E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rizgjimi i madh” i Genti Tavanxhiut

 

Genti Tavanxhiu, artisti shqiptar që jeton prej vitesh në Itali, për të tretën herë me radhë merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Artit Kontemporan në Sulmone. “Rizgjimi i madh” një vepër e punuar në gur të kuq, me bazë 80 centimetra, ka bërë që kritikët më të njohur sot në Itali, siç janë Giorgio di Genova, Rosario Pinto Giorgio Seveso, Dino Pasquali etj., të përzgjedhin veprën në skulpturë të shqiptarit për të qenë pjesë e këtij festivali. Punimet e Tavanxhiut janë mirëpritur edhe herët e tjera nga kritikë të ndryshëm si dhe nga vetë publiku i Sulmones. Skulptura në format e saj lakonike të jep përshtypjen e diçkaje në tension e të paqëndrueshëm, diçka që lëviz ngadalë e që zgjohet nga një gjumë i gjatë, ose nga një katastrofë ambientale dhe prezanton simbolikisht forcën jetësore të natyrës që në vazhdueshmëri rinovohet dhe rigjenerohet. Struktura e operës shpreh ambientin primordial të tokës, në veçanti momentin pasues të atij katastrofik që ka ndryshuar rrënjësisht sipërfaqen tokësore e ku gjithë gjallesat duhet t’i adoptohen në ambientin e ri për të mbijetuar. Nga sipërfaqja e ngjyrës së kuqe të gurit që të ngjan me sipërfaqen e një shkretëtire, del e lëviz një strukturë primitive që kërkon të eksplorojë ambientin e ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›