E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtuam veten

Nga Valmir Klaiqi më 21 dhjetor 2010 në ora 08:04

Në LDK kishte luftë të brendshme. U dëmtuam nga njerëz të partisë, që brenda natës zunë ekranet televizive dhe mohuan çdo gjë që ishte krijuar nga LDK’ja për 21 vjet. Jehonë të keqe kishin edhe deklaratat e Isa Mustafës se ish-ministrat nuk do të përfshihen në Qeveri. Megjithatë, ne jemi të përgatitur për opozitë. E, ata që do të qeverisin, nuk do ta kenë të lehtë me një opozitë si ne. Lutfi Haziri, anëtar i Kryesisë së LDK’së, flet për Express.

Express: Z. Haziri si e vlerësoni rezultatin e LDK’së në zgjedhjet e 12 dhjetorit?
Haziri: Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur në situatë të jashtëzakonshme dhe për herë të parë kjo situatë e jashtëzakonshme në Kosovë është përsëritur pas vitit 2000. U kanë përngjarë zgjedhjeve të vitit 2007 për nga natyra e organizimit, për nga shpejtësia e organizimit, për nga mënyra e vendimmarrjes për caktimin e datës dhe për nga toleranca që faktori ndërkombëtar ka treguar në raport me procesin zgjedhor, duke vendosur standardin ballkanik në Kosovë, edhe pse Kosova deri në zgjedhjet e vitit 2007 ka qenë jashtë këtij standardi. Fatkeqësisht duhet ta konstatojmë se OSCE’ja, njëra nga organizatoret e zgjedhjeve deri në vitin 2007, ka qenë kredibile dhe i ka organizuar zgjedhjet në mënyrë më të mirë sesa tash. Kemi ardhur në përfundim se nuk është me rëndësi sa vota i ke, por sa kuti të votave i ke. Kjo e dëmton demokracinë.

Express: Edhe në zgjedhjet e këtij viti, LDK’ja mbeti e dyta, njëjtë sikur më 2007. Çka do të thotë ky trend për LDK’në?
Haziri: Nëse i eliminojmë tash komunën e Skenderajt, Drenasit, Deçanit dhe pjesërisht Malishevën dhe ato komuna ku rezultati zgjedhor ka shkuar në rivotim dhe 40 përqind të kutive që janë në rinumërim, atëherë rezulton që LDK’ja dhe PDK’ja janë të balancuara si forca politike. Ne me padurim po presim 9 janarin, procesin që do t’i finalizojë zgjedhjet e vitit 2010. Precedenti që ka ndodhur kësaj here me procesin e rivotimit dhe me rinumërimin e shumicës së komunave tregon qartë se demokracia në Kosovë definitivisht është lënduar nga keqbërësit e demokracisë, nga njerëzit dhe grupet autokrate që pretendojnë ta kontrollojnë vendin. Fatkeqësisht më duhet të konstatoj se këto tendenca janë brenda gjitha subjekteve politike. Me vetë faktin se ka qenë një rivalitet joparimor mes partive politike, kjo është reflektuar edhe brenda partive politike. Dhe konstatimi i votave të rrafshit të Drenicës nuk ka të bëjë vetëm me votat e LDK’së, por ka të bëjë edhe me luftimin e madh brenda kandidatëve të PDK’së për ta arritur kuotën për të qenë deputetë. Kjo të bën me dije se kanë qenë dy nivele inatesh brenda partive. E dyta që duhet ta konstatojmë është se Kosova është pre e organizimit të zgjedhjeve të shpejta për herë të dytë. Në gjendjen e passtatusit, nuk i ka bërë nder askujt të organizojë zgjedhje të shpejta, të pamonitoruara mirë, ku monitorimi është mbuluar nga diplomatë të Quintit, e jo nga një institucion ndërkombëtar apo europian. Dhe nën tre, “Demokracia në Veprim” ka qenë demokraci në dështim, sepse aktivistë të saj janë treguar militantë të partive politike, duke bartur pleq e plaka dhe duke udhëzuar njerëz që të votojnë për PDK’në. Më vjen keq prej shteteve si SHBA’ja, Zvicra e disa shtete që e kanë financuar këtë koalicion organizatash joqeveritare.

Express: Zgjedhjet e balotazhit për Kryetar të Rahovecit sërish e konfirmuan LDK’në si parti të dytë. Çfarë ndodhi atje?
Haziri: Ishte një koalicion i heshtur në Rahovec apo një votim i heshtur që kandidati i AAK’së si autoritet politik dhe njeri me të kaluar të mirë politike, zotëri Smajl Latifi, ka fituar zgjedhjet atje me ndihmën edhe të PDK’së. Është legjitime dhe nuk vendos thonjëza në këtë rrafsh, por do të konstatohet rezultati ku do të nxjerrin në shesh këto marrëveshje. LDK’ja atje është parti e parë dhe udhëheq me Kuvendin Komunal.

Express: Koalicioni i heshtur AAK-PDK në Rahovec a mendoni se do të mund të kurorëzohet edhe në qendër, pas certifikimit të rezultateve?
Haziri: Unë nuk mund të them asgjë, pos t’u besoj deklaratave të përfaqësuesve politikë të AAK’së që kanë tërhequr një vijë të kuqe në raport me qeverisjen e ardhshme dhe po presim si do të vendosin pasi KQZ’ja t’i certifikojë deputetët e legjislaturës së ardhshme.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›