjine Çaushi ka humbur mandatin për vetëm 10 vota ndaj rivales së saj, Maldrita Bardho. Rinumërimi i hoqi Çaushit 48 vota të pamerituara, ndërsa Bardhos iu shtuan 26 vota. Kjo përmbysi diferencën prej 64 votash në favor të Çaushit sipas numërimit të mëparshëm.
Braho: Rinumërimi ia vlejti! Masa që tjetërsime të tilla të mos ndodhin më
Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho, ndërsa vlerësoi transparencën që solli procesi, paralajmëroi masa për numëruesit përgjegjës për lëvizjet masive të votave në qarkun e Fierit.
“Besoj se do të merren masat e duhura që tjetërsime të tilla votash, me qindra vota, të mos ndodhin në zgjedhje të tjera. Si rokada që ndodhi brenda Partisë Socialiste, por edhe shifrat që u prodhuan aty ku nuk pati rokadë i shërbejnë transparencës, demokracisë dhe pasqyrimit të vullnetit të qartë të zgjedhësit. Për sa kohë arritëm të bëjmë transparencë qoftë edhe nëpërmjet ndryshimit të vetëm një mandati, unë besoj se ky proces ia vlejti,” deklaroi Braho.
Lëvizjet e votave për partitë politike
Edhe pse lëvizjet më të mëdha u vunë re te kandidatët, pati ndryshime edhe për partitë politike. Partia Demokratike humbi 147 vota, të cilat u konfirmuan si të pamerituara. Nga ana tjetër, Partisë Socialiste iu shtuan 30 vota, të cilat i ishin hequr në numërimin fillestar.
Nisma “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt nuk pati mundësi t’i marrë mandatin PS-së, pasi rinumërimi nuk i dha asnjë përparësi. Koalicionit të Lapajt i janë hequr 8 vota, ndërkohë që kandidatit Azmer Duleviç i duheshin 519 vota për të futur në Kuvend.
Partitë e tjera regjistruan humbje të vogla: Lëvizjes Bashkë iu zbritën 12 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim iu zbritën 3 vota, ndërsa PSD-së së Tom Doshit iu shtuan 8 vota, të cilat i ishin hequr gabimisht më 11 maj.
Kandidatët me humbjet dhe fitimet më të mëdha
Lëvizja më e madhe e votave u bë te kandidatët. Te socialistët, Ceno Klosi rezultoi me numrin më të lartë të votave të pamerituara, me 830 të tilla të zbritura nga rezultati fillestar. Ndërsa kandidatit tjetër, Klevis Jahaj, iu shtuan 498 vota, të cilat i ishin hequr në numërimin e parë.
Në Partinë Demokratike, edhe pse katër deputetët e dalë janë nga lista e mbyllur, janë evidentuar humbje të konsiderueshme. Silva Hasaj është kandidatja me më shumë vota të pamerituara, plot 671, e ndjekur nga Gentian Çela me 192 vota.
Ky rinumërim thekson rëndësinë e saktësisë në procesin e numërimit të votave dhe ndikimin që gabimet mund të kenë në rezultatet përfundimtare dhe ndarjen e mandateve.
/rtsh.al/