E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roberto Saviano urren "Gomorrën"

E urrej "Gomorrën", e urrej me gjithë zemër. Roberto Saviano ka zgjedhur një gazetë angleze për të rrëfyer një të vërtetë shumë të thjeshtë, por deri më sot të paprovuar: shkrimtari e urren kryeveprën e tij, të cilësuar si "libri i mallkuar" apo si "gozhda e përjetshme në shpinë". "Gomorra" e ka dënuar me azil, me një ekzistencë të lënë përgjysmë, e ka bërë t‘i thotë lamtumirë lirisë, rutinës së mrekullueshme që fal e përditshmja, e ka bërë që të mos e shijojë më deri e as dëborën, madje as një shtëpi normale nuk e ka më, më shumë akoma, ai, prej kryeveprës së tij, nuk mund të shijojë dot as një darkë me miqtë. Një "jetë m...", shkruan Saviano për "The Times". Një ndjesi e ligjshme kjo që shkrimtari ka shprehur, sepse prej tre vitesh është i detyruar të lëvizë i shoqëruar nga një eskortë (nën heshtje ama, për të mos zhgënjyer kënaqësinë e adhuruesve që janë ngaherë në kërkim të martirëve dhe të heronjve). "Tani janë më të pjekura kohët", vazhdon më tej ai, "dhe unë kam të gjithë të drejtën të tregoj keqardhjen time, duke menduar me shumë nostalgji për kohën kur isha një njeri i lirë. Unë e urrej "Gomorrën".

Kjo është hera e parë që Saviano e lë veten të lirë të shpërthejë për të shprehur të gjithë hidhërimin mbi atë libër që i solli famën dhe suksesin, (duke u përkthyer në 40 vende të botës, edhe në gjuhën shqipe), por që i fali edhe një të jetuar si në ferr. Po 2 milionë kopjet e shitura? "Nuk kam shumë për të festuar", thotë ai. Përshkrimi që i bën makina mediatike librit është i butë, por ndihet ankthi që përcjellin, sepse janë në kërkim të heronjve të cilët jo gjithnjë arrin t‘i mbrojë. E shpesh, për të mos zhgënjyer lexuesit, intervistuesit e zellshëm e pyesin: "U pendove që e shkrove këtë libër?", dhe Saviano deri më tani e ka kaluar provën me një përgjigje mjaft diplomatike: "Jam penduar si njeri, por jo si shkrimtar". Atij i pëlqen t‘ia përsëritë këtë fakt lexuesit të tij. "Përgjigjem në këtë mënyrë për të treguar se ende më ka mbetur një fije përgjegjësie civile", shpjegon shkrimtari nga kolonat e "Times". Por e vërteta është një tjetër. "Kur kaloj para ndonjë librarie dhe shikoj ‘Gomorrën‘ në vitrinë, kthehem menjëherë nga ana tjetër". Urrejtje dhe kaq. Këtë Saviano deri më tani nuk ka mundur ta tregojë, ndoshta prej frikës nga ndonjë refuzim. Shkrimtari ndjente si detyrim të mbronte imazhin prej luftaraku, i aftë të "durojë vuajtjet në heshtje", gati, pavarësisht të gjithave të shkruante edhe një mijë herë të tjera atë kryevepër "të mallkuar". Por e vërteta është shumë herë më e thjeshtë se kaq, është ajo e një djali ende 30-vjeçar që kërkon një jetë normale, të shikojë detin apo të vazhdojë jetën pa pasur frikë. A je penduar? Përgjigjja është një "po" e thatë. Sikur ta dinte se me se do të përballej, Saviano një libër si "Gomorra" nuk do ta kishte shkruar asnjëherë. "Megjithatë unë e kam shkruar dhe tani po paguaj pasojat çdo ditë të jetës sime". Dhe jeta e tij është një arrati e vërtetë, çdo minutë i survejuar, shpesh jeton nëpër apartamente të errëta, mbytëse, pa ballkone as veranda, në më të shumtën e rasteve apartamente të zhytura thellë periferive. I paimagjinueshëm një bashkëbisedim në qendër. Shkrimtari shoqërohet nga dy automobila të blinduar dhe pesë burra. "Prej tre vitesh shtëpia ime është vetëm një valixhe dhe një çantë me libra e një kompjuter", shkruan Saviano. I vetmi çlirim, është solidarizimi i lexuesve të tij, apo ai i shkrimtarëve si Salman Rushdie, që shpesh tregon se si duhet të mbrohet prej atyre që nuk janë dashamirës, ndaj njerëzve që prej frikës, nuk mund të ndajë me askënd qoftë edhe një fluturim me avion. "Thërrit gazetën më të rëndësishme të atij qyteti dhe denonco shoqërinë ajrore që të refuzon: menjëherë do të jenë nën këmbët e tua". Dhe Saviano këtë këshillë e ka ndjekur me mjaft sukses. Bir i një nëne mesdhetare, e dashur dhe e kujdesshme siç e do tradita, shkrimtari ndër të tjera rrëfen edhe si lindën shkrimet e tij të para, i përfshirë në punët e shtëpisë, hekurosje e natyrisht, gatim. Kujton me shumë dashamirësi një grua që në Napoli e kishte bërë zakon t‘i binte ziles së shtëpisë për t‘i lënë ushqime nga ato që nënat gatuanin për djemtë ushtarë. "Vetëm duke i parë ato pjata ndihesha sikur isha në shtëpi. Një ngrohtësi e ndërprerë keqazi nga urdhri për t‘u nisur në një tjetër destinacion. I ashpër është edhe gjykimi mbi vendin ku fati vendosi të lindte, "ku vërtet ka reshtur së ekzistuari". Më shumë se nga vdekja, Saviano ka frikë nga aktiviteti i të keqinformuarit që promovohet nga pushteti i kriminelëve. Në mënyrë të veçantë nga Kamorra, e cila ka nisur të veprojë për të hedhur baltë mbi emrin e tij, për të vënë në dyshim besueshmërinë dhe të gjitha ato për të cilat shkrimtari ka jetuar deri më tani. Një fushatë shpifëse që ka rreshtuar viktimat e saj. Një përbaltje që rrezikon të përfshijë edhe organet e informimit publik. "Sapo shtypi kombëtar tregon vëmendje ndaj teje, nisin të qarkullojnë thashetheme dhe histori mbi ty. E vërteta është që të quajnë fajtor deri sa të tregosh të kundërtën. Atëherë mediat tërhiqen pas, në guaskën e tyre". Makthi i tij nuk është një plumb kriminal, por fakti se mund të bëhet pis nga Kamorra dhe të mos jetë dot i aftë të vetëmbrohet. "Mbi të gjitha kam frikë se nuk do të mbroj dot fjalët e mia".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›