Prishtina, peng i politikës
Detyrat që Isa Mustafa i ka përsipër po që i ka harruar, po mundohet t`i përmbushë Besnik Tahiri. Edhe përkundër faktit se e humbi garën e vitit 2009 për kryetar të Prishtinës, ish-kandidati nga radhët e AAK’së, Besnik Tahiri nuk ka hezituar të bëjë kërkesat dhe rekomandimet e tij, sikur të ishte udhëheqës i kryeqytetit. Ai të shtunën ka organizuar një konferencë për media. E tema të cilën kishte zgjedhur ta trajtonte ishte rreth mosmiratimit të Ligjit për Prishtinën.
“Jemi dëshmitarë të një situate të rëndë në kryeqytet që po vjen si rrjedhojë e neglizhencës totale ndaj problemeve shumë bazike në një anë, dhe në anën tjetër fundamentale për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Tahiti në këtë konferencë.
Ai ka theksuar se Prishtina, si kryeqendër, është bërë peng i pazareve politike. Në një anë, sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës po saboton kryeqendrën me mosmiratimin e Ligjit, kurse në anën tjetër nuk ka një kërkesë dhe shtytje konsistente dhe serioze nga qeveria komunale.
“Mos të harrojmë se miratimi i Ligjit për Prishtinën është obligim kushtetues, duke qenë kështu, është absurde që në këtë formë të diskriminohet kryeqyteti i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, kjo situatë prodhon disa dëme.
”Komuna e Prishtinës në mungesë të Ligjit për kryeqytetin ka humbur më së paku rreth 4 milionë euro në vit. Marrë në total, nga viti 2009 kur edhe është iniciuar ky ligj, Prishtina ka humbur mbi 12 milionë euro nga buxheti qendror”, ka llogaritur Tahiri, sipas të cilit, përveç humbjeve buxhetore, mungesa e Ligjit ka reflektuar negativisht edhe në dobësimin e shërbimeve të decentralizuara nëpër lagjet e Prishtinës.
Sipas Tahirit, Prishtina ka humbur donacionin prej hiq më pak se 14 milionë eurosh investime nga Komisioni Evropian. “Ky projekt ka shkuar në Mitrovicë, vetëm e vetëm për shkak të agjendave të tekeve dhe interesave të ngushta politike të PDK-së dhe LDK-së”, u shpreh ai.
Tahiri është shprehur se Prishtina rrezikon që në vitin e ardhshëm t’i humbë edhe rreth 10 milionë euro. Kjo sipas tij, duke llogaritur se në buxhetin e vitit 2010, Komuna nga granti qeveritar i ka marrë rreth 31 milionë euro. “Kurse tani me regjistrimin e popullsisë, Prishtina ka dalë diku rreth 200 mijë banorë, e që i bie që do të marrë rreth 10 milionë euro më pak, pasi që ndarja e grantit qeveritar 89% bazohet për kokë banori”, vlerëson ai.
Mosharmonizimi i projekteve investuese nga ministritë sektoriale, në veçanti ato që ndërlidhen me investimet dhe projektet infrastrukturore, kanë shkaktuar bllokadë në funksionimin e kryeqendrës dhe mbarëvajtjes së jetës në qytet.
Por ndryshe nga Tahiri mendon opozita në Komunën e Prishtinës. Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar nga radhët e PDK-së, thotë se mosmiratimi i Ligjit për Prishtinën nuk e arsyeton mospunën e kryetarit Mustafa.
Veseli tregon se Ligji nuk paraqet pengesë për Komunën e Prishtinës që të jetë më efikase në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. “Ky ligj kurrë nuk ka qenë dhe nuk është pengesë për moszhvillimin e veprimtarisë së udhëheqjes komunale”, shpjegon Veseli për Express.
Ai thotë se nuk është arsyetim i kryetarit të Komunës që për shkak të këtij ligji, i cili ende nuk është miratuar, nuk i kanë arritur sukseset e deritanishme të Komunës.
“Kjo neglizhencë dhe dinamikë jo e theksuar për realizimin e projekteve është dështim i vetë kryetarit, gjegjësisht i ekipit që ai ka”, thotë opozitari Shemsi Veseli, duke e quajtur një justifikim të pandershëm punën e ligjit si arsyetim të mossuksesit të tij.
“Nëse Komuna ‘vepron’ drejt, ky ligj nuk e pengon takimin e kryetarit me bashkësitë lokale dhe qytetarët”, u shpreh shefi i opozitës.
Sidoqoftë, sipas Veselit, Ligji për Prishtinën i ka specifikat e veta, i cili mbështetet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, ligj ky i cili është i miratuar dhe mund të ekzekutohet.
Rekomandimet e Tahirit
Sipas Besnik Tahirit, Qeveria duhet ta miratojë Ligjin për Prishtinën më së largu deri në qershor të këtij viti, në mënyrë që ky ligj të bëhet obligim ligjor për Qeverinë, në mënyrë që të ndahet vija buxhetore për zbatimin e këtij ligji duke alokuar resurset dhe buxhetin e nevojshëm. “Duke qenë se është me urgjencë që ndryshimi i Ligjit për buxhet (rishikimi buxhetor) të bëhet më së largu deri në korrik të këtij viti, Qeveria obligohet që krijojë grupin punues për modifikimin e këtij ligji”, ka thënë ai. Tahiri ka theksuar se AAK-ja kërkon që ligji aktual të amendamentohet në bashkëpunim me ekspertë dhe profesionistë, të cilët do të fuqizojnë draftligjin aktual. Sipas tij, përqindja e buxhetit komunal nga granti qeveritar të jetë e rregulluar saktë me ligj (4 ose 5 për qind), në mënyrë që të mos ketë konfrontime të vazhdueshme në këtë aspekt, midis qeverisë komunale të Prishtinë dhe qeverisë qendrore të vendit. Gjithashtu ai ka thënë se Pallati (Qendra) e Rinisë duhet të jetë nën menaxhim të Komunës së Prishtinës, sepse kjo u takon qytetarëve të Prishtinës. “Në të kundërtën, AAK-ja do të kërkojë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të mandatojë komisionin përkatës parlamentar për hartimin e ligjit për kryeqendër, në mënyrë që të përmbushet obligimi kushtetues dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve.
Për këtë, AAK-ja kërkon nga Komuna e Prishtinës që të jetë më aktive në përfaqësimin e interesave të qytetarëve duke qenë këmbëngulës në adresimin e të drejtave që u takojnë”, ka thënë Tahiri.