E Diel, 1 Nëntor 2026

Robert Aliaj - Pse guxova ta fyeja publikisht Albanon



klotilda harka

Kundër rrymës para viteve 90-të, kundër rrymës tani. Duket si një artist që i pëlqen të jetë gjithnjë kundër, ashtu si dhe tek “Gjeniu i vogël”, ku përfaqëson gjykuesin e rreptë të talenteve të vegjël. Por Robert Aliaj zbulon natyrën e tij origjinale dhe të hapur. çka ndodhur me jetën e tij pas viteve ’90-të, karriera me artin figurativ, dhe muzika si dashuri e plagë e vjetër, i sjell në një rrëfim të veçantë për veten
Robert, jeni i vetmi që bëni zhurmë në spektaklin “Gjeniu i vogël”? Si do ta komentonit?
Mos doni të thoni që diversiteti dhe objektiviteti bën zhurmë? Padyshim unë kam një qëllim të jem vetvetja, të përpiqem të vendos një logjikë në mënyrën se si duhet gjykuar në një eveniment si “Gjeniu i vogël”, ku përveç aspektit zbavitës, rëndësi të veçantë merr edukimi, formimi i tyre.
Si e shikoni përfshirjen tuaj në këtë spektakël, çfarë modele këngëtarësh sugjeroni?
Unë nuk dua të investoj kohën time për të përgatitur këngëtare si zëvendësues tellallesh, joooo. Por artistë që do të kuptojnë se arti është në radhë të parë një ngacmim intelektual, një ide, një angazhim. Me këngën, zogjtë komunikojnë emocionet e tyre, por transmetojnë edhe mesazhe. Pra, të këndosh nuk është vetëm një akt instiktiv, por mbi të gjitha tek ne njerëzit duhet të ketë dimensionin human që mungon te kafshët, shpezët, etj.
Ju nuk kurseheni me revoltë ndaj anëtarëve të tjerë të jurisë si; Robert Radoja, Alma Bektashi, Nertila Koka. Keni ndonjë koment për secilin prej tyre. çfarë ju veçon nga ata?
Mendoj se pyetja më e saktë duhej të ishte: ç’të përbashkët kemi ne? Ne jemi shqipfolës, ka edhe dialektfolës në juri. U përkasim dy botëve të ndryshme. Ideja nuk është që unë t’i kryqëzoj ata, por së bashku të kryqëzojmë një mentalitet të prapambetur. Nënshtrimi është përbuzës, unë do të kisha të drejtë të revoltohesha, të ndjehesha i fyer, nga përulja dhe nënshtrimi që demonstruan ata para Albanos, në prezencë të fëmijëve tanë. Këtu është e rëndësishme të kuptojmë mesazhin që duhet t’u përcjellim fëmijëve tanë të Gjeniut. Prania e Albanos tek Gjeniu ishte një provë e qartë se respekti është konfonduar me nënshtrimin, ashtu siç polici ndonjëherë të jep përshtypjen e dordolecit. Dhe kur ky kompleks demonstrohet nga vetë artistët tanë, është tepër e rëndë. Respekti është reciprok. Albano vjen në Shqipëri me një repertor, që do ta kishte zili vetëm gjyshja ime….. Nuk më intrigon. Pastaj, kuptohet që dëshira për të kënduar shqip i mungon, por këtu kemi mungesë elegance dhe injorim kundrejt një audience që po e himnizon me të padrejtë, dhe që e vendos vetveten në një pozicion inferior dhe poshtërues. Atëherë shtrohet pyetja: Meriton publiku shqiptar përbuzjen? E meriton Albano respektin tonë? Cili është kontributi i tij në muzikën dhe kulturën tonë? Please!
Për ju janë normale debatet që ju shkaktoni në atë skenë vetëm me fëmijë?
Nëse debatojmë s’ka asgjë negative dhe të qëllimshme. Nuk duhet të keqkuptohemi dhe nuk ka vend për t’i marrë këto debate si konflikte personale. Vizioni nga i cili unë gjykoj, vjen nga një eksperiencë dhe ballafaqim me artistë dhe hapësira artistike internacionale, ku gatuhen vlera artistike të vërteta dhe me një gjuhë artistike ndërkombëtare. Unë nuk jam një këngëtar lokal, karriera e të cilit kufizohet me aktivitete dasmash ose lokalesh, ose në rastin më të mirë, ndonjë festival që mbi të gjitha është një konfrontim vlerash midis artistëve lokalë. Në fund të fundit unë vij këtë vit në skenën e “Gjeniut të vogël” mbas shumë aktivitetesh, vlera e të cilave nuk mund të konceptohet nga një këngëtar provincial.
Cilat janë këto aktivitete, cila ka qenë karriera juaj këto vite?
Për shembull Bienialja e Venecias, Bienialja e vendeve të Balltikut, në “New York Night Visions” në Nëntorin e kaluar dhe ajo në Miami në USA. Shumë të tjera në Bruksel, Athinë, Teheran, etj. Qëllimi nuk është të flas për veten time, por përpara se të hapim gojën le të hapim mendjen. Të reflektojmë te fëmijët respektin për artistët shqiptarë mbi të gjitha dhe le të vlerësojmë njëri-tjetrin, t’u japim atë që meriton. Ne nuk duhet të masim forcat tona në një konkurs femijësh. Unë tentoj të ngacmoj dhe të zhvillojmë një debat pozitiv dhe konstruktiv, që do t’i shërbente rolit tonë si gjykues e kritik të fëmijëve.
Ju kujtoheni si këngëtari i dashurisë në vitet ’80. Keni qenë ju një artist i kontestuar, mund të rrëfeni ndonjë paskuintë nga festivalet atëherë?
Unë kam qenë ai që jam. E vetmja gjë që do të them është: që unë refuzova të vazhdoj të këndoj sepse m’u bë e pamundur të shprehja ato shqetësime që kisha si artist në raport me muzikën.
Duket sikur keni lënë një rrugë përgjysmë në muzikë, do t’i riktheheni tani dhe në ç’mënyrë?
Besoj se ka mbijetuar te mua dëshira për muzikën. Eshtë një dashuri dhe plagë e vjetër, që po u rindez, besoj do të shprehet në përmasë të plotë.
Por çfarë ka ndodhur me jetën tuaj pas viteve ’90. Karriera juaj artistike dhe jeta private?
Që t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje nuk do më mjaftonin orë, por besoj se ja kam dalë mbanë të ruaj një ekuilibër dhe klimë të shëndetshme midis karrierës dhe jetës familjare. Secila ka marrë prioritetin e duhur në momentin e duhur.
çfarë ju ngacmon më tepër në këtë fazë të krijimtarisë suaj, ç’botë është ajo që mund të gjendet në pikturat tuaja?
Piktura ka qenë pika e nisjes e gjithë aktiviteteve që unë kam lëvruar e manifestuar. Në vitet ‘90, unë e braktisa muzikën, sepse ajo më la një shije të hidhur, edhe pse ishte pothuajse e pamundur të arrija ato që kisha në kokë.
Një pyetje për pamjen, stilin, look-un tuaj…. është Roberti që fsheh moshën e artistit, apo artisti brenda tij e bën Robertin të ndihet i ri?
Unë jam një i ri tepër naiv për të menduar një strategji, të fsheh atë që nuk është. Nuk më pëlqen të fshihem mbas gishtit tim të madh. Mendoj se ëndërrimi dhe pasioni më kanë mbajtur në formë, për aq kohë sa do të jem i aftë të ëndërroj, besoj ta dominojë mplakjen biologjike.
Shumë pak e dinë që ju jeni baba, a keni zbuluar gjeniun te vajza juaj e vogël?
Unë mbi të gjitha jam babai i një djali, pastaj edhe i vajzës. Gala, vajza ime, ka marrë shumë nga temperamenti im, është shumë ekspresive dhe intuitive, ka shumë ndjenjën e ritmit dhe poezi në gjithë qënien e saj. Vizaton, këndon dhe vallëzon shumë dhe me shumë sensualizëm. Besoj se nuk do t’i zhgënjejë parashikimet tona dhe dikur shpresoj se do t’i ngjitet dhe Gala shkallëve drejt podiumit të “Gjeniut të vogël”. Unë mendoj se te çdo fëmijë fshihet një gjeni i vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›