E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton mbulim 100% të shpenzimeve shëndetësore për pensionistët



Pas pronave dhe legalizimeve, Kryeministri Sali Berisha u ndal dje tek mosha e tretë, duke premtuar përmirësim të jetës të pensionistëve dhe mbulimin nga shteti të 100% të shpenzimeve shëndetësore. “Jam sot këtu për të ftuar pensionistët shqiptarë që të bashkohen me ne dhe i garantoj se në Shqipëri nuk do të ketë pension nën 150 dollarë, se do të mbulohen nga shteti 100% e shpenzimeve të tyre shëndetësore, se do të subvencionohet plotësisht energjia elektrike për ta, se qeveria do mbulojë 90 % të shpenzimeve për shtëpitë e kujdesit ndaj të moshuarve, do të subvencionohet transporti i tyre urban dhe interurban”, - premtoi kreu i qeverisë. Ndaj ai ftoi të gjithë pensionistët në mitingjet përmbyllëse të Partisë Demokratike në Berat dhe Lushnjë, të ecin përpara me projektin e kësaj force politike për një mandat të tretë qeverisës. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë premtoi në Lushnjë se do të përfundojë brenda një viti, dhënia e të gjitha tapive jo vetëm në këtë qytet por në të gjithë Shqipërinë. Duke mos e përmendur aspak kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, kreu i qeverisë u fokusua në mitingun përmbyllës në Lushnjë vetëm tek premtimet që PD-ja do të realizojë në rastin e marrjes së një mandati të tretë qeverisës. Kryeministri premtoi gjithashtu se do të mbrojë prodhimet e fermerëve vendas në mënyrën më të fuqishme të mundshme, duke siguruar ulje të mëtejshme të taksave dhe luftë ndaj informalitetit, si dhe kredi për bizneset e vogla. Duke ju drejtuar të gjitha nënave dhe motrave jo vetëm në Lushnjë, Kryeministri tha se me marrjen e një mandati të tretë qeverisës do të hartojë një program të veçantë për gratë shtëpiake në mënyrë që edhe ato të kenë një kualifikim dhe të kenë mundësi punësimi. “Ndaj votoni numrin 44 në zgjedhje, votoni për zhvillimin, mirëqenien, së bashku për marrjen e statusit të vendit kandidat”, - bëri thirrje Berisha.

PREMTIMET

“Jam sot këtu për të ftuar pensionistët shqiptarë që të bashkohen me ne dhe i garantoj se në Shqipëri nuk do të ketë pension nën 150 dollarë, se do të mbulohen nga shteti 100% e shpenzimeve të tyre shëndetësore, se do të subvencionohet plotësisht energjia elektrike për ta, se qeveria do mbulojë 90 % të shpenzimeve për shtëpitë e kujdesit ndaj të moshuarve, do të subvencionohet transporti i tyre urban dhe interurban”, - premtoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›