E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishikim për taksën progresiste dhe zerimin e taksës doganore

07/05/2011  Projektligjet

Dy projektligjet e përgatitura nga qeveria njëra për taksën progresiste dhe tjetra për zerimin e taksës doganore për konfeksionistët duket se nuk do të zbatohen në formën e paraqitur për konsultim në Këshillin Konsultativ të Biznesit. Ministria e Ekonomisë ka njoftuar zyrtarisht se drafti që rriste barrën për një pjesë të biznesit me norma të larta fitimi është tërhequr për rishikim, pasi pati kundërshti të forta nga sipërmarrësit dhe hapi një debat të fortë publik mes ekspertësh kundër ndryshimit të taksës së sheshtë. Drafti do të riformulohet plotësisht, për të reflektuar një masë taksimi më të pranueshme. Projektligji i përgatitur nga Ministria e Financave parashikonte dyfishimin e tatimit mbi fitimin për ato biznese që kishin norma më të larta fitimi se 20 për qind e xhiros vjetore dhe trefishimin e taksës për bizneset me rentabilitet mbi 30 për qind. Sipas përfaqësuesve të biznesit, projektligji në formën që u paraqit nga Ministria e Financave prekte deri në 1 mijë kompani në vend të shtrira në të gjithë sektorët e ekonomisë, sidomos në ndërtim dhe disa degë të tjera. Gjithashtu, projektligji i Ministrisë së Financave për të hequr taksën doganore për veshjet që vijnë nga BE-ja do të rishikohet për shkak të disa paqartësive. Kështu për të gjitha veshjet e gatshme që do të futen në tregun vendas do të vazhdojë të aplikohet taksa doganore në shkallën 10 për qind. Edhe pse do të ishte një lehtësim shumë i madh për tregtarët e vegjël në Shqipëri dhe për industrinë e konfeksionistëve, sepse zerimi i kësaj takse do të ulte çmimet e veshjeve në treg, buxheti i shtetit kishte një dëm financiar prej rreth 1 miliard lekësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›