Rita Ora arrin në Prishtinë (FOTO)
Këngëtarja Rita Ora ka arritur në Prishtinë, një ditë pasi ajo u paraqit në natën e ndarjes së çmimeve MTV Awards.
Këngëtarja është akomoduar në hotelin Emerald.
Por enigmatik kanë mbetur organizatorët e kësaj ardhjeje të kosovares, e cila është pjesë e kompanisë Roc Nation.
Më parë është thënë se Rita Kosovën do ta vizitojë me ftesë të presidentes Jahjaga, por këtë fakt e ka mohuar zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu duke thënë se presidenca nuk ka dijeni për ardhjen e Ritës në Kosovë.
Ato çka janë përfolur në media nuk janë të sakta sepse presidentja, me sa kam informata unë, nuk e ka ftuar në Ritën, tha Vllahiu për Express.
As nga Ministria e Jashtme nuk kanë informacione për Ritën, njësoj sikurse nga Ministria e Kulturës, e cila thuhet se e ka sjellë Ritën në Kosovë, por ajo nuk ka dërguar asnjë komunikatë për shtyp dhe me zyrtarët e saj është e pamundur të flitet në telefon.
Nga ana tjetër mëngjesin e së shtunës lajmin për media e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Kosovapress.
Burime të afërta të kësaj agjencie kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për koncertin e madh që të mbahet të hënën, më 10 shtator, në stadiumin e Prishtinës.
Po sipas burimeve të kësaj agjencie, këngëtarja Rita Ora ka mbërritur në Prishtinë në orën 10 dhe gjatë ditëve që do të qëndrojë në Kosovë, do të akomodohet në hotelin Emerald, në periferi të Prishtinës.
Ky koncert do të mbahet në ditën kur edhe përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës dhe prezenca e Rita Orës këtë festë pritet ta bëjë edhe më madhështore.

