Robinjo mes lotëve, nuk do të jetë në Pekin
Robinjo ka mbetur jashtë skuadrës olimpike të Brazilit, që do të luajë në "Pekin 2008", pasi stafi mjekësor i Realit të Madridit ka pikasur një dëmtim te sulmuesi. Nga ana e saj, Federata Braziliane e Futbollit e ka kritikuar ashpër klubin "merenges": "Ky është një veprim në dëm të pastërtisë në futboll, si dhe në dëm të popullit brazilian". Fizioterapisti i "Selesaos" tha se Robinjo vuante nga pubalgjia, por se ai do të ishte krejtësisht i gatshëm përpara fillimit të lojërave olimpike. Nga ana e tyre, mjekët e Realit deklaruan se e zbuluan dëmtimin e 24-vjeçarit gjatë testeve rutinë që u bënë gjithë futbollistëve, përpara fillimit të fazës përgatitore. "Gjëja më e mirë për futbollistin është të qëndrojë me Realin në Austri, për të zhvilluar një fazë përgatitore të kujdesshme. Faza përgatitore për të do të jetë edhe një lloj rehabilitimi. Me pubalgjinë askush nuk mund të bëjë shaka dhe asnjëherë nuk mund të parashikohet periudha e riaftësimit." Vetë Robinjo e ka marrë shumë keq lajmin e mungesës në lojërat olimpike. Menaxheri i tij, Vagner Ribeiro, tha se nuk e kishte parë asnjëherë kaq të trishtuar brazilianin. "Robinjo është djalë i qeshur, në 24 orë, - tha ai. - E kam parë të trishtuar vetëm kur i rrëmbyen nënën në Brazil. Këtë herë ishte shumë i mërzitur dhe, kur i thashë se nuk do të luante në Pekin, shpërtheu në lot." Në vend të Robinjos, trajneri i Brazilit, Karlos Dunga, grumbulloi mesfushorin 21-vjeçar të Kruzeiros, Ramirez.