Rinumërohet Kukësi, bie kërkesa e LSI

Pasi ka përfunduar rinumërimin e 15 kutive të votimit të qarkut të Kukësit, të hapura me kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesën tjetër të kësaj partie për shpalljen e pavlefshme të dy kutive.
Përfaqësuesit ligjorë të LSI pretendonin për parregullësi në votimin e Kukësit dhe në nxjerrjen e tabelave të rezultateve gjykuar nga materialet filmike. Sipas tyre, mandati i tretë në këtë qark i takonte kandidatit të kësaj force politike.
Por me vendimin më të fundit të Kolegjit Zgjedhor, mandati i mbetet koalicionit të djathtë, Aleanca për Mirëqënie, Punësim dhe Integrim, me rezultatin 3-1 kundër atij të majtë, Aleanca për Shqipërinë Evropiane, transmeton TCH.
Pas vendimit ka reaguar përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso, i cili është shprehur i kënaqur me këtë vendim të Kolegjit Zgjedhor, në Gjykatën e Apelit.
“Ishte një vendim pozitiv. Shprehem i kënaqur për atë që u vendos. U vërejt që të gjitha pretendimet e LSI-së ishin të pabaza. Na vjen mirë për këtë qëndrim konseguent që kemi mbajtur gjatë gjithë procesit”, ka deklaruar Kaso.
Ndërkohë ka reaguar edhe përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ilirian Muho, i cili ka deklaruar se kjo parti nuk do të tërhiqet nga pretendimet e saj dhe do ta vazhdojë betejën.
“Gjatë filmimeve janë vërejtur fletë votimi pa shenja dalluese. Kolegji vendosi të rinumëronte kutitë e votimit, por çuditërisht gjatë procesit të hapjes u konstatua që disa fletë votimi mungonin, që disa nuk ishin të bardha, por ishin të shënuara”, ka deklaruar Muho.
Ai është shprehur se për momentin nuk mund të përgjigjet se ku dhe si janë ndryshuar këto fletë votimi, por ka nënvizuar se ato mund të jenë ndryshuar gjatë numërimit në Kukës ose në magazinë.
“Për sa kohë materiali i vënë në dispozicion nga KQZ ndryshon, për sa kohë në momentin e hapjes së kutive të gjitha fletët janë të shënuara, atëherë dyshojmë që ka pasur diçka të parregullt. Identiteti i këtyre kutive është cënuar. Megjithatë, çështja nuk mbaron me kaq”, ka thënë Muho./Indeksonline/