Ringjallen negociatat Dalai Lama-Kinë
Përfaqësuesit e udhëheqësit shpirtëror të Tibetit në ekzil, Dalai Lama, do të ringjallin nesër negociatat me Kinën në lidhje me situatën në Tibet, negociata këto të cilat kanë qëndruar të bllokuara për 15 muaj me radhë, ka njoftuar zyra e tij.
Rrethi i fundit i negociatave u shemb, pasi që Pekini theksoi se nuk është arritur përparim, duke insistuar se nuk do të bëjë kompromis në lidhje me statusin e Tibetit si pjesë integrale e Kinës.
“Ne do të takohemi me kinezët dhe është ky një proces i rëndësishëm, në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për dy palët”, tha zëdhënësi i Dalai Lamës, Tenzin Talkha, duke ju referuar grindjes në lidhje me autonominë e Tibetit.
“Agjenda e Dalai Lamës është e njëjtë: se problemi duhet të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut”, shtoi ai.
Takhla shtoi se vendi se ku do të zhvillohet takimi nuk është konfirmuar ende, por shtoi se të dërguarit e Dalai Lamës do të kthehen në Indi nga fillimi i shkurtit.
Pas takimit të fundit, i cili u zhvillua në nëntor të vitit 2008, Kina theksoi se dyert do të mbesin të hapura për diskutime të mëtutjeshme, por shtoi se “mbesin dallime të mëdha mes dy palëve”.