Rishfaqet opozita e ultimatumeve - Islami i kthehet rolit kur kërcënonte me thyerje kafkash

Partia Socialiste lëshoi sot një afat ultimativ ndaj qeverisë dhe kryeministrit duke i lënë një javë kohë që të urdhërojë dhënien e kartave të identitetit falas deri më 28 qershor kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, i cili mbahet mend për kërcënimet me thyerje kafkash për demokratët në 1996, apo për shpërdorime votimesh në disa raunde në qarkun e Fierit, doli sot në mesditë para gazetarëve ku njoftoi kërkesën që kjo parti parashtron ndaj kryeministrit. “Disa ditë rresht me shqetësim i kemi kërkuar me të gjitha mënyrat Kryeministrit të reflektojë, për të hequr taksën e votës dhe të çlirojë zgjedhjet nga makthi i vjetër i manipulimeve. Berisha, duke bërë shurdhin po vë edhe këtë radhë zgjedhjet në rrezik. Ai përfundimisht po merr përgjegjësinë e rëndë të prishjes së tyre”, - deklaroi Islami. Sipas tij, Berisha nuk po e dëgjon zërin e votuesve të varfër, të opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. “Duke i shpërfillur ato po afron çdo ditë dështimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, - theksoi Islami.
Në emër të Edvinit ai përsëriti panikun se me kartat e identitetit, PS-ja i ka të humbura zgjedhjet, prandaj edhe kërkohet që procesi t’i futet tollovisë së faljes së tyre, duke garantuar kudo pabarazi sociale, por edhe paqartësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “PS beson se prapa këtij dështimi të zgjedhjeve lexohen qartas përpjekjet e Kryeministrit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke ndryshuar rezultatin e tyre përmes kartave të identitetit”, deklaroi sot “kafkëthyesi” Kastriot Islami
...