E Shtunë, 31 Tetor 2026

N’grevë për ligjin

Javën tjetër, të premten, Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të hyjnë në grevë urie para Qeverisë së Kosovës.

Në rast se deri më 15 janar nuk zbatohet në tërësi Ligji për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Këshilli për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UCK ka vendosur që të ngre tendat para Qeverisë së Kosovës dhe të nisë grevën e urisë, deri në zbatimin e ligjit, i cili parasheh disa beneficione për këtë kategori.

Greva e urisë, sipas Xhevdet Qeriqit, kryetar i KMDL të UÇK, është e pashmangshme.

“Jemi duke pritur që 10 vjet. Në rast se nuk ka ndonjë lëvizje në zbatimin e ligjit, do të hyjmë në grevë urie”, thotë Qeriqi.

Veteranët e UÇK-së kanë hyrë në grevë urie edhe para shtatë muajsh, duke kërkuar benefecionet që i takojnë me ligj.

Madje njëri nga anëtarët kishte hedhur edhe koktej molotovi në oborrin e Qeverisë.

Ligji për veteranët e UÇK-së ishte modifikuar dy apo tri herë. Kryetari i KMDL të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, nuk e di nëse ligji është ende në Qeverinë e Kosovës, apo është proceduar në Kuvendin e Kosovës.

Në ligj parashihet që veteranët të jenë të liruar nga dogana, në rastet kur ata dëshirojnë të zhdoganojnë ndonjë veturë për vete.

Përveç doganës, ligji parasheh që veteranët e UÇK të kenë disa të drejta edhe në shëndetësi.

Moszbatimi i ligjit i ka kushtuar personalisht shumë kryetarit të KMDL të UÇK. Ai nuk ka mundësi të shërohet në Kosovë.

“Unë kam nevojë për një protezë, e cila nuk mund të kryhet në Kosovë. Sikur të ishte ligji, këtë do ta kryeja në një shtet tjetër”, thotë ai.

Veteranët, në muajin korrik të vitit të kaluar, kishin ndërprerë grevën pasi një telefonate që kishin pasur me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili në atë kohë gjendej në Slloveni, në një vizitë zyrtare.

“Ne e kemi ndërprerë grevën se na patën premtuar se do të zbatohet Ligji për veteranët. Duhet të qartësohet se kur ligji do të zbatohet për ish-luftëtarët; sot, sot gjashtë muaj, sot dy vjet, le të dihet se kur mund të zbatohet”, thotë Qeriqi.

Këta veteranë dhe invalidë të luftës, nga institucionet e vendit kërkojnë të drejtat që konsiderojnë se u takojnë, duke filluar nga lirimi i pagesës së rrymës e deri te zbatimi në tërësi të Ligjit për veteranët.

Greva e urisë që pritet të filloi në rast të moszbatimit të ligjit thuhet se bëhet për të mbrojtur gjakun e dëshmorëve, gjymtyrët e trupit të invalidëve dhe djersën e veteranëve.

Kërkesa të tjera të veteranëve, janë edhe strehimi i invalidëve, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, shërimi i invalidëve, si dhe disa kërkesa tjera si lirimi nga pagesat e rrymës, ujit e të tjera.

Greva e urisë në vitin e kaluar është përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë të Njeriut kishte kërkuar që grevistët të vizitohen nga liderët e institucioneve.

OVL E UÇK-së nuk i ka përkrahur grevistët me arsyetimin se forma e shprehjes së pakënaqësisë nuk ka qenë e mirë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›