E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Jam i dëshpëruar me pesëshen e BE-së

Diplomati austriak Albert Rohan ka shprehur zhgënjimin e tij me pesë vendet e Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë duke folur për kryerjen e obligimeve të Kosovës deri në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur ka thënë se ka edhe shumë për t’u bërë, por sipas tij një proces i tillë do të përfundoj në shtator.

Rohan këto komente i bëri gjatë një ligjëratë në Shkollën Politike të Prishtinës (PIPS), ku nuk ka ngurruar edhe të përgjigjej në shumë pyetje për tema të ndryshme.

I pyetur se ka zhgënjim pas pavarësimit të Kosovës, Rohan nuk ka ngurruar të thotë që ka zhgënjim me pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Jam i dëshpëruar me pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë, sepse është gabim dhe për keqardhje. Mosnjohja e tyre nuk ka të bëjë me Kosovën, por me çështje të brendshme të tyre, por që pengon stabilizimin e këtij rajoni. Miqtë e mi në Serbi më thonë si ta njohim pavarësinë e të jemi më pak patriotë se grekët, sllovakët etj”, ka thënë Rohan.

Diplomati austriak ka folur edhe për procesin e përmbylljes së pavarësisë së Kosovës, që sipas tij, do të përfundoj deri në shtator, edhe pse Kosova ka shumë obligime për të kryer deri në atë kohë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›