Rinumërimi nxjerr sërish fitues Mustafën

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) ka përfunduar rinumërimi i votave të rregullta të balotazhit për komunën e Gjilanit.
Sipas informatave që ka siguruar Express në këtë qendër, rinumërimi nuk ka konstatuar ndonjë shkelje që do të mund ta dërgonte Gjilanin në rivotim.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Qemajl Mustafa, prin për rreth 900 vota para Fatmir Rexhepit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kanë mbetur të numërohen edhe rreth 350 vota të hedhura me kusht, por të cilat nuk mund të ndryshojnë fituesin.
Sidoqoftë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili është mbledhur pasdite, ai që do të vendosë nëse kjo komunë do të shkojë në rivotim më 31 janar, bashkë me Prizrenin e Lipjanin.
Sami Hoxha, koordinator i vëzhguesve të PDK-së, ka bërë të ditur për Express se tashmë ka përfunduar rinumërimi i votave. “Nga rinumërimi nuk është vërtetuar asnjë shkelje që mund ta dërgojë Gjilanin në rivotim, sikur ka pretenduar Fatmir Rexhepi i LDK-së”, ka thënë Hoxha.
Më 13 dhjetor, Qemajl Mustafa i PDK-së kishte marrë 17 mijë e 854 vota, ose 51.4 për qind, kurse Rexhepi 16 mijë e 889, ose 48.6 për qind.
Pas rinumërimit, Mustafa i ka 17 mijë e 625 vota, ose 51.3 për qind, kurse Rexhepi 16 mijë e 725 vota, ose 48.7 për qind.
Nga këto të dhëna, del se kryetari aktual i Gjilanit prin për 900 vota.
Në këto rezultate mungojnë dy vendvotime, njëri në fshatin Pasjan dhe tjetri në shkollën “Selami Hallaçi”. Për shkak të parregullsive të vërejtura, këto dy pika nuk janë numëruar. Për to, do të vendoset pas hetimit.
Gjithashtu pas hetimit, do të numërohen edhe rreth 350 vota me kusht, por të cilat nuk do të ndikojnë në mënyrë thelbësore në rezultat.
Vëzhguesit e LDK-së kanë qenë të pranishëm në procesin e hetimit dhe rinumërimit, por nuk kanë dashur të prononcohen për gazetarë.