E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ritme të shpejta punimesh për të përmbyllur veprën që do të lehtësojë trafikun në kryeqytet

    Në një prej kantiereve të Unazës së Madhe po punohet ditë e natë me ritme të shpejta për të përmbyllur këtë vepër brenda një kohe sa më të shkurtër.   Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe drejtori i ARRSH, Ergys Verdho, inspektuan mbrëmjen e së mërkurës punimet në kantierin e Unazës së Madhe.

“Jemi në kantierin e lotit dy të Unazës së Madhe pjesa Lindore, një zonë komplekse kjo ku kemi pasur problematika duke nisur nga shpronësimet por edhe tek kompleksi gjeologjik që kemi hasur jemi ndeshur ndeshur me problematika që po i japim zgjidhje por na kanë kushtuar kohë”- u shpreh Balluku

“E rëndësishme është që këtu punohet ditë dhe natë dhe ndërkohë po vijohet me pjesën e projektimit të pjesëve të tjera nga Paskuqani- Bulevardi i Ri – tek Shqiponja. Kam kërkuar nga grupet e punës që duhet përveç kujdesit të jemi sa më të shpejtë pasi trafiku i Tiranës është i rënduar dhe këto vepra janë në shërbim të të gjithë Shqipërisë pasi lidhen me pikat hyrëse nga veriu dhe Durrësi”- tha ajo.

Ajo theksoi se në këtë kantier po bëhet një punë e rëndësishme sepse do të ndërtohen edhe disa tunele.

Duke u ndalur në vështirësitë gjeologjike të kësaj zone Balluku u shpreh se “tashmë jemi mësuar me problematikën ujore të nëntokës së Tiranës. Objektivi është që të përfundojmë përpara qershorit duke lehtësuar kështu ndjeshëm qarkullimin”.

Balluku tha se kjo zonë ka paraqitur edhe probleme me procesin e shpronësimit për shkak se ka pasur shumë ndërtime informale, por siç theksoi ajo “procesi i shpronësimit po vijon dhe jemi mundur që ta zgjidhim për të gjithë ata që preken nga ndërtimi i kësaj vepre”.

“Ne po ndërtojmë rrugë të reja nga fillimi dhe problemet me zonat informale, patjetër që na kushtojnë kohë por nuk ka asgjë pa zgjidhje dhe në bashkëpunim edhe me mirëkuptimin me banorët ne i kemi zgjidhur ato”, u shpreh Balluku.

Drejtori i ARRSH-së tha se kjo zonë ka paraqitur problematikë gjeologjike por me ndërhyrjet e bëra po superohen edhe këto vështirësi.

Ai tha se, janë 3 mbikalime që do të ndërtohen ndërsa lidhja me lotin 1 përfundon javën që vjen. “Më në fund e hapim lotin 1 që bëhet i aksesueshëm nga të gjithë nga TEG deri tek parku i helikopterëve 14 km i gjatë”, u shpreh Verdho.

Në pranverë, sipas tij, parashikohet përfundimi i kësaj vepre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›