Me cilin janë institucionet?
Një tezë e kahershme politike (në fakt daton qëkurse Bamir Topi u ngjit në presidencë), thotë se kryeministri Berisha nuk është as i fortë dhe aq më pak autoritar. Madje për të thuhet jo rrallë se është një kryeministër i dobët. Për ta provuar këtë, prova më e përdorur nga avokatët e tezës në fjalë, është ajo e mungesës së kontrollit të kreut të shumicës mbi institucionet e pavarura kryesore të vendit.
Ndër to, të parat që përmenden janë padyshim Presidenca dhe Prokuroria e Përgjithshme. Propagandohet me forcë se të dyja këto institucione, me veprimet (apo mosveprimet) e tyre, kanë formuar me kalimin e kohës një mur gome ndaj qeverisë dhe parlamentit, duke i dobësuar këto të fundit.
Së pari, duhet të bëjmë një pakt të vogël fjale. Duhet vendosur se çfarë nënkuptohet me kontroll mbi këto institucione. Së dyti, si të kemi rënë dakord mbi nocionin në fjalë, duhet të shohim a janë vërtet jashtë kontrollit të shumicës këto dy institucione realisht të rëndësishme, por jo shumë të rëndësishme, në optikën konkrete të punëve në këtë vend.
Nëse me kontroll nënkuptohet situata e krijuar në dekadën e shkuar, kur president ishte një anëtar kryesie i partisë në pushtet, kurse prokuror i përgjithshëm një person që se bënte kurrë dysh fjalën e shefit suprem, atëherë Berisha vërtet nuk i ka nën kontroll, as Presidencën dhe as Prokurorinë e Përgjithshme. Shqipëria ka ecur mjaftueshëm gjatë kësaj dekade të mijëvjeçarit të ri, megjithë peripecitë e pafundme, që ky model drejtimi i shtetit të jetë arshivuar një herë e mirë.
Por nga ana tjetër, nëse i hedh një sy produktit real që ka prodhuar armiqësia mes maxhorancës nga njëra anë dhe kreut të shtetit dhe shefit të organit të akuzës, vështirë se do të gjesh arsye të besosh se po konsumohet një luftë e hapur apo e heshtur mes tyre.
Presidenti Topi është një zyrtar vërtet i lartë i shtetit, por njëherësh është një kryetar i dobësuar pafundësisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Pa folur për faktin se ai vetë, me të shkuarën dhe të tashmen e tij, nuk ka shkuar kurrë përtej një oponence të heshtur dhe të kufizuar ndaj ish-partisë që e zgjodhi.
Nga ana tjetër, të njëjtën sjellje, nga pozita të ndryshme, ka adoptuar edhe kryeprokurorja Rama. I dënuari i parë, këto ditë, i ngjarjeve të rënda të 21 janarit, nuk ishte ndonjëri nga personat që vranë demonstruesit para Kryeministrisë, por njëri prej demonstruesve. Për të mos folur për mënyrën e dyshimtë sesi janë mbyllur nga gjykatat, por edhe prokuroria, të çështjeve penale në ngarkim të zyrtarëve të lartë shqiptarë, për Gërdecin dhe rrugën Durrës-Kukës.
Berisha nuk i ka jashtë kontrollit as Presidencën dhe as Prokurorinë e Përgjithshme. Sepse se ka nevojën që ti kontrollojë ato me dhunë politike si dikur. Presioni i ndërkombëtarëve, por edhe logjika pjesërisht e re e kësaj ere politike të pas vitit 2000, ka bërë që kontrolli të sofistikohet dhe të mos i ngjajë më harbutërisë së viteve 90. Aq më tepër që mandati i të dy titullarëve të mësipërm po vjen drejt fundit.
