E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Mandati i Subashit konsiderohet i përfunduar

03/02/2011  KQZ i kërkon Parlamentit zëvendësimin e Subashit. Ka dalë në pension

“Msmarrja pjesë në mbledhjet e KQZ-së është një shpërdorim detyre”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar një shkresë zyrtare Parlamentit të Shqipërisë që të bëjë zëvendësimin e zëvendëskryetares të këtij komisioni Dëshira Subashi duke qenë se ajo ka përfunduar mandatin e saj për shkak të mbushjes së moshës së pensionit. Lajmi u bë i ditur nga vetë kreu i institucionit më të lartë zgjedhor në vend, Arben Ristani, në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, i cili, duke iu referuar nenit 18 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet qartë shkarkimi para kohe i anëtarëve të KQZ-së. “Në bazë të nenit 18 të Kodit Zgjedhor, mandati i anëtarit të KQZ-së mbaron kur mbush moshën e pensionit. Ndërkohë zonja Subashi, në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë, ka mbushur moshën e pensionit dhe në bazë të Kodit Zgjedhor mandati i saj konsiderohet i përfunduar. Për këtë çështje kam komunikuar me Parlamentin nëpërmjet një shkrese, ku kam vënë në dijeni situatën”, - deklaroi Ristani. Më pas, duke iu referuar masave që duhet të ndërmarrë Parlamenti në këtë rast, Ristani shtoi: “Gjithsesi, përfundimi i mandatit nuk lidhet me vendimmarrjen e Parlamentit, që do të jetë një vendimmarrje për zëvendësim. Pavarësisht nga vendimmarrja e Parlamentit, në bazë të ligjit mandati i zonjës Subashi konsiderohet i përfunduar.”

Në mbledhjen e zhvilluar paraditen e djeshme KQZ-ja vendosi sërish me katër vota.

Reagimi i Subashit

Ndërkohë anëtarja e KQZ-së Dëshira Subashi, e kontaktuar nga “Metropol”, u shpreh se nuk preferon të flasë rreth kësaj çështjeje, pasi i është përgjigjur një herë kësaj pyetje të bërë. Pavarësisht se në bazë të ligjit duhet të zëvendësohet me një anëtar tjetër të KQZ-së, Subashi nuk ka asnjë koment në lidhje me mandatin e saj, ndërkohë që KQZ-ja duhet të punojë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Mungesa e opozitës në KQZ

Në lidhje me mungesën e përsëritur të tre anëtarëve të opozitës, kreu i KQZ-së theksoi se këta anëtarë po shpërdorojnë detyrën për të cilën janë zotuar. “Nuk ekziston asnjë arsye ligjore për të bërë këtë mungesë të tejzgjatur. Jemi këtu për të organizuar zgjedhjet, të cilat nuk do t’i organizojmë as për Partinë Demokratike dhe as për Partinë Socialiste, por i organizojmë për të gjithë shqiptarët. Dhe këtë detyrim e kemi nga ligji, e kemi nga betimi që kemi bërë dhe mosmarrja pjesë në mbledhjet e KQZ-së nuk është gjë tjetër veçse një shpërdorim detyre.” Më pas Ristani shtoi: “Veprimi i tyre është në kundërshtim me ligjin dhe në varësi të pasojës mund të gjykohet edhe për veprimet që po ndodhin. U bëj edhe një herë thirrje që të marrin pjesë në mbledhjet e KQZ-së, sepse është në zbatim të ligjit dhe të detyrës që kanë bërë”, përfundoi Ristani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›