E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyllet panairi “Expokos 2011”

Nga Express më 21 maj 2011 në ora 19:37

Gjatë katër ditëve sa ka qenë i hapur për vizitorë panairi për ndërtimtari, energjetikë, teknikë dhe industri e drurit “Expokos 2011” ka rezultuar të jetë i suksesshëm, vlerësojnë organizatorët dhe ekspozuesit.

Panairi “Expokos 2011” gjatë këtyre ditëve ishte në qendër të vëmendjes të komunitetit të biznesit, ekspertëve të fushave të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës dhe industrisë së përpunimit të drurit.

Njëri ndër organizatorët e panairit, Lulzim Krasniqi nga CEO, konsideron të suksesshëm këtë panair, pasi ka arritur të mbledhë shumë kompani nga vendet të ndryshme të regjionit dhe më gjerë. Ai thotë se për shumë kompani panairi ka rezultuar të jetë i dobishëm, pasi që janë realizuar marrëveshje të ndryshme.

“Ekspokos në këtë vit të tij, të dhjetin jubilar, ka shënuar një ngritje jashtëzakonisht të madhe si nga numri i kompanive ekspozuese dhe aspekti i arritjes së efekteve të prezantimit të kompanive që vinë në panair. Për këto vite ky panair ka shënuar rezultate në ndërkombëtarizimin e tij si një ngjarje e rëndësishme komerciale, i cili e ka futur edhe Prishtinën në agjendën ekonomike ndërkombëtare, gjegjësisht ne pjesën e industrisë së panaireve”, ka thënë Krasniqi, per KosovaPress.

Serioziteti i organizimit ka bërë që në këtë panair të jenë pjesëmarrës 360 kompani të ndryshme. Njëra ndër to ishte edhe kompania “Front” nga Prishtina. Jeton Veseli, drejtor i kësaj kompanie, thotë se pjesëmarrja në këtë panair ka rezultuar të jetë i suksesshëm, pasi ka arritur marrëveshje të rëndësishme.

“Besoj që e kemi arritur qëllimin me këto katër ditë të pjesëmarrjes tonë në këtë panair, ku një numër i madh i vizitorëve qoftë në fushën teknike, inxhinerike, arkitekturës apo edhe investitorë të ndërtimit kanë mundur t’i shohin produktet dhe shërbimet tona që ne i ofrojmë për tregun e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Sa i përket numrit të vizitorëve, ai shprehet i kënaqur, pasi sipas tij, stendën e firmës “Front” gjatë këtyre ditëve e kanë vizituar rreth 300 vizitorë.

“Expokos” është i njohur edhe për prezencën e kompanive nga vende të ndryshme. Stefan Geser, pronar i kompanisë “Geser” nga Gjermania që prodhon pajisje të sistemit gjeotermal, është ndarë i kënaqur me panairin, ku vizitorët kanë pasur mundësi të njihen me produktet që ofron kjo kompani.

“Ky panair më ka shtyrë të vijë dhe të ju prezantoj njerëzve, për të parë se si funksionon sistemi i gjeometrisë dhe sa është i zbatueshëm ky sistem, i cili përdor energjinë e tokës, me qëllim që të mos përdoret vetëm druri, ose gjera tjera që kanë shpenzime të mëdha”, shprehet Geser.

Ndryshe, si pjesë e aktiviteteve të panairit u mbajtën prezantime interesante nga ekspertë të fushës së ndërtimit, izolimeve dhe tema tjera interesante. Gjatë edicionit të sivjemë panairi Expokos u shqua për ekspozimin e risive të shumta teknologjike, si energjia efiçente, sistemet e izolimeve që ndikojnë në kursimin e energjisë etj.

Pjesë e panairit ishin institucione dhe asociacione të rëndësishme si Agjencia për Promovimin e Investimeve APIK, Odat Ekonomike nga Kroacia, Gjermania, Greqia, Agjencioni Slloven për Investime, USAID, Shoqata e Arqitektëve të Kosovës, Komisioni Italian për Tregti, etj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›