Rinumërimi po ecën ngadalë

Do të duhen edhe pesë ditë të tjera për të përfunduar rinumërimin e votave nga 40 për qind e vendvotimeve, një vendim ky që pasoi shqetësimet e ngritura për parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Bashkërenduesi i Qendrës për numërimin e votave Burim Ahmetaj, tha se rinumërimi i votave nga rreth 760 vendvotime kërkon më shumë kohë nga sa ishte parashikuar fillimisht.
“158 vendvotime janë rinumëruar dhe kanë ardhur në auditim, nga këto 106 formularë dhe pjesa më e madhe e tyre është brenda nivelit të tolerancës dhe mund të procedohen si të rregullta”, tha Ahmetaj.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha sot se rinumërimi i votave mund të çojë në përsëritje votimesh edhe në komuna të tjera, por kjo mund të dihet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi.
“Kur ta kemi përfundimisht rezultatin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve lidhur me kutitë të cilat do të rinumërohen, ne do ta dimë edhe nivelin e parregullsive edhe nivelin e asaj se sa kuti kanë qenë në përputhje, ka pasur edhe gabime teknike të cilat pastaj janë evituar dhe janë futur në rezultat përfundimtar“, tha Daka.
Më 9 janar të vitit që po vjen, do të ketë rivotime të plota e të pjesshme në pesë komuna të Kosovës për shkak të parregullsive të shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit. /voa/