E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ritenderohet mbikëqyrja

Ministria e Infrastrukturës e ka çuar në ritenderim zgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve në Autostradën Vërmicë-Besi. Më 18 maj, është mbyllur afati i ritenderimit. Njohësit e kësaj fushe thonë se është jashtë çdo perceptimi profesional, që Autostrada të vazhdojë të ndërtohet pa mbikëqyrje. Nga Ismail Gashi më 22 maj 2011 në ora 08:09

– Ndërtimi i autostradës Vërmicë-Besi vazhdon pa mbikëqyrje. Pavarësisht faktit se dy seksionet e para janë në ndërtim e sipër, Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka arritur ta zgjedhë një kompani, që do ta kryente këtë punë.

Për me tepër, pas dështimit të tenderit të parë, kjo ministri tashme e ka quar këtë proces në ritenderim. Saktësisht me 18 maj është mbyllur afati i ritenderimit.
Zyrtarë të Ministrisë se Transportit thonë se çdo gjë është duke shkuar edhe më mirë se parashikimet dhe dinamika e planifikuar. Nga ana tjetër, për njohësit e kësaj fushe, është jashtë çdo perceptimi profesional, që Autostrada të ndërtohet pa mbikëqyrje.

Sipas këshilltari Lah Nitaj, afati i ritenderimit tashmë është mbyllur për kompaninë që do të mbikëqyrë cilësinë e punimeve.

“Ka përfunduar afati i ritenderimit më 18 maj dhe tash fillon faza e vlerësimit të operatorit ekonomik të përgjegjshëm”, tha ai.

Sa i përket mbikëqyrjes së punimeve të autostradës, sipas tij, Ministria nuk ka lënë asnjë vakuum, edhe pse tenderi ka dështuar. Ai thotë se që nga dita e parë, Drejtoria e rrugëve në të gjitha kapacitetet e saj është në terren. Raportimet e menaxherëve dhe stafit të Ministrisë nga terreni për punimet janë të shkëlqyeshme. “Vlerësimet e tyre janë pozitive dhe se çdo gjë është duke shkuar si duhet, edhe me cilësinë, edhe me dinamikën, pra çdo gjë po shkon sipas planit, bile edhe më shpejt sesa termat kohorë të planifikuar”, tha ai.

E arkitekti Ylber Vokshi ka thënë për ‘Express’ se mbikëqyrja e punimeve dhe kontrolli i cilësisë është më se i domosdoshëm nga një subjekt i pavarur. “Është jashtë çdo perceptimi tim profesional se a duhet të ketë një subjekt (kompani) të pavarur mbikëqyrëse për të kontrolluar cilësinë e punimeve”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo është e rregulluar me ligjet pozitive në tërë botën, e edhe te ne. Në Kosovën e pasluftës, thotë Vokshi, ndërtuesit janë mësuar të ndërtojnë pa mbikëqyrje të pavarur. As nga ai që e paguan projektin (investitori) dhe as nga ai që e lejon ndërtimin. Për atë e kemi situatën e tillë në fushën e planifikimit hapësinor, urbanizmit dhe të ndërtimit “Këtë çështje as që duhet politizuar. Është hap i domosdoshëm teknik, nëse dëshiron të dish se çka po paguan ( e jo si macen në thes), ku faktori i sigurisë është esencial”, ka thënë Vokshi.

Ndërkohë, për tenderin e parë ku u zgjedh një kompani italiane për t’i mbikëqyr punimet, Autoriteti Kontraktues, MTPT, e pati anuluar, me arsyetimin se kompania në fjalë nuk i kishte kryer disa obligime. E, organi shqyrtues i prokurimit ketë vendim të MTPT-së e kishte vlerësuar si të paligjshëm, duke i rekomanduar Ministrisë që të nënshkruajë kontratën me kompaninë “Merlino Progretti&Politecnica”, e cila kishte fituar tenderin “Mbikëqyrja e ndërtimeve dhe shërbimet e menaxhimit, Rruga 7: Autostrada Morin-Merdar”. Ky ofertues është vlerësuar të jetë i përgjegjshëm nga organi shqyrtues i prokurimit.

Madje, për mosnënshkrim të kontratës, MTPT-ja është gjobitur nga OSHP-ja me 20 mijë euro, duke obliguar Ministrinë që të marrë masa disiplinore në pajtim me Ligjin për shërbyesit civilë edhe për zyrtarin e prokurimit për shkak të përgjegjësisë së tyre në vlerësimin e ofertave.
Në anën tjetër, MTPT-ja ka ‘arsyetuar’ mosnënshkrimin e saj me këtë kompani për vetë faktin se në deklaratën e saj bankare nuk figuron asnjë e dhënë lidhur me vlerën financiare të këtij konsorciumi. Në Ministrinë e Infrastrukturës përsërisin se është dashur të anulohet tërësisht tenderi.

Ndërsa për mospagesën e gjobës së vënë nga OSHP-ja, këshilltari i Ministrisë së Infrastrukturës, Lah Nitaj tha se ky proces është në pritje të një vendimi final pasi që vendimi i OSHP-së është apeluar. “Ne ende nuk kemi një përgjigje finale nga Gjykata Supreme”, ka pohuar Nitaj.

Zëdhënësja e kompanisë që po i kryen punimet e autostradës, Ela Ruçi, ka thënë për ‘Express’ se ‘Becktel & Enka’ po ndërton autostradën e Kosovës në kohë dhe në cilësinë e kërkuar për një autostradë ndërkombëtare të parametrave ndërkombëtare. “Kualiteti i punimeve është vlerë e patjetërsueshme për ‘Bechtel-Enka’, e garantuar nga një staf i plotë, një strukturë që shtrihet nga laboratorët në punën në terren, të supervizuar nga një ekip inxhinierësh të Ministrisë së Transporteve, të cilët dhe me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë supervizojnë punimet në mënyre të përditshme në terren”, ka thënë Ruçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›