E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i medias në ndjekjen e auditimeve, kërkohet më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Roli i medias në ndjekjen e gjetjeve të auditimeve dhe forcimi i përgjegjshmërisë publike u diskutuan sot në tryezën “Truth Beyond Numbers – From Audit Findings to Public Accountability”, organizuar nga “Faktoje”, ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e një dokumenti politikash mbi mënyrën se si raportet e auditimit mund të shërbejnë si bazë për ndjekjen e përgjegjësive dhe rritjen e transparencës.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kontrollit dhe drejtësisë, medias, shoqërisë civile dhe institucioneve partnere.

Diskutimi u përqendrua tek ajo që ndodh pas publikimit të një raporti auditimi, zbatimi i rekomandimeve, rastet kur gjetjet mund të çojnë në hetime penale, si dhe nevoja për bashkëpunim më të mirë mes institucioneve dhe medias.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, e vuri theksin te rëndësia e kthimit të gjetjeve të auditimit në përgjegjshmëri konkrete publike.

Ajo tha se shifrat nuk “flasin vetë”, pasi duhet dikush t’i lexojë, t’i shpjegojë dhe të ngrejë pyetje mbi problematikat që evidentojnë.

Monster theksoi se media ka një rol të rëndësishëm për t’u rikthyer te një çështje edhe pas publikimit fillestar të një raporti, ndërsa nënvizoi se menaxhimi i parave publike dhe funksionimi i institucioneve janë në qendër të standardeve europiane.

“Një gjetje auditimi bëhet përgjegjshmëri publike vetëm kur qytetarët mund ta kuptojnë atë”, tha ambasadorja, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Ajo u shpreh se Shqipëria ka bërë përparim në rrugën drejt Bashkimit Europian, por standardet për menaxhimin e fondeve publike dhe përgjegjshmërinë institucionale mbeten thelbësore.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu u ndal te nevoja që auditimi të mos kufizohet vetëm në evidentimin e shkeljeve, por të shërbejë edhe për përmirësimin e praktikave institucionale dhe të administratës publike.

Sipas tij, rekomandimet e auditimeve duhet të shërbejnë për të identifikuar dobësitë në organizimin institucional dhe për të rritur kapacitetet e administratës.

Musabelliu vlerësoi gjithashtu rolin e medias dhe organeve të auditimit në rritjen e kapaciteteve të administratës për të vlerësuar punën e saj, duke theksuar rëndësinë e komunikimit më të mirë të gjetjeve teknike me publikun.

Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose u fokusua te ndjekja e rekomandimeve të auditimeve në Kuvend dhe nevoja që procesi i kontrollit të mos përfundojë me publikimin e një raporti.

Ai tha se komisionet parlamentare duhet të kenë një mekanizëm më të strukturuar për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve, veçanërisht ato që lidhen me pasoja financiare.

Qose propozoi që për rekomandimet me risk të lartë të ketë një plan të qartë veprimi, me përgjegjësi, afate dhe dokumentim të rezultateve.

Sipas tij, një regjistër publik i rekomandimeve do të mundësonte transparencë më të madhe dhe do t’u jepte qytetarëve mundësinë të ndjekin statusin e zbatimit të tyre.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku theksoi nevojën që raportet e auditimit të jenë më të aksesueshme dhe të kuptueshme për publikun dhe ligjvënësit.

Ajo tha se volumi i madh i raporteve e bën të vështirë analizimin e tyre dhe se duhet një strukturë më e qartë për identifikimin e përgjegjësive dhe ndjekjen e masave.

Tabaku solli si shembull raportet e auditimit mbi kontratat e partneriteteve publik-privat dhe inceneratorët, duke argumentuar se gjetjet e auditimit duhet të ndiqen deri në përcaktimin e përgjegjësive dhe masave konkrete.

Ajo kërkoi gjithashtu forcimin e rolit të komisioneve parlamentare dhe krijimin e mekanizmave që mundësojnë ndjekjen transparente të rekomandimeve.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës mediatike joqeveritare “Faktoje”, Klodiana Kapo në fjalën e saj theksoi se, auditimet publike duhet të shoqërohen me transparencë, informim dhe ndjekje të mëtejshme të gjetjeve, ndërsa media ka një rol të rëndësishëm në përcjelljen e tyre te qytetarët.

Kapo u shpreh se puna e “Faktoje” është përqendruar në kontrollin publik dhe në mënyrën se si gjetjet e auditimeve bëhen të kuptueshme dhe ndiqen më tej në hapësirën publike.

Ajo solli në vëmendje raste të investimeve publike të audituara, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të problemeve të evidentuara dhe të informimit të publikut për mënyrën se si trajtohen ato nga institucionet.

Kapo tha se “Faktoje” ka ndjekur ndër vite problematika të ndryshme përmes raportimeve, videove, dokumentarëve dhe podkasteve, duke i shoqëruar ato me të dhëna dhe dokumente, me synim që gjetjet e auditimeve të mos mbeten vetëm në raportet institucionale.

Sipas saj, një nga sfidat kryesore është që informacioni teknik i auditimeve të përkthehet në një gjuhë të kuptueshme për publikun dhe të shërbejë për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.

Eksperti i projektit “Truth Beyond Numbers”, Ilir Ciko prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e dokumentit të politikave, duke evidentuar se dobësia kryesore nuk qëndron te cilësia teknike e auditimeve, por te ndjekja dhe komunikimi i tyre.

Sipas tij, media mbulon kryesisht momentin e publikimit të raportit dhe më rrallë ndjek zbatimin e rekomandimeve.

Ciko theksoi se raportet e auditimit përbëjnë një burim të rëndësishëm për gazetarinë, pasi mbështeten në dokumentacion, të dhëna dhe metodologji të verifikueshme.

Megjithatë, ai nënvizoi se parregullsia e evidentuar nga një auditim nuk përbën automatikisht vepër penale dhe se për këtë nevojiten procedura dhe standarde të tjera prove.

Përfaqësuesja e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Xhuljeta Çelaj u ndal te komunikimi dhe ndjekja e rekomandimeve, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të mirë me median. Ajo tha se raportet teknike duhet të përkthehen në forma më të kuptueshme për publikun, pa humbur saktësinë dhe standardet profesionale të auditimit.

Sipas Çelajt, zbatimi i rekomandimeve kërkon kohë dhe duhet vlerësuar në mënyrë periodike, ndërsa dialogu me median mund të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe informimin e publikut mbi rezultatet e proceseve të auditimit.

Në dokumentin e prezantuar nga “Faktoje”, ndër rekomandimet për Kontrollin e Lartë të Shtetit janë një përmbledhje e standardizuar për çdo raport auditimi, hierarkizimi i gjetjeve sipas dëmit ekonomik dhe rrezikut sistemik, publikimi i të dhënave në formate të kërkueshme, krijimi i një regjistri publik për statusin e rekomandimeve dhe një raport vjetor më i aksesueshëm mbi zbatimin e tyre.

Tryeza u mbyll me diskutimin mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, medias dhe shoqërisë civile, si dhe hapat e ardhshëm të nismës “Truth Beyond Numbers”.

Mbahet tryeza “E vërteta përtej shifrave” Foto: Florjan Abazaj 1 nga 11

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›