E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia Kombëtare, në duart e profesor Cekës?

Arkeologu dhe restauruesi Gjergj Frashëri komenton intervistën e dhënë për gazetën “Shqip” nga Neritan Ceka, arkeolog e këshilltar i Kryeministrit mbi çështjet e trashëgimisë kulturore, ku ai flet për një reformë të re në këtë fushë. Frashëri jep argumentet e veta ndaj kësaj reforme, sipas së cilës menaxhimi i trashëgimisë kulturore duhet të hiqet nga varësia e MTKRS-së dhe t’i jepet Institutit të Monumenteve të Kulturës, që do të emërtohej Instituti i Trashëgimisë Kulturore

Nuk mund të qëndrohet indiferent duke lexuar intervistën e prof.Neritan Cekës, të datës 12 mars 2010, në gazetën “Shqip”, me titull “Trashëgimia, jashtë Ministrisë së Kulturës”. Ai sinjalizon për një reformë të re që i ka propozuar Kryeministrit në fushën e trashëgimisë. Me pak fjalë, është propozuar që të “ndryshojë menaxhimi i trashëgimisë kulturore” i derisotëm, pra t’i hiqet ky menaxhim nga varësia Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe t’i jepet Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili duke u fuqizuar me këtë kompetencë, do të emërtohej Instituti i Trashëgimisë Kulturore. Propozohet të hyjnë nën varësinë e këtij instituti të gjitha organizmat menaxhuese të trashëgimisë kulturore, si drejtoritë rajonale të kulturës kombëtare, parqet arkeologjikë, muzetë arkeologjikë, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, të cilat aktualisht janë në varësinë e Ministrisë së Kulturës. Gjithashtu propozohet që ky institut i reformuar të ketë buxhetin e pavarur dhe ta administroje vetë, duke e shpërndarë atë për bërjen e projekteve nga punonjësit e vet ose nga drejtoritë rajonale që do të ketë në varësi. Pyetje: Me këtë barrë të rëndë nacionale, do të jetë ky institut që propozohet një institut shkencor, apo de facto një ministri e re e pashpallur?

1. Kështu propozohet qartë që trashëgimia kulturore t’i hiqet një ministrie, pra të mbetet jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë dhe t’i jepet një institucioni me drejtor. Por në dorën e kujt? Për drejtimin e këtij instituti, hartuesi i reformës ka caktuar një akademik, domethënë një anëtar të Akademisë së Shkencave. Marrim vesh se ai ka projektuar drejtues të këtij institucioni akademikun prof.dr.Apollon Baçe. Ju lutem, kjo është sa për të kuptuar drejt idenë e reformës, jo për të vënë në dyshim aftësinë e akademikut tonë.

Pyetja kryesore që lind prej reformës së propozuar është se pse duhet të qëndrojë menaxhimi i trashëgimisë kulturore jashtë Ministrisë së Kulturës dhe pse nuk duhet të bëhet e kundërta, që e gjithë menaxhimi, pra duke përfshirë edhe atë pjesë që ka mbetur në Institutin e sotëm të Monumenteve të Kulturës, të bëhet nga ministria aktuale? Por pyetja mund të shtrohet edhe në koncept: Kërkohet vërtet të hiqet menaxhimi i trashëgimisë kulturore nga veprimtaria dhe kontrolli ministror, apo kërkohet të formohet një ministri më vete e trashëgimisë kulturore paralel me Ministrinë e Kulturës, të ashtuquajtur hëpërhë, butë - Instituti i Trashëgimisë Kulturore? Ose ndryshe, kërkohet këtu krijimi i një ministrie më vete të menaxhimit të krejt trashëgimisë kulturore, apo reformimi i një institucioni me kompetenca nacionale ministrore nën komandon e një “akademiku” të parazgjedhur, pra indirekt nën influencën e propozuesit të reformës?

2. Si argument të vetëm për hartimin e kësaj reforme, kolegu im, profesor Ceka, thotë se është bazuar në modelin e vendeve fqinje, Itali dhe Greqi.

Vërej se po të ishte mbështetur në modelin e përmendur, nuk do të dilte ky lloj propozimi. Me sa dihet, menaxhimi dhe kontrolli i trashëgimisë kulturore në Itali dhe Greqi nuk i është lënë një instituti qendror, por ministrisë përkatëse. Në asnjë vend të Europës Perëndimore, aq sa di unë, nuk ekziston një model i tillë, që menaxhimi i trashëgimisë kulturore të jetë në dorën e një instituti. Atje, institutet janë organizma shkencore që merren me studimin shkencor të fushave të veçanta të trashëgimisë kulturore, dikush për studimin e arkeologjisë, një tjetër për historinë e artit, tjetri për historinë e arkitekturës, etnografinë etj. Ato kanë varësi të ndryshme, shpesh nga universitetet, nganjëherë nga Ministria e Shkencës etj. Këto institucione shkencore i kemi edhe ne, të cilat varen nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Padashur, i vetmi institucion që ka mbetur pa formë në vendin tonë, ose multiformë, është Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ky realitet duket se është vënë re, por në vend që atij t’i jepet formë e qartë dhe të futet veprimtaria e tij e mefshtë dhe e sakatuar nën menaxhimin dhe kontrollin e drejtpërdrejtë ministror, kërkohet t’i jepet atij roli drejtues për trashëgiminë kulturore dhe kompetenca e një ministrie më vete.

Menaxhimi dhe kontrolli i trashëgimisë kulturore në Itali, Greqi dhe në vendet e tjera të Europës Perëndimore nuk është ashtu siç paraqitet në intervistë. Ato nuk janë ashtu as në organizimin e këtij sektori në Francë, apo në Gjermani, ku menaxhimi i trashëgimisë kulturore shtrihet në mbrojtjen e kulturës së nëntokës (Arkeologjia e Shpëtimit) dhe mbrojtja e asaj të mbitokës (Kujdesi për Shpëtimin e Monumenteve). I gjithë menaxhimi bëhet nga një dikaster i posaçëm brenda Ministrisë së Kulturës, me drejtorin e dikasterit, shpesh zëvendësministër ose në rangun e tij. Ai vetë drejtohet nga ministri i Kulturës, sepse këtu flitet për thesaret dhe dokumentet e kombit.

Dikasteri përbëhet nga dy drejtori të Përgjithshme, por të veçanta:

a) Drejtoria e Shpëtimit të Vlerave të Nëntokës (Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik - ASHA në vendin tonë pranë MTKRS) dhe

b) Drejtoria e Shpëtimit të Vlerave të Mbitokës (ku përfshihen midis të tjerave edhe monumentet dhe objektet e Institutit të Monumenteve të Kulturës etj.).

Secila nga këto drejtori ka drejtorin dhe sektorët e vet dhe një arkiv të përbashkët. Dikasteri mban përgjegjësi për të gjitha nevojat që paraqiten për shpëtimin e vlerave të sipërpërshkruara, qoftë kur ato paraqiten me urgjencë, po ashtu edhe me dijeni paralajmëruese. Për shembull, është njëlloj përgjegjësia e shpëtimit të vlerave që kërcënohen nga aktiviteti ndërtimor, si nga ndërtimet pa leje, ashtu edhe nga kërkesat e investitorëve për ndërtime legale, madje edhe nga dëmtimet e vlerave statike apo artistike në një kishë, xhami etj.

Asnjë institut nuk merr pjesë në këtë menaxhim. Për shembull, një institut arkeologjik, i cili zakonisht ndodhet nën hijen e universitetit, ose nën hijen e Ministrisë së Shkencave, nuk merret me veprimtarinë shpëtuese dhe nuk kryen gërmime arkeologjike shpëtimi. Ai merret me kërkime shkencore dhe me gërmime shkencore arkeologjike, më të shumtën e rasteve për qëllime pedagogjike. Ka një ndryshim të madh midis këtyre dy veprimtarive dhe përgjegjësive. Ato janë të ndara dhe nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën, pavarësisht se kanë të njëjtin objekt: arkeologjinë. është si ndryshimi dhe afria profesionale e inxhinierit të ndërtimit që ndërton digën e hidrocentralit dhe pedagogut inxhinier ndërtimi që u mëson studentëve në universitet se si ndërtohet diga e hidrocentralit.

Po kështu, një institut monumentesh të kulturës nuk merret me restaurimet e shpëtimit, ose të mirëmbajtjes së vazhdueshme të parqeve arkeologjike etj. Ai është nën hijen e universitetit apo të shkollave të larta profesionale dhe merret me studimin e historisë së arkitekturës, të artit, të studimit dhe ruajtjes së monumenteve etj., për qëllime shkencore, pedagogjike etj. Me mirëmbajtjen, shpëtimin, konservimin, restaurimin etj., të objekteve të trashëgimisë kulturore, merret pikërisht drejtoria përkatëse e dikasterit me degët e saj rajonale në rrethet e vendit.

Si rrjedhim, Instituti ynë i sotëm i Monumenteve të Kulturës (IMK) duhet të reformohet, që të përshtatet dhe të aftësohet për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Ai ka mbetur, ashtu siç është krijuar në vitin 1964, me të njëjtën strukturë, ashtu si e krijoi Gani Strazimiri, mësuesi ynë i paharruar. Për të mbuluar boshllëqet e studimeve të atëhershme të traditës, IMK mori prej tij qysh në krijim një profil të dyfishtë, nga njëra anë studimin shkencor të monumenteve dhe paralel aktivitetin mbrojtës (shpëtues) dhe restaurues të tyre.

Ka ardhur koha, që pikërisht pjesa e veprimtarisë shpëtimtare të monumenteve në terren e këtij instituti, duhet të ndahet nga pjesa tjetër e veprimtarisë thjesht studimore-shkencore për historinë e monumenteve. Kjo e fundit duhet të integrohet në qendrat shkencore përkatëse. Kjo pjesë ka të drejtë, për mendimin tim, të marrë me vete edhe emrin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ndërsa pjesa e veprimtarisë shpëtuese duhet të reformohet dhe t’i përshtatet strukturës së dikasterit dhe t’i atashohet Drejtorisë së Shpëtimit të Vlerave të Mbitokës. Kjo pjesë nuk mund të cilësohet si institut.

Shkëputja prej institutit të monumenteve të strukturave menaxhuese të monumenteve të arkitekturës dhe artit dhe përshtatja e tyre në Dikasterin e Shpëtimit të Trashëgimisë Kulturore pranë MTKRS ka kohë që është urgjente. Ky institut është aktualisht jashtë funksionit, qoftë për studimet shkencore të tij (shiko rezultatet e këtij lloji në njëzet vitet e fundit), po ashtu edhe për rolin e tij mbrojtës të trashëgimisë kulturore. Të më falë kolegu im i vjetër, por nuk ka një paralele në hapësirën europiane dhe mediterrane, që të krahasohet me vandalizmin e pashembullt të shkatërrimit të trashëgimisë arkeologjike me vlera ndërkombëtare, siç ka ndodhur në dy dekadat e fundit në qendrën historike të Durrësit. Ka ekzistuar IMK-ja këto njëzet vjet dhe çfarë ka mbrojtur nga ky shkatërrim i pashembullt i trashëgimisë? Përpara se t’i besosh një detyrë më të madhe një institucioni apo individi, duhet të analizosh se si e ka kryer ai detyrën që kishte. Një shembull tjetër: Ka disa ditë që ekskavatorët i kanë nxjerrë lakuriq kockat e themeleve të Kalasë së Tiranës në rrugën “Murat Toptani”, deri poshtë tabanit të tyre (?). PëRSE? Ato rrezikohen të anohen në anën e gërmimit masiv. “Specialistë” të IMK-së e shikojnë këtë vandalizëm masiv në mes të kryeqytetit si diçka normale.

Modeli perëndimor i menaxhimit të trashëgimisë kulturore është ngritur i tillë me dy drejtori nën një ombrellë, që të sigurojë qartësinë e bashkëveprimit arkeolog-restaurues me disiplinën teknike në praktikë për shpëtimin e vlerave të nëntokës dhe të mbitokës. Deri sot është ngritur në vendin tonë sipas modelit europian vetëm njëri krah – Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik (ASHA). Tehu kryesor i reformës sot duhet të jetë ndërtimi i krahut tjetër - Drejtoria e Shpëtimit të Trashëgimisë së Mbitokës, që të plotësohet Dikasteri në Ministrinë e Kulturës.

3. Në intervistën e tij vërehet (besoj se nuk jam i gabuar), se profesor Ceka mjerisht nuk e shikon me sy të mirë pjesëmarrjen e subjekteve private në veprimtarinë e shpëtimit të trashëgimisë kulturore, veçanërisht në atë arkeologjike. Kështu ai thekson tendencën, se punën projektuese dhe zbatuese do t’ia besonte më shumë specialistëve të institutit shtetëror të propozuar, madje edhe atyre të drejtorive rajonale, se sa firmave private. Për pasojë propozohet një kufizim i theksuar i shpërndarjes së punës për subjektet private të licencuara. Ky është për mendimin tim një gabim fatal. Këtu është harruar fakti se vendi ynë nuk është më një shtet i centralizuar socialist, por një vend i një shoqërie private, ku rolin kryesor në ruajtjen dhe shpëtimin e nëntokës dhe të mbitokës e luajnë dhe do ta luajnë përditë e më shumë investimet private. Shteti është në shërbim të tyre me rregullat, ligjet e veta dhe kontrollin e ashpër dhe me kontributin e vet modest financiar. Investitorët privatë, të cilët kanë detyrim ligjor të financojnë menaxhimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në pronat e tyre, kanë në një sistem kapitalist më shumë siguri të zgjedhin një subjekt privat në realizimin e detyrimit të tyre, se sa “specialistin” e institutit apo të drejtorive rajonale. Ai që nuk e merr parasysh këtë, bën një reformë të gabuar, që u kushton shumë shtrenjtë të gjithëve. Problemi i reformës këtu është që të ndërtohet një strukturë në Dikasterin e Shpëtimit të Trashëgimisë, që të pajisë me licenca specialistët e vërtetë, jo kusarët e preventivave, si në të shumtën e rasteve deri më sot. Kjo reformë duhet të marrë parasysh se specialistët më të mirë do të jenë ata privatë, që do të dominojnë punën me trashëgiminë kulturore edhe në vendin tonë. Kjo është e pashmangshme dhe rruga e drejtë. Këtë duhet të sjellë reforma që po trajtojmë.

Të bën veçanërisht përshtypje konstatimi përmbyllës i kolegut tim, se “në vitet e fundit (do të thosha 20 vjetët e fundit) ka humbur një përqindje jo e pakët monumentesh, si ikona, objekte arkeologjike, metale, që janë shkatërruar për arsye se ka qenë një punë e paorganizuar”. Vetëm kaq! Nuk ka ndonjë konkluzion për reforma, që të mos përsëriten këto humbje?

Ky përcaktim duket pak naiv në gojën e një profesori të fushës me përvojë të spikatur. Ai thotë se këto objekte kanë humbur dhe janë shkatërruar, por në të vërtetë ato janë vjedhur? Kush janë vjedhësit e ikonave dhe objekteve arkeologjike në vendin tonë? Që të hartosh reforma, duhet t’i sqarosh këto çështje. Me sa dihet, profesori ka qenë vazhdimisht “Diçka” në këto njëzet vitet e fundit, deri ministër i Brendshëm i kësaj Republike, ndërsa kolegët e tij të ngushtë të fushës kanë qenë kryeministra, kryetarë partish, funksionarë të lartë parlamentesh, deputetë, drejtorë institucionesh të fushës të reformës në fjalë. Jam i sigurt se po të mblidhen përvojat nga këta dëshmitarë të rëndësishëm të kohës, do të bëhej e mundur të reformoheshin disa ide për çështjen më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ruajtjen e saj nga vjedhësit profesionistë me pushtet.

Në të vërtetë ndjehem i pashpresë kur lexoj në rreshtat e fundit të intervistës, se i “gjithë sistemi i trashëgimisë kulturore që kemi sot, është një shpikje tipike shqiptare që nuk ekziston askund dhe ka sjellë pasoja të pariparueshme”. Në fakt, mua më duket vetë reforma aktuale që po propozohet, një farë shpikje e tillë.

Kërkoj ndjesë për tonin e ngritur, por më mbetet të pyes se cili personalitet është marrë me trashëgiminë kulturore të Shqipërisë në qeveri e Parlament dhe përfaqësimin e saj në mjediset ndërkombëtare, më shumë dhe më direkt në këto njëzet vitet e fundit, se sa vetë profesori i nderuar, sot këshilltar i Kryeministrit për çështjet e trashëgimisë kulturore.

Gjergj Frashëri,
arkeolog dhe restaurues
Mars 2010

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›