Bamir Topi gënjen në “Opinion” për votën që i dha Ramës
Ish-presidenti Bamir Topi ka deklaruar se vota e tij në zgjedhjet lokale të vitit 2011 nuk ka qenë për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Nga mos komentimi i votës së tij gjatë kohës që ishte President, tashmë në krye të Partia Fryma e Re Demokratike, Topi gënjeu hapur mbrëmjen e djeshme, duke thënë se vota e 8 majit 2011 ka qenë e bardhë. Në emisionin “Opinion” në Televizionin “Klan”, Topi tha se nuk kishte preferuar të jepte votën për asnjë prej kandidatëve në garë për Tiranë. Ndërkohë që procesi i verifikimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar për këto zgjedhje, tregoi të vërtetën për votimin e presidentit të asaj kohe. Vota e tij është filmuar jo vetëm nga kamerat e Televizionit “Klan” dhe ABC News, por edhe në të gjitha televizionet e tjera dhe u pa qartë se vullneti politik i kreut të shtetit të zgjedhur nga PD-ja, kishte shkuar për kreun e PS-së, Edi Rama. Vota e bardhë, ashtu sikundër u rrek të pretendonte se kishte dhënë në zgjedhjet lokale, nuk qëndron, pasi asnjë e tillë nuk u gjet gjatë gjithë procesit transparent të numërimit, nën fokusin e kamerave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të televizioneve.