Ristani manipulon edhe këshillat bashkiakë, shton këshilltarë për LSI-në. KQZ: Mund të jetë gabim njerëzor
Zgjedhjet lokale të 8 majit kanë nxjerrë në pah edhe një aspekt tjetër të deformimit të votës së qytetarëve shqiptarë. Kjo ka ndodhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe është vënë re në këtë fazë të procesit zgjedhor, kur po konstituohen edhe këshillat bashkiakë dhe komunalë në të gjithë vendit. Ajo çfarë ka ndodhur lidhet me përdorimin e dy standardeve të përdorura nga KQZ sa i përket numrit të këshilltarëve të bashkive dhe komunave, i cili në disa raste nuk përkon me mandatet e caktuara përpara zgjedhjeve të 8 Majit. Ky ndryshim i papritur i numrit të anëtarëve të këshillave bashkiakë do të japë efektin e tij dhe në konstituimin e këshillit të qarkut, jo vetëm në numrin e këshilltarëve, por drejtimit të administratës së këtyre strukturave të rëndësishme për pushtetin vendor. Gazeta Shqip ka mundur të sigurojë dokumentacionin e këshillave bashkiakë dhe komunalë në Qarkun e Korçës, ku vihet re një ndryshim i numrit të këshilltarëve, si pasojë e vendimmarrjes në tryezë të KQZ-së. Rasti i shpalosur vihet re më së miri në Bashkinë e Ersekës, bashki e rëndësishme në Qarkun e Korçës e fituar nga socialistët, të cilët po ashtu kanë pjesën më të madhe të anëtarëve në këshillin bashkiak. Në një shkresë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor në datë 16 mars për regjistrimin e partive dhe numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore theksohet në mënyrë të qartë se Bashkia e Ersekës, mbi bazën e numrit të popullsisë, do të zgjedhë 17 anëtarë të këshillit bashkiak. Shkresa e dërguar nga KQZ në të gjitha KZAZ-të e vendit, ku përfshihet edhe ajo e Qarkut të Korçës, mban numrin e protokollit 1354 dhe po kështu vulën e KQZ-së dhe firmën e kryetarit aktual të saj, Arben Ristanit. Por deri përpara katër ditësh kjo shkresë nuk kishte arsye kontestimi. Gjithçka ka nisur në një shkresë të dytë që mban datën 17 qershor, me numër protokolli 5241/33, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dërgon Bashkisë së Ersekës në Qarkun e Korçës edhe vendimin e detajuar që shpërndarjen e mandateve pas kalkulimeve të detajuara se për këtë, nga partitë pjesëmarrëse në garë shkojnë këto mandate. Ky vendim i dytë qartëson se numri i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Ersekës do të jetë 15, duke bërë që në fund të procesit të dalin dy këshilltarë mangët. Vendimi i fundit përcakton se nga 15 anëtarët, 9 i takojnë koalicionit të opozitës, Aleanca për të Ardhmen dhe 6 i takojnë koalicionit të mazhorancës aktuale, Aleanca për Qytetarin. Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, i pyetur nga Shqip e ka cilësuar këtë rast si një skandal, pasi KQZ po prek vullnetin politik të qytetarëve. Sipas Dalipit, nuk mund të ndryshohet gjithçka në bazë të shkresës së prefektit që është zyrtar i emëruar nga qeveria. I pyetur në lidhje me këtë rast, zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, theksoi se nuk kishte dijeni të veçantë, por theksoi se raste të tilla që mund të vinin edhe si rezultat i gabimeve njerëzore. Në këtë kuadër ai theksoi se çdonjëra nga partitë kishte të drejtën që në kuadër të dokumenteve dhe pretendimeve që dispononte ti çonte për ankimim në Kolegjin Zgjedhor. Në fakt në fund të shkresës së dytë të KQZ-së, theksohet se palët kanë të drejtën e ankimimit për rezultatet e këshillave bashkiakë deri në pesë ditë pasi marrin në dorë listën e detajuar të ndarjes së mandateve.
Interesant në shkresën e dytë të Komisionit Qendror drejtuar Bashkisë së Ersekës është fakti se ndonëse një parti arrin të marrë në pak vota në garë, ajo arrin të marrë një këshilltar më shumë në këshillin bashkiak. Gjatë detajimit të votave nga KQZ, në tabelën e rezultatit vihet re që Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 203 vota, që sipas KQZ-së, si pasojë e këtij numri ka arritur të marrë dy këshilltarë në këshillin bashkiak. Krejt e kundërta ka ndodhur me Partinë Socialdemokrate, e cila ka marrë vetëm një mandat kryetari, ndonëse ka përfituar nga gara 231 vota, pra 29 vota më shumë se LSI-ja. Nuk dihet nëse ky rezultat ka ardhur si pasojë e pakujdesisë apo rritjes në mënyrë fiktive të minorancës në Këshillin Bashkiak të Ersekës.
SHQIP