Rrezikohet nga përmbytja Tuma Ilire e Kamenicës
Muzeu natyror i Tumës Ilire të Kamenicës rrezikohet nga përmbytjet e ujit që fshatarët përdorin për vaditje. Një investim që synonte të përmirësonte infrastrukturën e kësaj qendre muzeore, e para e këtij lloji në vendin tonë, duket se ka shkaktuar dëme në drejtim të largimit të ujërave, të cilat tani përfundojnë brenda strukturave të kësaj tume. Prej disa ditësh, është konstatuar vërshimi i ujit brenda ambienteve të Tumës së Kamenicës, duke mos u shkarkuar dot prej pusetave që ndodhen anës rrugës. Uji që fshatarët e zonës përdorin për vaditje depërton brenda në tumë dhe ka sjellë krijimin e pellgjeve e shumë shpejt mbirjen e barishteve mbi strukturat arkeologjike të kësaj qendre muzeore. Alarmin për dëmtimin që po i bëhet Tumës Ilire të Kamenicës e jep arkeologu Skënder Aliu, një prej atyre që kanë punuar jo vetëm për zbulimet e kryera në të gjatë ekspeditave të disa viteve më parë, por edhe për shndërrimin e saj në një muze natyror. Aliu tha se një investimi prej 15 milionë lekësh për asfaltimin e rrugës që lidh Tumën Ilire të Kamenicës me atë nacionale Korçë-Ersekë, jo vetëm që nuk ka përfunduar por nuk është realizuar si duhet. Kjo për faktin se në projekt nuk janë parashikuar ndërtimi i pusetave shkarkuese të ujit që rrjedh në kanalet anësore. Arkeologu vijoi më tej duke shprehur se fshatarët e zonës përdorin për ujitje ujin e një kanali që ndodhet 150 metra larg Tumës dhe nga prurja e tij ka dëmtime edhe ky muze natyror. Kjo gjendje e krijuar kohët e fundit është rënduar edhe nga rënia e shirave dhe strukturat brenda Tumës Ilire sa vijnë e mbushen më shumë me ujë dhe mbulohen nga barishtet që gjejnë terrenin e përshtatshëm për t‘u zhvilluar. Arkeologu Aliu thotë se në këtë situatë të krijuar po shkon dëm një punë e gjatë dhe e mundimshme për ta kthyer Tumën e Kamenicës në një muze natyror, të parin në vendin tonë. Tre vjet më parë, u zbatua projekti për ta shndërruar këtë vendvarrim të hershëm ilir dhe me zbulime të rëndësishme arkeologjike në modelin e një muzeu natyror, mjaft të vizitueshëm. Aliu thotë se përmbytja shpejt do ta kthejë në një moçalishte, duke e humbur edhe interesin e vizitorëve.