E Diel, 1 Nëntor 2026

Robert Bosch: Ish-krerët e UÇK-së, të pafajshëm

PRISHTINË, 15 nëntor/ATSH/ Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, beson se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të shpallen të pafajshëm.

Bosch, në një intervistë për Ekonomia Online, ka nënvizuar se procesi ndaj tyre po shkon ngadalë dhe është tejzgjatur.

Në këtë intervistë ai foli edhe për raportet e Kosovës me ndërkombëtarët, duke theksuar se situata politike në Kosovë ka ndërruar dhe se mungesa e një qeverie shkakton pasoja.

Ish-ambasadori, Robert Bosch, tha se deklarata e gjeneralit Wesley Clark në Hagë do të jetë e njëjtë me të tjerat, sipas të cilave brenda UÇK-së nuk ka pasur organizim të tipit hierarkik.

“Ai (Wesley Clark) ende nuk e ka dhënë deklaratën, por unë e di sigurisht se çfarë do të thotë. Ai do të përsërisë të njëjtën gjë që kanë thënë edhe të tjerët: se brenda UÇK-së nuk ka pasur një organizim të tipit hierarkik, nga lart-poshtë apo çfarëdo forme tjetër të centralizuar. UÇK-ja ka qenë një organizatë e decentralizuar. Këtë do ta konfirmojë me siguri, sepse natyrisht nuk do t’i kundërvihet kolegëve të tij. Dhe në fakt, ai ishte personi nga i cili unë zakonisht merrja informacionet kur merrja pjesë në ato përditësime”, tha Bosch.

Sipas ish-diplomatit, “procesi po ecën shumë ngadalë, siç dihet, por tani të paktën po mundohen ta finalizojnë me dëshmitarët e prokurorisë. Sipas asaj që mbaj mend dhe di, kjo fazë do të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërsa aktgjykimi pritet vitin e ardhshëm. Megjithatë, siç e kam thënë edhe më herët, mendoj se aktgjykimi do të rezultojë me lirimin e të gjithëve”, tha ai.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.

/Ekonomiaonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›