E Diel, 1 Nëntor 2026

Para kamerave e mikrofonave nuk ka vetëm fëmijë

Jo pak analistë e kanë vënë re me shqetësim dhe dyshim se Berisha muajt e fundit e ka hedhur gjithë yryshin e makinës së vet të propagandës mbi fytyrat e fëmijëve të shkollave. Ai as në këtë rast nuk e fsheh qëllimin; është tejet i sinqertë, i vendosur, i tendosur dhe i prerë, si përherë…E thotë hapur e pa drojë me gojën e vet: fëmijët-mitingashë sa të shkojnë në shtëpi duhet të bëjnë të pamundurën që të bindin prindërit se sa mirësi ka bërë dhe sa lumturi u ka sjellë baba Saliu, ndaj duhet të votojnë sërish për të…Për të dhe vetëm për të!…Përndryshe jo integrim në BE që nuk do të ketë, por as internet nëpër shkolla, as universitete private, as ushtarë, kur të rriten, nuk do të shkojnë në Afganistan, po në të kundërt do të kenë vetëm mjerim e fukarallëk, mungesë të investimeve të huaja, rrënim të shkollave, prishje të koncesioneve dhe privatizimeve, ndërprerje të shitjes së armëve, largim të TAP-it azerbajxhanas, etj, etj zezona që njerëzit e thjeshtë as nuk i përfytyrojnë dot, sigurisht nëse në vitin 2013 do të mbetemi, -qoftëlarg!- pa Saliun në krye të Qeverisë.
Sa më shumë të kundërshtohet duke pohuar se, me demek, kjo është një shkelje flagrante e ligjit, pasi shkollat tek ne janë të depolitizuara dhe nuk lejohet të bëhet fushatë në oborret e klasat tyre, aq më tepër ka për të ngulmuar Berisha në të vetën…Kamerat dhe mikrofonat para të cilëve ri e mezi pret populli janë karburanti i pazëvendësueshëm i pushtetit të tij. Përveç kësaj, një karakteristikë e tij themelore në politikëbërje është: instiktivisht, prej 22 vitesh e tëhu ai do të bëjë të kundërtën e asaj që i thonë oponentët e kundërshtarët, po edhe këshilltarët (nëse ka të tillë….) jo vetëm për të treguar forcë, largpamësi dhe këmbëngulje, por edhe për të mbjellë besim e adhurim te ndjekësit e tij se mbetet i pathyeshëm. Pra, e kundërta e asaj që kërkon “armiku” dhe asnjëherë marrëveshja, apo konsensusi, ka mbetur përherë për të zgjedhja dhe rruga “më e drejtë” dhe më e sigurt për të garantuar sukses vetjak të lehtë. Kjo, deri tani, nuk mund të mohohet se nuk i ka prurë rezultat të favorshëm. Ai asnjëherë nuk ka pasur drojë e turp ta dëshmojë këtë “politikë” para kamerave e mikrofonave, pa pyetur se kush janë ata që po e dëgjojnë: fëmijë a pleq, qytetarë apo katundarë.. .
***
Sigurisht kjo është mendësia tipike e çdo prijësi tribal e primitiv, i cili është i detyruar të luajë dhe të veprojë në një mjedis kinse demokratik, duke ndjekur “rregullat demokratike” të transparencës dhe të komunikimit direkt me popullin. Prandaj është mëse e sigurt që Berisha nuk ka për të hequr dorë nga fëmijët e shkollave, nga kjo propagandë kaq vulgare dhe acaronjëse. Edhe për një arsye tjetër: ai e ka parë, kur ka shkuar për promovime rrugësh rurale, se sa pak njerëz po e ndjekin nëpër mitingje…Kjo është një vuajtje për të, një parathënie ndjellakeqe me të cilën nuk mund të pajtohet kurrsesi. Në këtë kontekst fytyrat e fëmijëve janë për të një “kompensim” jo vetëm i kënaqshëm, por mëse i domosdoshëm. Jo rastësisht të gjithë diktatorët fotot, kronikat dhe pamjet më të përdorura i kanë ose me fëmijë e foshnja në duar, ose me pleq e plaka që i puthin në ballë me mallëngjim…Prandaj me fytyrat e fëmijëve Berisha jo vetëm që kërkon të mbajë gjallë fushatën dhe instinktin e udhëheqësit “karizmatik”që e do populli….Edhe pse “armiqtë” e tij të përbetuar nuk po rreshtin e po bëjnë të pamundurën ta pengojnë e ta ndalojnë fushatën e tij me/mbi fëmijët, kjo, do ta nxisë atë edhe më shumë të mësyjë klasat e fëmijëve, sepse, gjithnjë sipas tij, derisa “armiqtë” po e sulmojnë, kjo do të thotë se propaganda e përnatshme me fëmijët qenkësh efektive dhe dobiprurëse. Prandaj nuk ka për t’u tërhequr, por ka për të amplifikuar edhe më tepër këtë “risi” që në fakt nuk mund të quhet risi, pasi është përdorur, pak a shumë, si mënyrë propagande, nga të gjitha palët kur kanë qenë në pushtet.
***
Sa më sipër nuk është gjë e re dhe as e panjohur për shumëkënd. Puna është se ai na trajton edhe ne qytetarët si fëmijë. Sepse e gjithë mënyra se si e zhvillon propagandën, si i hedh fjalët në eter, si komunikon me kamerat nga podiumet dhe tryezat, tregon që ai nuk synon të komunikojë as me të pranishmit në sallë, qofshin këta edhe ndërkombëtarë, por me ne që nuk jemi aty…Ai nuk e fsheh qëllimin në asnjë rast, mjaft që t’i fanepset një kamera…Ndoshta sinqerisht kujton dhe beson se pas ekranit nuk ka fëmijë, burra e gra, po ca enë bosh të cilat, duan apo nuk duan, do mbushen automatikisht që t’i gëlltisin pa i përtypur fjalët, deklaratat, grimasat, thëniet, insinuatat, parashikimet, shifrat, shpifjet, akuzat dhe sinoptikat e tij për lumturinë që na ka ardhur si dhuratë nga drejtimi i tij! Me të njëjtën mënyrë trajton ai jo vetëm zgjedhësit, militantët ose jo, po edhe deputetët e ministrat e tij, gjithë Kuvendin, madje edhe opozitën, le më mbledhjet e përditshme të Qeverisë. Ngaqë nuk ngopet me kamerat e me dëshirën e panginjur për t’u fiksuar në histori, qoftë edhe duke përdorur fëmijët e shkollave e kopshteve, ai sakaq do të shpikë më pas edhe një mbledhje urgjente të grupit parlamentar, ose të Qeverisë…E po të ndjekësh me vëmendje, jo fjalët, po gjestet e tij, bashkë me mimikën e të pranishmëve, mund ta kuptosh kollaj se fëmijë, dhe mitingashët, teksa janë të detyruar ta dëgjojnë, mund t’u hapet edhe goja, mund edhe të qeshin e të ngacmohen në rresht me shoshoqin teksa ai ligjëron, pra janë më të lirë e më të pavarur se deputetët dhe ministrat e tij që, -mos o Zot!- nuk guxojnë të pipëtijnë në prani të tij…
E pra, e keqja nuk është se Berisha po përdor oborret e shkollave për propagandë vetjake e partiake, as se fëmijët kanë për t’u deformuar e për të bindur nesër prindërit e tyre që t’ia japin votën Berishës, pasi e kundërta, me siguri, ka për të bërë vaki, sepse ne jemi asi shoqërie patriarkale që nuk merr kurrë mend nga fëmijët, edhe kur këta bëhen burra, por problem dramatik e parësor ka qenë dhe ka mbetur fakti që Berisha po e trajton të gjithë shoqërinë shqiptare, edhe pas kaq viteve në demokraci, si një kopsht fëmijësh, për të mos thënë si një Jetimore! Apo, mos ndoshta duhet thënë ca më shkoqur: si një pavijon të lajthiturish?! Këtë pyetje retorike ja vlen t’ia bëjmë vetes, sa herë detyrohemi ta shohim e dëgjojmë këtë njeri me hemorragji të pasosur fjalimesh nëpër lajmet e pafundme me të, mbi të e për të!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›