E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risitë që erdhën nga vizita e Ministrit Panariti në Greqi

06-10-2012 / Nga Odise Plaku

Vizita e Ministrit Punëve të Jashtme Edmond Panariti në Greqi mund të cilësohet si një nga më të rëndësishmet e realizuara në agjendën e tij diplomatike. Pas tetë vjet mungese të shkëmbimit të vizitave të këtij niveli, ajo do të kryhej me ftesë të vetë Ministrit të Jashtëm të shtetit grek  Dimitris Avramopoulos.
Që në fillim të bërjes së ditur të realizimit saj, shumë e pritur dhe dëshiruar për të dy palët, ajo u shoqërua në opinion e gjerë me hamendësime, më së shumti për atë që quhet agjenda e bisedimeve mes dy homologëve. Shumë çështje, probleme të vjetra dhe të reja  kanë qenë në optikën e vazhdueshme të diskutimeve sa mediatike, të ekspertëve të diplomacisë, politikës, ekonomisë etj.
Vizita u krye, por një incident me vendosjen e flamurit shqiptar në sallën e konferencës u kthye në qendër të lajmit. Incident i qëllimshëm apo një gabim i punonjësve të protokollit grek? Nëse deklaratat e dy homologëve kishin si kryetitull atë të hapjes së një faqeje të re të marrëdhënieve mes dy vendeve, a ishte Athina zyrtare e interesuar që përmes këtij incidenti të tregonte kapitullimin e Shqipërisë përpara politikës greke? Ky ka qenë një ndër komentet e bëra rreth këtij incidenti. Padyshim që çdo shqiptar është ndjerë i fyer dhe i prekur rëndë teksa ka parë atë pozicionim të flamurit tonë kombëtar. Por gjithçka është sqaruar pa kaluar shumë orë. Vetë kreu i diplomacisë greke Dimitris Avramopoulos do të ritregonte se ishte i interesuar për një faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një telefonatë për homologun e tij shqiptar Edmond Panariti, një ndjesë për këtë incident, një falje publike dhe përmes një konference shtypi të vetë zëdhënësit të institucionit të diplomacisë helene. E ripërsëris, që ky incident ka prekur gjithë shqiptarët kudo që janë, po edhe reagimi i palës greke duhet vlerësuar dhe jo anashkaluar. Një gjest i tillë nga ana e ministrit të jashtëm grek tregon se ka ardhur koha që mes dy vendeve të mos vazhdohet më me gërc-mërce, por me dialog konstruktiv, bashkëpunim në nivele të larta dhe të ulëta me qëllim që të përmbushet vërtetë misioni i të qenit të dy vendeve si faktor stabiliteti, paqeje dhe bashkëpunimi model  në Ballkan, rajon dhe më gjerë. Duke mbetur në çështjen  e flamurit shqiptar nuk mund të lë pa përmendur faktin tjetër se ai ka qenë i vendosur në hyrje të ndërtesës së ministrisë së jashtme greke mes flamurit helen dhe atij të bashkimit evropian, por dhe në shumë mjedise të tjera të kësaj godine.
Në politikën e jashtme,  Shqipëria i konsideron si  strategjike marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë, si dy vende jo vetëm fqinj, por edhe anëtarë të NATO-s e Bashkimit Evropian,  si dhe partnerët kryesorë tregtarë e ekonomik të vendit tonë.  Po cila ishte e rëndësishme në tërësinë e vetë të takimit të Ministri Panariti me homologun grek Avramopoulos: Të hapim një faqe të re të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm grek Avramopulos propozoi institucionalizimin e bashkëpunimit ndërministror përmes takimeve periodike të një grupi ministrash të të dy vendeve për të trajtuar çështje me interes  reciprok,   realizimin e takimeve më të shpeshta me homologun shqiptar dhe zhvillimin e konsultimeve periodike mes të dy MPJ-ve, por është siguruar dhe  mbështetja e plotë të Greqisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Po a u anashkaluan problemet që shqetësojnë Shqipërinë në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë? Nëse analizohet me kujdes dhe me vështrim diplomatik bie në sy fakti që gama e problemeve jo vetëm që nuk u anashkalua, por u kërkua të futen në rrugën e zgjidhjeve. Në tërësinë e çështjeve të biseduara mes dy ministrave rëndësi të veçantë kishin dy prej tyre:
Së pari, në takimin me homologun e tij grek, ministri Panariti ka theksuar faktin që çështja e kufirit detar mes dy vendeve, do të trajtohet nga pala shqiptare në përputhje me interesat e vendit, kushtetutën dhe legjislacionin ndërkombëtar, duke mbyllur kështu shtegun për abuzime të mëtejshme të cilësdo natyrë qofshin ato politike apo mediatike, që politika shqiptare është e nënshtruar dhe e frikësuar nga politika e shtetit fqinj. Së dyti, Ministri Panariti i ka theksuar  homologut të tij grek që çështja çame dhe e pronave të shqiptarëve në Greqi kërkon zgjidhje.
Këto janë dy nga çështjet për të cilat ka patur një interes të madh në çdo pikëpamje në vendin tonë dhe janë shndërruar në mënyrë të vazhdueshme në fakte të diskutueshme. Të dyja u hodhën për diskutim e bisedim me maturi diplomatike, por qartë dhe saktë. Qoftë për kufirin detar, apo dhe për çështjen çame. Ndërkohë që duhet të merret në konsideratë se pas tetë vjetësh një titullar i diplomacisë shqiptare shkelte qoftë dhe fizikisht në godinën e diplomacisë helene. Pra, ishte momenti që të futej në rrugën e bisedimeve për zgjidhje, apo të mbetej sërish në zonën e akullt, ku problematikat shqyrtohen në rrugë mediatike dhe bisedash studiosh, pa arritur zonën në të cilën ato e meritojnë të debatohen, shqyrtohen dhe futen në proces zhvillimi dhe ecje përpara drejt zgjidhjes së tyre finale? Pikërisht takimi i realizuar është shenjë e qartë se duhet punuar në mënyrë reciproke për t’i çuar ato drejt fundit të tyre, zgjidhjes.
Duke qenë së në Greqi jetojnë e punojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh Ministri Panaritit nuk ka anashkaluar dhe problemet jetike me të cilat përballen emigrantët tanë atje.
Përgjatë shumë viteve emigrantët shqiptarë ndeshen me një sërë pengesash në lëvizjen e tyre. Pikërisht ky problem ka qenë një nga të trajtuarit gjatë bisedës me ministrin e jashtëm të Greqisë.  Është kërkuar zyrtarisht  zgjidhja e shpejtë e problemeve të vërejtura në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Greqisë dhe dokumentet e tyre. Shmangia e legalizimit të dokumenteve të të dy vendeve përmes hyrjes në fuqi në marrëdhëniet reciproke të Konventës për vulat apostille, ishte një tjetër  kërkesë e Ministrit Panariti cila gjeti mirëkuptimin e Ministrit Avramopulos. Ndërkohë që  integrimi i shqiptarëve në shoqërinë e jetën e vendit ku jetojnë e punojnë, sipas Panaritit,  duhet të shoqërohet me të drejtën e tyre legjitime për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe. Historikisht rajoni ynë ka vuajtur jo pak nga fryma nacionaliste në trajtimin e problemeve mes tyre. Shqipëria dhe Greqia nuk kanë bërë përjashtim nga kjo hartë.  Të përgjegjshëm për ndikimin negativ që ato kanë në marrëdhëniet mes vendeve, të dy krerët e diplomacisë si shqiptare dhe greke, siguruan për vullnetin dhe angazhimin e tyre për një politikë që dekurajon çdo retorikë manipuluese e me ngarkesë nacionaliste që dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve.
Një pikë, që përsëri ka rëndësinë e vet dhe që meriton të ketë vëmendjen e duhur,  është fakti se ministri Panariti duke vlerësuar raportet e vendosura mes qeverisë greke dhe asaj të Kosovës ka kërkuar njohjen formale të pavarësisë së Kosovës nga shteti helen. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur në çastet e bisedës dhe ndarjes së mendimeve  lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e perspektivës euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit. E rëndësishme është që pas këtij hendeku në marrëdhëniet zyrtare të shkohet drejt një faze të re të zgjidhjes së problemeve për të cilat kanë munguar bashkëpunimet. Kurrsesi një çështje, shqetësim, problem nuk mund të zgjidhet pa u futur në analiza, biseda konkrete, bazë ligjore të shëndoshë. Pikërisht këtë ka shënuar dhe vizita e ministrit Panariti në Athinë. Nga vullneti dhe bashkëpunimi dypalësh, padyshim në varësi dhe të rëndësisë dhe peshës së tyre specifike si çështje, mund të marrin zgjidhje shumë çështje të cilat bëjnë vite që kanë pritur thjesht një tryezë bashkëbisedimi. Të dy vendet janë të gatshme të shtojnë bashkëpunimet në fusha të ndryshme, të rritin nivelin dhe cilësinë e bashkëpunimit. Gjatë vizitës së tij në shtetin helen, ministri Panariti është takuar dhe me presidentin e Greqisë, Karolos Papulias.
Ministri Panariti vlerësoi personalitetin e z. Papulias dhe kontributin e çmuar që ai ka dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë e Greqisë, në interes të dy vendeve e popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
Mjaft domethënëse ishte pohimi nga vetë  presidenti Papulias në konsiderimin e vetes së tij si një mik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar. Përsëri një qëndrim objektiv dhe domethënës nga ana e tij si president: të dy vendet të tregojnë vullnet për të forcuar bashkëpunimin mes tyre. Edhe në këtë takim ministri Panariti ka marrë mbështetjen e Greqisë në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Për presidentin Papulias miqësia shqiptaro-greke është dhe duhet të mbetet një faktor themelor i stabilitetit në rajon.
Ministri Panariti shënon kështu një hap të mëtejshëm dhe shumë të vlefshëm për politikën shqiptare, diplomacinë e saj, në një viti tepër të rëndësishme për Shqipërinë, qoftë atë të statusit të kandidatit, por edhe për 100 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë. Një klimë e ngrohtë dhe produktive në marrëdhëniet mes dy vendeve Shqipërisë dhe Greqisë do të jetë padyshim një vlerë shumë e shtuar në përpjekjet serioze për rritjen dhe forcimin e imazhit të vendit tonë, politikës dhe diplomacisë në tërësinë e vet. Por e rëndësishme është që kjo vizitë të vlerësohet për realitetin e saj, kohën kur zhvillohet dhe për produktin që ajo do të prodhojë në ditët ne vijim. Është hedhur hapi i munguar për kaq vite me radhë. Diplomacia shqiptare është e qartë në atë çfarë kërkon të arrijë, pa shkelur mbi interesat kombëtare të vendit tonë, por edhe duke punuar në drejtim të mbrojtjes së interesave jetike të atyre qindra shqiptarëve që bëjnë vite që kanë ndërtuar jetën e tyre familjare në shtetin helen.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›