Presidencën e Obamës do ta karakterizojë terrorizmi

Eksperti amerikan, Bruce Hoffman, në intervistën dhënë revistës gjermane, Der Spiegel, theksoi se presidenti amerikan, Barack Obama, tani do të përballet me rrezikun terrorist, i cili i kanoset SHBA-së. Sipas tij, ky kërcënim tani është më i madh, se sa në vitet e George Bushit.
*A ka zhbërë sulmi i dështuar terrorist në Detroit të gjitha përparimet e arritura në luftën kundër terrorizmit?
Hoffman: Ne aktualisht jemi duke përjetuar një kthesë. Vitin e kaluar, në SHBA kemi pasur dhjetëra sulme terroriste, nga një në muaj. Këtë nuk e kemi përjetuar kurrë. Disa prej tyre janë organizuar drejtpërsëdrejti nga Al Qaida, si sulmi i dështuar në ditën e Kërshëndellave. Në rastet e tjera kishim të bënim me individë, të cilët janë inspiruar nga ideologjia e këtij rrjeti, siç ishte vrasja masive nga ana e Nidal Hasanit, në bazën Fort Hood, në nëntor të vitit të kaluar.
*Por duket se po merr hov edhe terrorizmi vendas.
Hoffman: Shtetasit amerikanë veprojnë si agjentë të ”fjetur”, për t’u aktivizuar në një moment të caktuar - siç dëshmon rasti i shtetasit amerikan, të lindur në Afganistan, i cili u trajnua nga Al Qaida në Pakistan, për të ndërmarrë sulme vetëvrasëse në Manhattan. Përveç kësaj kemi individë, të cilët veprojnë në mënyrë të pavarur - siç është rasti i grupit të radikalëve, të cilët u arrestuan në maj. Anëtarët e këtij grupi kishin synuar të sulmojnë dy sinagoga në Bronx dhe të rrëzojnë aeroplanët mbi New York.
*Pra kërcënimet terroriste tani janë më të shumëllojshme.
Hoffman: E saktë. Tani po shohim një aleancë të rrezikshme mes rekrutëve të motivuar, terroristëve të Al Qaidës me përvojë dhe individëve të padukshëm, të cilët në një moment vendosin të godasin, si në rastin e Hasanit. Më brengos fakti se sulmet tani vijnë nga disa drejtime. Kjo shton trysninë ndaj shërbimeve tona të sigurisë. Ato edhe ashtu janë tejet të ngarkuara.
*Por a nuk do të thotë kjo se Al Qaida është dobësuar? Në vend të sulmeve të mëdha spektakulare, ku rrjet tani duhet të mbështetët në sulme të vogla dhe individë.
Hoffman: Përkundrazi. Po të ishte dobësuar ky rrjet, nuk do të ishte në gjendje të organizonte skenarë të ndryshëm të kërcënimeve. Më shumë besoj se bëhet fjalë për një strategji të re të Al Qaidës. Ky rrjet dëshiron një numër sa më të madh të sulmuesve individualë, për të tërhequr vëmendjen e shërbimeve të sigurisë, me qëllim që të përgatisë në qetësi sulme më të mëdha. Atentati në Detroit dëshmon se këto sulme po planifikohen.
*Në krahasim me sulmet e 11 shtatorit 2001, ishte ky megjithatë një atentat relativisht i vogël.
Hoffman: 11 shtatori 2001 do të mbetet rast unik në histori. Por sulmuesi në Detroit me një goditje ka mundur të vrasë 300 njerëz. Vetëm kujtoni se çfarë tërmete kanë shkaktuar sulmet terroriste, me numër më të vogël të viktimave, siç ishin sulmet në Madrid, në vitin 2004. Apo sulmet në Londër një vit më vonë.
*Çfarë duhet bërë tani?
Hoffman: Duhet ta marrim seriozisht kërcënimin terrorist. Duhet të përceptojmë në mënyrë më të saktë rreziqet.
*A nënkupton kjo edhe kontrollin më të ashpër të udhëtarëve nga disa shtete të caktuara? Autoritetet në SHBA deri me tani kanë qenë të përmbajtura në këtë fushë.
Hoffman: Nuk mund të trajtojmë të gjithë njerëzit njëjtë, por duhet të gjejmë personat, të cilët paraqesin rrezik të vërtetë. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha detajet dhe karakteristikat, të cilat na ndihmojnë në vlerësimin e rrezikut. Për ta arritur këtë, duhet të shfrytëzojmë të gjitha teknologjitë që kemi në dispozicion.
*Presidenti Barack Obama ka theksuar se nuk do të toleroj dështimet e shërbimeve të fshehta. A do të shkarkojë ai përgjegjësit nëpër ministri dhe në radhët e shërbimeve të fshehta?
Hoffman: As pas sulmeve të 11 shtatorit nuk është shkarkuar askush. Me rëndësi është që të zbulohen gabimet në sistem. Merrni si shembull qendrën për anti-terrorizëm, e cila sa po është formuar. Të gjithë e konsideruan këtë qendër si sukses-por tani po dëshmohet se kjo qendër nuk ka analizuar si duhet vërejtjet, për rrezikun që paraqet terroristi nga Nigeria. Duhet të zhvillohen hetime se pse ndodhi kjo.
*A do ta ndryshojë kjo stilin e qeverisjes së Obamës? Ai premtoi një shkëputje nga “lufta kundër terrorizmit” e George Bushit. Por në fjalimin e tij të mbajtur gjatë javës, ai theksoi se nuk do të bëjë kompromis në luftën kundër terrorizmit.
Hoffman: Po, stili do të ndryshojë, më së voni pas sulmit vetëvrasës në Afganistan, si pasojë e të cilit u vranë shtatë agjentë të CIA-s. Lufta kundër terrorizmit do ta karakterizojë presidencën e Obamës.