Raporti i TRANSPARENCY INTERNATIONAL: Administrata publike, gjyqësori dhe legjislativi janë asfiksuar
Transparency International ka publikuar një studim të fundit në lidhje me korrupsionin në katër vende me cilësi thuajse të njëjta: Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Turqi. Studimi i TI është përqendruar në tre fusha, në administratën publike, në gjyqësor dhe në legjislativ.
Administrata publike
Sa i përket administratës publike, që në fillim në raport thuhet se: Zyrtarët e lartë deklarojnë pasurinë, por trupi përgjegjës për verifikimin e hetimin e tyre nuk ka kapacitetet e duhura për ta bërë këtë gjë.
Sipas raportit, rekrutimi i punonjësve civilë nuk bëhet në bazë të meritave. Ajo çka është më e rëndë në raport është se sipas të dhënave, shqiptarët nuk aplikojnë më për vende pune në administratë, duke e ditur se kush i fiton. Ka pasur një rënie të atyre që aplikojnë për vende punë në administratë, thuhet në raport. Një problem tjetër që nxit korrupsionin, sipas raportit janë edhe pagat e ulëta në administratë. Punonjësit e administratës publike paguhen më pak se pagat e tregut, thekson raporti.
Gjyqësori
Në raport, në pjesën për gjyqësorin mund të konstatosh me lehtësi se kjo qeveri as nuk e vë ujin në zjarr për këtë gjë.
Megjithëse qeveria ka premtuar reforma në gjyqësor, buxheti për të është reduktuar në katër vitet e fundit. Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta në Europë sa i përket gjyqësorit dhe pagat e gjykatësve janë 50 përqind më të ulëta se në Kosovë, thuhet në raport.
Një tjetër problem që theksohet janë edhe kushtet e dobëta të punës. Raporti thotë se Shqipëria ka rreth 350 gjykatës, numri më i ulët për banorë në të gjithë Europën.
Në Shqipëria mendohet se ka hapësirë të mjaftueshme në gjykata për vetëm 5 deri 10 përqind të gjykatësve, thuhet në raport.
Po ashtu theksohet fakti se gjykatësit kanë imunitet nga hetimi, duke mos lejuar kështu luftimin e korrupsionit mes tyre.
Legjislativi
Këto kritika duhet të jenë një shuplakë e rëndë për parlamentin, e sidomos për kryetaren Jozefina Topalli.
Vendimet parlamentare merren pas dyerve të mbyllura dhe pa konsultim. Është praktikë e zakonshme për të mos marrë konsulencën e shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, thuhet në raport.
Parlamenti nuk ka një administratë profesionale e të pavarur, vijon më tej raporti.
Një tjetër problem që pengon luftën ndaj korrupsionit është edhe imuniteti i ligjvënësve. Tre ministra në Shqipëri nuk hetohen për shkak se kanë imunitet, thuhet në raport.