E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohrabaher: Fotoja Rama-Obama, janë shkelur ligjet elektorale



Fotoja e Edi Ramës me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama, e bërë në tetor të vitit të kaluar dhe e publikuar në hapje të fushatës elektorale, ka ngritur jo pak shqetësime në Kongresin e SHBA-ve. Për të bërë këtë foto, kreu i PS-së, Edi Rama dyshohet se ka përdorur biletën e një gruaje, e cila kishte paguar 80 mijë dollarë, për të qenë e pranishme në darkën e mbledhjes së fondeve, tetorin e kaluar në San Francisko. Të paktën kështu pretendon kongresmeni Dana Rohrabaher, i cili i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të nisë hetimet për atë që ai e quan si një mashtrim të Edi Ramës. Letrën drejtuar Prokurorit Federal, Rohrabaher e ka publikuar dhe në ëebsajtin e tij. “Edi Rama, kandidat për Kryeministër në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ka publikuar shpesh një foto me Presidentin Obama, me shpresë se kjo do ta ndihmojë atë të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Çështja është se fotoja mund të jetë rregulluar me ndihmën e një kontributi të madh fushate, që pretendohet të jetë bërë nga një shqiptar i Nju Xhersit. Është raportuar se Bilal Shehu dhe gruaja e tij kanë blerë dy bileta 40 mijë dollarëshe, për fondin e Obamës 2012, të mbajtur në mbrëmjen e 8 tetorit 2012. Gruaja nuk mori pjesë dhe biletën e saj e përdori z. Rama për të pasur mundësinë të pozojë me Presidentin Obama. Është supozuar në shtyp se 10 mijë dollarë nga paratë e biletave ishin për të siguruar foton”,- shprehet kongresmeni Dana Rohrabaher. Asokohe kreu i PS-së, Edi Rama njoftoi takimin me z. Obama në profilin e tij në Tëitter, duke e cilësuar atë si “një takim të paharruar”. Por kongresmeni Rohrabaher, flet për financime të dyshimta që mund të jenë pjesë e një skeme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. “Z. Shehu është një shofer limuzine, i cili raportohet se nuk ka dhënë kurrë para më parë për një fushatë. Është e dyshimtë nëse familja Shehu ka paguar 80 mijë dollarë në një ngjarje të fushatës, apo për të fluturuar nga shtëpia e tyre në Nju Xhersi për në Kaliforni. Nga erdhën këto para? Shtetas të huaj si Rama e kanë të ndaluar të kontribuojnë në fushatat zgjedhore të SHBA-ve dhe pastrimi i parave përmes dikujt tjetër përbën krim. Që financime të dyshimta mund të jenë pjesë e një skeme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, një aleate e NATO-s, e bën këtë një çështje të vlefshme për hetim”,-tha kongresmeni Dana Rohrabaher. Kongresmeni thotë se mund të jenë shkelur ligjet elektorale në SHBA dhe në Shqipëri dhe se shqiptarëve u është servirur një foto tërësisht e rremë. “Ligjet elektorale të dy vendeve mund të jenë shkelur. Të paktën popullit shqiptar i është servirur një foto që është tërësisht e rreme, sepse ajo është në lidhje me Presidentin Obama, është mashtrim. Nëse janë përdorur financime të huaja për këtë foto do të thotë se ligjet amerikane janë shkelur dhe se kjo foto është përdorur për të sajuar një lidhje të vazhdueshme, mbi popullin shqiptar po kryhet një mashtrim”, - thotë kongresmeni Dana Rohrabaher. Ai ngre një sërë pyetjesh mbi darkën e 8 tetorit. “A ka pasur ndonjë fshehtësi në lidhje me shmangien ndaj ligjeve elektorale amerikane në këtë çështje? Nga erdhën paratë për blerjen e biletave për aktivitetin e mbledhjes së fondeve elektorale? Si arriti z. Shehu nga Nju Xhersi në Kaliforni për të marrë pjesë në këtë aktivitet? Çfarë bënte një politikan i spikatur i huaj në një aktivitet grumbullimi fondesh elektorale? Pjesëmarrja në të cilin atij i ndalohet me ligj? Unë do të doja një hetim të plotë dhe të menjëhershëm për këtë çështje. Po ja dërgoj këtë kërkesë, Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holdet dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve”,- shprehet kongresmeni, Dana Rohrabaher.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›