E Diel, 1 Nëntor 2026

Partite nuk paraqesin emrat e komisionereve per zgjedhjet e 8 majit

03/02/2011  Volfart: Presim që të gjithë anëtarët e KQZ-së të marrin pjesë në mbledhje

OSBE: Partitë të respektojnë afatet për kandidatët

“Forcat politike të respektojnë ligjin për zgjedhjet e 8 majit”

Shefi i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, u bëri thirrje dje të gjitha partive politike në Shqipëri që të mos zvarrisin më tej procesin e dorëzimit të dokumentacionit përkatës pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ambasadori Volfart, duke iu referuar informacioneve që prezenca e OSBE-se disponon, ku sipas tij rezulton se asnjë parti politike nuk ka dorëzuar deri më tani pranë KQZ-së listën e plotë të kandidatëve të atyre që do të konkurrojnë për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit, u bëri thirrje forcave politike që të zbatojnë plotësisht Kodin Zgjedhor, duke i paraqitur KQZ-së propozimet e tyre për anëtarë të komisioneve zgjedhore. “Shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit presin që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen më 8 maj, ashtu siç janë dekretuar nga Presidenti i Republikës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Puna e tij do të bëhej më e lehtë nëse të gjitha partitë politike veprojnë menjëherë dhe respektojnë ligjin, duke dorëzuar emrat e të gjithë komisionerëve zgjedhorë brenda afatit”, - deklaroi paraditen e djeshme ambasadori i OSBE-së.

Më tej në komentin e tij mbi këtë situatë Volfart shtoi se është e domosdoshme prezenca në këtë komision edhe e anëtarëve të opozitës. “Presim që të gjitha afatet e tjera ligjore të respektohen plotësisht, ashtu sikurse presim që të gjithë anëtarët e KQZ-së të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet”, - u shpreh shefi i OSBE-së në Tiranë.

Afatet

Në nenin 67 të Kodit Zgjedhor për dorëzimin e listave të kandidatëve të partive dhe koalicioneve thuhet: “Partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore kandidati për kryetar komune apo bashkie dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ.”

Relacioni KQZ-së

Në lidhje me miratimin e djeshëm nga KQZ-ja të projektvendimit “Për miratimin e modeleve të vendimeve dhe dokumentacionit të punës të KZAZ-ve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011”, parashikohet që komisionet e zonave të administrimit zgjedhor gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre përdorin një set dokumentacioni zgjedhor në përmbushjen e detyrës së tyre. Ky dokumentacion zgjedhor është parashikuar në një sërë dispozitash të Kodit Zgjedhor. Më konkretisht, neni 29, pika 2 e Kodit Zgjedhor përcakton detyrimin ligjor të KZAZ-së që të propozojë kryetarin dhe zëvendëskryetarin e KZAZ-së. Neni 33, germa “b” dhe neni 39 i Kodit Zgjedhor përcaktojnë se KZAZ-ja emëron kryetarin, zëvendëskryetarin, anëtarët dhe sekretarin e KQV-ve, emëron anëtarët e grupeve të numërimit të votave, liron dhe shkarkon nga detyra anëtarët dhe sekretarin e KQV-së.

Modelet proceduriale

Të gjitha këto procedura janë pasqyruar respektivisht në modelin 01 V “Për propozimin e kryetarit të KZAZ-së”, në modelin 02 V “Për propozimin e zëvendëskryetarit të KZAZ-së”, në model 03 V “Për emërimin e anëtarëve të KQV-së”, në modelin 04 V “Për emërimin e kryetarit, zëvendëskryetarit dhe sekretarit të KQV-së”, në modelin 06 V “Për emërimin e anëtarëve të grupit të numërimit”, në modelin 07 V “Për lirimin dhe emërimin e anëtarëve të KQV-së”, në model 08 V “Për lirimin dhe emërimin e sekretarit të KQV-së”, në modelin 09 V “Për shkarkimin e një anëtari të KQV-së”. Kodi Zgjedhor në nenin 95, pika 1 parashikon se me vendim të KZAZ-së caktohen grupet e numërimit. Ky vendim pasqyrohet në modelin 05 V “Për caktimin e grupeve të numërimit të votave”. Neni 33, germa f e Kodit Zgjedhor parashikon se KZAZ-ja regjistron subjektet zgjedhore dhe kandidatët për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore.

Zgjedhjet lokale

Ndërkohë, megjithëse skanë mbetur më shumë se tre muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale, duket se partitë politike janë pak të interesuara për zhvillimin e procesit. Maxhoranca dhe opozita janë ngërthyer në debati politik në lidhje me demonstratën e 21 janarit, ndërkohë që PS-ja dhe aleatët kanë deklaruar se do të bojkotojnë zgjedhjet e 8 majit. Por nuk janë në këtë mendje maxhoranca dhe ndërkombëtarët. Madje, këta të fundit kërkojnë medoemos zhvillimin e tyre, si pjesën thelbësore të funksionimit të një demokracie. Vetëm një ditë më parë ministri i Jashtëm italian u shpreh se moshyrja në zgjedhje nuk dëmton aspak mazhorancën, por vetë opozitën dhe aspiratat demokratike të vendit. Ndërkohë, pavarësisht se nuk është e pranueshme juridikisht, zgjedhjet mund të zhvillohen dhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Kreu i PS-së shpreh sërish gatishmërinë për tu ulur në bisedime

Rama: Përjashtojmë zgjedhjet e 8 majit si zgjidhje të krizës

Oli Xhilaga

Partia Socialiste nuk lëviz nga istikami, përkundrazi, do të vijojë në rrugën e protestave. Madje, edhe pse shprehet e gatshme për tu ulur në tryezën e dialogut, paraprakisht PS-ja përjashton kategorikisht zgjedhjet lokale të 8 majit si një mundësi për të zgjidhur krizën. Kështu, gjatë një deklarate për shtyp të bërë gjatë ditës së djeshme kreu socialist Edi Rama informoi dhe një herë qëndrimin e partisë që ai drejton lidhur me situatën aktuale të krijuar në vend pas ngjarjeve në demonstratën e 21 janarit. “Jemi të gatshëm për dialog e kompromis, por nuk do të ndalemi në rrugën e rezistencës paqësore, në qoftë se regjimi i kusarisë nuk zmbrapset nga rruga antikushtetuese e antidemokratike ku është futur”, - vuri në dukje Rama lidhur me një çështje tillë. Njëkohësisht, si për ti mëshuar më tej këtij qëndrimi, kryetari i PS-së shprehu qartë faktin se kjo parti nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale të 8 majit. “Refuzimi për të dëgjuar opozitën, përshkallëzimi i barbarisë antikushtetuese e antidemokratike me sulmet ndaj Presidentit, prokurores së përgjithshme, drejtorit të Shërbimit Informativ, gazetarëve, kundërshtarëve me regjimin dhe opozitës po e po, mosdorëzimi i gjashtë të kërkuarve nga drejtësia për vrasjen e 3 njerëzve të pafajshëm në një masakër shtetërore, nxjerrja e Policisë së Shtetit nga korniza e ligjit, e bëjnë krejtësisht absurde përmendjen e zgjedhjeve të 8 majit si mundësi për të kapërcyer këtë krizë të jashtëzakonshme”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Gjithashtu në gjykimin e kreut socialist kjo krizë nuk është shprehja e një konflikti të qeverisë me opozitën, por shpërthimi i qelbit të akumuluar në rrugën e korrupsionit e të korruptimit të qeverisjes, drejtësisë, medies nga ana e një regjimi kusarie, që aktualisht po shpalos tërë egërsinë dhe banalitetin e vet. Njëkohësisht, duke synuar zgjidhjen e kësaj krizë, Rama deklaroi së “Shqipëria kërkon paqe e qetësi, ne duam paqe e qetësi, por jo paqe në frikë e heshtje në një boshllëk antidemokratik, ku regjimi i kusarisë po lufton kundër një puçi imagjinar, me qëllimin që të likuidojë të gjitha burimet që kontrollojnë qeverinë apo që kundërshtojnë qeverinë”. Në këtë mënyrë, socialistët nuk heqin dorë nga organizimi i protestave deri në realizimin e kërkesave të bëra publike për çdo ditë nga selia rozë. Madje, po në këtë linjë, kreu socialist shtoi se “kërkohet paqe në emër të bashkëjetesës demokratike që garantohet me zgjedhje të lira e të ndershme dhe shtet ligjor, si dhe qetësisë, që rikthehet përmes drejtësisë për masakrën e 21 janarit dhe një tërësie kushtesh për të ndërtuar rrugët e reja të zhvillimit ekonomik e shoqëror për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”.

Kryeministri garanton zgjedhjet vendore. Opozita kërcënoi me mospjesëmarrje

“Zgjedhjet e 2011-s do ti realizoj brenda standardeve”

Albana Lika

Ndërsa opozita kërcënon me mospjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme vendore, kryeministri Berisha këmbëngul te garancia që ofron qeveria e tij për realizimin e një procesi sipas standardeve ndërkombëtare. Kreu i qeverisë theksoi dje se kabineti që ai kryeson do të përmirësojë çdo hap të procesit me qëllim realizimin e tij në mënyrë sa më transparente. Ai i bëri këto deklarata në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku u miratua buxheti afatmesëm 2011-2013. “Ne jemi të vendosur të qëndrojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë garantoj qytetarët shqiptarë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë zgjedhje të standardeve evropiane, se ne në këto zgjedhje do të konsolidojmë standardet e arritura. Falë një vullneti të hekurt ne arritëm të vendosim dhe kristalizojmë në këtë vend teknikën më të saktë të numërimit të votave”, - tha Berisha. Duke folur për buxhetin, pjesë e të cilit do të jenë edhe zgjedhjet vendore, kryeministri tha se ai përbën levën e Arkimedit për shndërrimin brenda viti 2017 të Shqipërisë në një vend të zhvilluar pa zjarrvënës, në një vend që ecën drejt një horizonti të ri. “Buxheti afatmesëm parashikon mbështetjen financiare për të gjitha reformat e mëdha të shndërrimit të Shqipërisë në një vend evropian. Një puç dëmtoi në mënyrë thelbësore imazhin e këtij vendi, por një puç aventurierësh nuk do të mund kurrë të ngadalësojë reformat e kësaj qeverie për ndërtimin e Shqipërisë evropiane”, - vijoi numri një i ekzekutivit. Gjatë mbledhjes së djeshme qeveria vendosi ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, të pavarësisë së Shqipërisë. “Qeveria së bashku me Federatën do të bëjnë të mundur që ky stadium të ndërtohet sa më shpejt dhe sa më i bukur. Ky stadium do të jetë një bizhu e vërtetë, jo vetëm për sportin shqiptar, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Do të jetë stadiumi më modern dhe më funksional. Natyrisht, në proporcion me qytetin, por arkitektura e tij, funksionaliteti i tij do të jenë të parametrave më të mirë. Stadiumi u vendos të ndërtohet në respekt të plotë me futbollistët shqiptarë dhe për futbollin shqiptar, por dua të jem i sinqertë me një respekt edhe më të madh për ata qindra dhe mijëra kuqezinj shqiptarë që ndjekin kombëtaren e vendit në Tiranë dhe kudo që ajo luan”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›